BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

JETË PREJ HIPIE OSE BOHEMI

Kishit bërë gjithçka kishit mundur për mua. Me atë fuqinë legjendare të pasurisë, gabimet e mia mbuloheshin, aftësitë e mia hiperbolizoheshin dhe vajzat e bukura më rrethonin ngado.

Duke qenë se nuk ishte e nevojshme të punoja, më mbeste vetëm një lloj mënyre jetese, e cila mund të quhej jetë prej hipie ose bohemi. Një mënyrë jetese mes gjithë të mirash me parimin kryesor: Ku Rafsha Mos u Vrafsha. Njëfarë kohe pata vendosur të ndjek fjalën e babait, i padetyruar për të punuar, të jetoja rininë i zhytur në luksin e pasurisë në një botë ku miliona të mjerë zvarriteshin për një kothere.

Pija uiski dhe shampanjë megjithëse s’më pëlqenin dhe merrja pjesë pothuajse në të gjitha qendrat më të njohura të argëtimit.

Sakaq, ju krenoheshit se “biri ynë është hapur. Po e shijon më së miri rininë e tij.”

Luaja kumar dhe nuk refuzoja dozat e kokainës. E tillë ishte kjo botë dhe isha i detyruar t’i ndiqja rregullat e saj.

Ndonjëherë nuk rruhesha për një muaj të tërë duke shëtitur si zhelan, e prapëseprapë, për vajzat isha simpatik dhe nuk më ndaheshin kurrë.

Me çfarë mund të fshihet pisllëku i një të kaluare të tillë, cili sfungjer mund të pastrojë të tilla kujtime fëlliqësire?

Herë-herë mundohesha ta analizoja dhe ta kritikoja këtë mënyrë jetese. Të gjithë miqtë që më rrethonin mundoheshin t’i përngjisnin o një aktori të njohur, o një rrokeri ose një prezantuesi të njohur. Këtë herë e deklaronin me fjalë e herë me veshjet, sjelljet dhe mënyrat e tyre të jetesës.

Po, ishim vërtet të lirë. Të lirë sa për të jetuar çdo lloj çmendurie. Kaltërsia dhe freskia e ujit nuk më tregoi se të gjitha këto çmenduri që bënim na largonin çdo ditë e më tepër nga jeta e rregullt familjare dhe na bënin një potencial të rinjsh kriminelë në shoqëri.

Dhe planet e dikurshme që pata përgatitur në mendje për një familje të lumtur, të kundërt me atë tuajën, nënë, qenë shkatërruar përfundimisht.

Dhe unë tashmë, jam aq i pafat sa të mos imagjinoj fëmijën tim me doçkat e vogla hedhur pas qafës time dhe bashkëshorten time që më zgjat pantoflat në mbrëmje kur kthehem në shtëpi. Ato ëndrra unë i kisha humbur në netët e kazinove.

***

Diellin nuk e shihja për ditë me radhë. Flija në të gdhirë dhe zgjohesha pas mbrëmjes.

Garat tona me makina ishin vërtet interesante; për çdo garë, dytri makina dilnin jashtë përdorimi. Prindërit tanë jo vetëm që nuk nxeheshin me ne për përçudnimin e makinave, por mundoheshin të na i zëvendësonin me të reja sa më shpejt.

Sakaq shëtitjet tona nëpër qytete me motoçikleta ishin tejet të rrezikshme si për ne, ashtu edhe për kalimtarët e thjeshtë. Aksidentet jo me pasoja të mëdha nuk na trembnin, ndërsa ankesat e shumta të banorëve mbylleshin pa zhurmë nga forca e prindërve tanë.

Dhe një ditë... Një ditë... I dehur aq sa s’mbanim mend as orën e asaj mesnate, as qytetin e as rrugën, një pemë që na del papritur përballë dhe e ndan makinën më dysh. Dy vajzat dhe dy djemtë që ndodheshim në makinë fluturuan çdonjëri nga dhjetë metra përpjetë në drejtime të ndryshme. E dashura ime vdiq në moment, shoku im humbi jetën në spital, vajzës tjetër i ishte dëmtuar rëndë shtylla kurrizore e si pasojë do të lëvizte gjithmonë me karrocë.

