BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

PARMAKËT E ARTË

Kujtoj ditën kur më dërguat në kopshtin më luksoz të qytetit me limuzinë. Këtë kopsht e kishit zgjedhur bashkë me babain dhe ndërsa u flisnit të tjerëve për të, krenoheshit duke thënë se këndet e lojërave ndaheshin nga njëri-tjetri me parmakë bronzi.

Megjithatë, ato nuk ngjanin si të bronzta, por si të florinjta. Kishin shkëlqim. Dhe unë nuk isha i lumtur mes atyre parmakëve.

Vërtet kishim lodra të bukura. Ndoshta shumë fëmijë as nuk e kishin imagjinuar ndonjëherë të luanin me ato lodra në shtëpitë e tyre. Dyshemeja ishte e shtruar me motive lulesh. Të gjithë, nga drejtoresha deri tek edukatorët, bënin çmos për të na bërë të lumtur.

Nënat dhe baballarët, këtë karakter që e kishin aq të vështirë ta tregonin, duke ia lënë dikujt tjetër edukimin e fëmijës së tyre karshi simbolit të fuqisë, parave, mesa duket ishin të qetë nga ndërgjegjja.

Po, shpenzimet e kopshtit tim dhe udhëtimi im vajtje-ardhje me limuzinë do të ishte tjetër objekt mburrjeje për ju.

Dhe unë duhej ta ndjeja veten fatlum, shumë fatlum madje. Por nuk ndjehem aspak i tillë. Nuk mundem ta ndjej. Nuk e kisha aftësinë e atij roli dhe nuk munda ta luaja me sukses rolin e “fëmijës” përballë atyre që luanin rolin e nënës dhe të babait.

Kopshti ishte i ngrohtë. Kaloriferët funksiononin për mrekulli dhe pothuajse na bënin të djersinim nga nxehtësia. Por në kopshtin ku kaloriferi që ngroh zemrat ishte prishur, nuk mund të ekzistonte lumturia për ne.

I ndjenim vetet tona si zogj makinerish. (Këtë përngjasim e pata dëgjuar nga një zonjë që pati vizituar kopshtin tonë, por kuptimin e saj e kuptova shumë më vonë.)

Ah, teknologjia! Tashmë fëmijët/zogjtë lindin, rriten dhe vdesin pa ndjerë ngrohtësinë e nënës.

Ndërkohë që teknologjia mburret: krijuam klloçka pa patur nevojën e pulave dhe i dhamë një impuls të ri mbarështimit të zogjve.

Teknologjia dhe njerëzimi të cilat mburren për tërë këto shpikje, kurrë nuk do të mund të gjejnë formulën e lumturisë, prehjes shpirtërore, mëshirës dhe ndjenjave të tjera njerëzore.

Çdo ndërhyrje e kundërt me natyrën e krijimit të botës, do të sjellë si rezultat fundin e lumturisë dhe prehjes njerëzore dhe do ta degdisë atë në brigjet e stresit e të pështjellimeve.

Dhe unë, duke vështruar ujin e kaltër e të ftohtë, përjetoj me shpejtësinë e rrufesë këto kujtime teksa kalojnë në memorien time dhe nuk mundem dot t’ju falenderoj për burgun tim modern me parmakë të artë.

Nënë, ah sikur të qëndroja në kraharorin tënd e me ritmin e të rrahurave të zemrës tënde sikur të thërrisnin lumturinë dhe dashurinë e mërguar larg, dhe brenda asaj ngrohtësie të udhëtoja drejt botëve me ëndrra plot lule shumëngjyrëshe.