BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
MËSHIRË
Në botën e të pasurve, ka dy lloj tipash, nënë. Një pjesë e këtyre e kujtojnë që kanë qenë të varfër dhe i kujtojnë vuajtjet e hequra. “Dikur edhe ne kemi qenë të varfër dhe mërziteshim shumë kur të pasurit nuk na zgjasnin dorën e ndihmës”, thonë dhe për të mos rënë në të njëjtin gabim, e hapin kuletën dhe i ndihmojnë të varfrit.
Ka gjithashtu edhe një grup të dytë, në të cilin bëni pjesë edhe ju dhe mënyra e arsyetimit të tyre është mjaft e ndryshme:
“Edhe unë kam qenë dikur i varfër. Po ç’bëra? Me mundin tim e me djersën e ballit arrita gjer në këtë ditë. Hodha spirancën në majën e pasurisë. Në gjithë këtë arritje, askush s’më ndihmoi një grimë. Dhe unë s’kam pse të ndihmoj askënd asnjë grimë. Ata që s’më kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj pasurie, nuk kanë të drejta në mallin tim”.
Kjo ishte logjika e tim eti. Dhe filozofinë e jetës së tij mundohej të ma injektonte dhe mua:
Shiko bir! Në jetë dhe veçanërisht në biznes, koncepti mëshirë s’duhet të ekzistojë. Një biznesmen i madh që zotëron një hollding gjigant, s’mund të veprojë si dikush që zotëron një kuzhinë bamirësie. Nuk mund t’i mbushë tasin me çorbë çdo personi që i del përpara si i varfër. Personi që i thotë vetes biznesmen, duhet ta heqë mënjanë konceptin e mëshirës dhe ndjenjat e tjera që pakësojnë fitimin, ashtu siç hiqet xhaketa. Ndihma mund të bëhet vetëm e vetëm për qëllim reklamimi.
Gjatë kohës kur do të shkoja ushtar, më tregonte:
Shiko bir, nëse do të kishim ndonjë problem në gjetjen e parave të nevojshme për të kryer shërbim ushtarak të reduktuar, do të ishe i detyruar ta kryeje të plotë shërbimin ushtarak. Ata që thonë se “lumturia s’blihet me para”, i kundërshtoj me forcë dhe u them: “Pasuria me lumturinë janë në raport të drejtë me njëratjetrën. Kush ka para, ka edhe lumturi. Lumturia blihet me para, madje edhe një pjesë e mirë e shëndetit...”
Dëgjoja me vëmendje të madhe porositë e arta (!) të tim eti.
“Ka nga ata që thonë se paraja s’është asgjë. Bëj tutje, mor leshko. Kur s’ke para, jo vetëm që s’ke me ç’të mbushësh barkun, por edhe për atë që ke në bark s’të lejojnë të shkosh në banjë pa paguar. Kur të kap keq dhe e bën në brekë, atëherë e kupton se ç’do të thotë para.”
Kujtoj bashkëfshatarët tanë, teksa na dinin të pasur, vinin me shpresën se mos i ndihmonim. Të gjithë qenë kthyer turivarur. Askënd s’ndihmuam. Edhe atyre që do të bëheshin operacion nuk u patëm dhënë asnjë qindarkë dhe babai u pati thënë: “Në vend që të këndonit si gjinkalla kur ishit të lirë, të kishit mbledhur para për këto ditë të vështira!”
Kam qenë me qindra herë dëshmitar sesi babai tregonte me zotësi si kishte shpëtuar nga taksat.
Fraza “Askush nuk është pjesëtar në pasurinë tonë. Gjithë këtë pasuri e kam ngritur i vetëm”, ishin nga perlat e tim eti që i dëgjoja të paktën katër-pesë herë në ditë.
Dhe unë, megjithëse isha mbrujtur e edukuar nga ju me këtë logjikë e filozofi, e ndjeja se diku kishit mangësi dhe se mendonit gabim në disa gjëra.
Nuk duhet të ishte kjo njerëzia.
Ndërkohë që im atë, në kohët që punonte me ortakë të tjerë, i kishte mashtruar derisa ishte bërë shkak i falimentimit të tyre. Përveç kësaj, nuk kishte paguar për një kohë të gjatë sigurimet dhe vjetërsinë e punës.
Krijuesi, në të cilin nuk e di në besoni a jo, nuk do t’i linte pa u hakmarrë ndaj gjithë këtyre llokmave harami. E ndjeja se ishim të detyruar të jepnim llogari në ndonjë vend.
S’mund të mbetej pa u marrë haku i atyre të mjerëve që dëboheshin nga spitali se s’kishin paguar sigurimet, mundi i atyre baballarëve që s’u kishe paguar vjetërsinë e punës e që vuanin se s’kishin t’u çonin fëmijëve bukën e gojës, atyre fëmijëve që ndoshta s’e kishin parë më çokollatën e as akulloren.
Në këto çështje, unë kisha mendime diametralisht të kundërta me babain. Sikur ta dijë se unë mendoj në këtë mënyrë, do nxehej e do më qortonte: “Me kë je ti, me tët atë, apo me ata poshtërsirat?”
Unë isha me të vërtetën e të drejtën. Thonjtë e ndërgjegjes më çirrnin zemrën.
Paraja e pandershme më bënte të palumtur. Paraja e pandershme ju bënte dhe ju të palumtur dhe ju pengonte forcërisht të ishit të mëshirshëm.
Ju e pandehni veten gjithmonë të lumtur, nënë. Sepse nuk e dini përkufizimin e lumturisë.
Për ju, lumturi do të thotë numri i zerove të shifrës së pasurisë suaj. Ndërkohë që lumturia qenka të kesh mëshirë, të mundesh të duash, të mundesh të ndash me të tjerët.
Ka mundësi që edhe ta luanit bukur rolin e të lumturit. Por gjëja që i vërtiteshit rrotull duke e kujtuar si lumturi, ishte vetëm mirazhi apo hija e lumturisë.
Domethënë, çiftet që tradhtojnë njëri-tjetrin s’janë të lumtur.
Familjet që s’munden t’u ofrojnë lumturi fëmijëve, s’mund ta gjejnë as për vete atë.
Dhe unë, megjithë këtë pasuri që më rrethonte, nuk ndjehesha i lumtur, nënë.
Ndjej se paratë e fituara në mënyrë të pandershme më ngecin në fyt si spica të helmatisura.
Dua të vjell gjithçka kam ngrënë, nënë.