Ndërsa unë isha dëmtuar rëndë.

Drogat që më jepnin në spital sikur m’i lehtësonin dhimbjet. Sikur më ishin fshirë nga kujtesa të gjitha fytyrat e të njohurve dhe më kujtohej vetëm shitësi ambulant me vargjet e tij që i përsëriste pa pushim:

Si mund të jem i sigurt se nesër do jem gjallë?

Arkivolin e një të riu sapo varrosën pak më parë.

Megjithëse çdo ditë vdesin me mijëra njerëz, megjithëse shumë të rinj e fëmijë hyjnë çdo ditë në barkun e tokës, njeriu s’e shikon kurrë veten me atë sy. Megjithëse historia tregon se për dhjetëra mijëra vjet njerëzit lindin, rriten dhe vdesin, megjithëse biologjia argumenton shkencërisht se plakja është afrim drejt vdekjes, kur na afrohet vdekja, gënjejmë veten mos gjejmë ndonjë shpëtim apo mos vdekja fshihet si koncept nga letërsia. Po, po, të gjithë do të vdisnim, vetëm ne jo.

Pema qorre që më doli para makinës, më pati treguar vdekjen me gjithë lakuriqësinë e saj.

Në fakt, nuk ishte pema qorre fajtore, por familjet që nuk konceptonin se sigurisht që ajo shpejtësi do përplasej me një objekt njëherë. Sigurisht që bashkëfajtorë me prindërit duhet të konsiderojmë edhe shoqërinë dhe ata që e drejtojnë atë.

Dhe vrasësit e të vdekurve ishin vetë familjet e tyre krenare për pasurinë dhe famën e tyre.

***

Universi e kishte një fill. Ka nga ata që thonë se ky fill është Big Bangu e ka të tjerë që thonë të tjera teori. Kjo botë ka përjetuar epoka të tëra. Njerëzit kanë përjetuar periudha të ndryshme. Historia flet për erërat e kjo mund të jetë lindja e Jezusit, mund të jetë edhe emigrimi i Profetit Muhamed. Momenti i kthesës në jetën time, Big Bangu im, pa dyshim që është momenti ku u përplasa me pemën.

Nënë, ti e njihje mjaft mirë vajzën për të cilën po flas. Sa e gjallë që ishte! Nëse ekzistonte dikush në këtë botë antagoniste me vdekjen, ishte kjo vajzë. Ishte e re dhe shumë e bukur. Edhe babai i saj i pasur sa Karuni nuk mundi t’i blejë të bijës as edhe një rini të shkurtër. Kjo do të thotë se nëse mua do të më ndodhte diçka e tillë, malli e pasuria e tim eti nuk mund të blejnë as edhe dy-tri sekonda nga koha që e pandehim për të pafundme.

Sakaq, tani gjendesha buzë asaj çka i frigohesha më shumë, pranë vdekjes, pranë errësirës dhe fundit të mistershëm. Për ditë të tëra mendova çmendurisht të depërtoja sadopak brenda mistereve. E teksa përpiqesha të betonoja idetë e mia me anë të revistave shkencore, mori hov rruga e kthimit tim drejt origjinës:

“Sa madhështor je ti vëlla, sa i madh je!

Për ty është e gjithë toka ku shkel dhe gjithë hapësira që të zënë sytë. Dhe je ti ai që teksa shikon këtë kaltërsi të pafund, arrin të mendosh Krijuesin.”

Qysh në paragrafin e parë, kishte një bukuri të jashtëzakonshme që e vuri në lëvizje botën time të mendimit. Mua më kishin folur vetëm për pasurinë, famën dhe prestigjin tonë. Ndërsa tani fjalë për vetë madhështinë e njeriut.

“Me bukurinë tënde të krijimit, vetëm ti je forca e vetme që bashkon hidrogjenin dhe oksigjenin duke formuar ujin. Ndaj dhe je ti krijesa më e afërt me Krijuesin. Për këtë arsye dhe Ai vetëm me ty ka komunikuar dhe vetëm ty të ka lënë detyrën për ta gjetur Atë.”

Sa më shumë lexoja, aq më shumë ndjeja një zgjerim në botën e mendimit dhe prehje në shpirt. Këto ishin gjendje dhe ndjenja që s’para ishin familjare për mua.

“Shikoje këtë madhështi! E për të dëgjuar se ç’të thotë kjo madhështi, hidhi fillimisht një sy pjesës më të vogël. Vendos duart mbi grimcë, mbi atom dhe mati pulsin, ndjeji dridhjet. Vetëm ti mund ta ndjesh në këtë univers të pafundmë dhe mund ta kuptosh mesazhin e Zotit. Ndaj dhe Krijuesi vetëm prej teje pret që ta kuptosh. Vetëm ty ta pëshpërit misterin e kësaj grimce.”

Prisja me padurim e me mall këtë pëshpërimë. Dëshiroja që shkrimi të vazhdonte sa më gjatë e të mos mbaronte kurrë.

“Jo, jo. Qiejt nuk janë edhe aq të mëdhenj. Je ti ai që është i madh. Ti je esenca e atyre qiejve, e universit dhe Krijuesi që s’e përfshin pafundësia, ndodhet në zemrën tënde.”

Domethënë, ajo çka për vite të tëra nuk zinte vend në kafazin tim të kraharorit e që zemra e kërkonte, ishte Krijuesi.

“Dhe misteri që ti kërkon, ndodhet në majën e thoit që e pret dhe e hedh tutje.”

Nisa të mendohesha thellë. E ç’mund të ishte misteri në majën e thoit tim?

“Dhe ti vetëm pasi ta kesh zbuluar misterin që fshihet në majën e thoit tënd, do ta kesh kuptuar të vërtetën.”

Lutesha me vete që shkrimi të më zbulonte ndonjë të fshehtë para se të mbaronte.

“A di gjë ti për atomin? Për atë atomin që deri para pesëdhjetë vjetësh thuhej se ishte grimca më e vogël e krijuar që nuk mund të shpërbëhej. Dhe vetëm ti e di se në këtë univers të pafundmë, brenda asaj grimce të quajtur atom, ka një bërthamë e ajo përbëhet nga elektroni dhe neutroni. Ti je i madh, pasi e shikon brendinë e kësaj miniature, e dëgjon zhurmën e trajektores dhe e koncepton shpejtësinë e saj.”

Kisha lexuar. Sa distancë kaptonin grimcat që rrotulloheshin rreth bërthamës. S’e pata besuar.

“Ti je i madh, sepse vërejte edhe copëtimin e atomit. Njeriu, për të cilin thuhet se ekziston prej miliona vjetësh, arriti në këtë përfundim pas studimesh e kërkimesh të shumta. E teksa zbuloi këtë, të shumtë qenë ata që u treguan të pacipë e harruan Krijuesin. Ndërsa dikush tjetër në pulsin e atomit ndjeu forcën e Krijuesit. U drodh i frikësuar. Të kuptuarit e të qenit vogëlsi, i ngriti ata e i bëri madhështorë.”

E përpija shkrimin sikur të isha duke pirë gjithë ëndje shurup trëndafili. Një mendje kishte menduar si unë dhe i kishte hedhur në të shkruar me qëllim që unë t’i lexoja. Kjo s’mund të ishte rastësi. Asnjë rastësi s’mund të më bashkonte mua me këtë shkrim, pikërisht në këtë periudhë kur kisha nevojë më shumë se kurrë.

“Krijuesi ishte aq i madh, sa kurrë nuk krijoi diçka të vogël.”

Shënimet

  1. 3.Karuni, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Faraonit dhe armik i Musait (a.s.). Njihet për pasurinë e tij të madhe dhe arrogancën. Për shkak të kësaj arrogance Zoti e shkatërroi me gjithë pasurinë e tij. (shën. i përkth.)