BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

KUKAFSHEHTAS

Në vogëli, kurrë nuk pata lozur me ty nënë. Sipas meje, fëmijët duhet të luajnë me prindërit. Fjalën kukafshehtas e pata mësuar vetëm në librat me tregime.

Një ditë me diell shtatori pata shkuar në punën e tim eti. Nuk ndodhej në zyrë. U fsheha në dollap për të bërë shaka. Pandehja se luaja kukafshehtas. A mundesh ta imagjinosh gjendjen ku kisha rënë, nënë?

Pastaj ç’nuk dëgjuan veshët e mi.

Babai tha se do të ndahej me ty dhe do martohej me atë.

“Po ti ke fëmijë”, i tha ajo.

“S’na prish punë ai”, tha im atë. “Po i lë trashëgimi një pasuri që do t’i mjaftojë përgjatë gjithë jetës. Detyrën time si baba po e kryej më së miri. S’mund të më ngatërrohet në jetën time private.”

Im atë ishte i tillë që mund të na sakrifikonte ne të dyve pa iu dridhur syri për një lojë momentale zemre.

Pas pak, babai me sekretaren dolën jashtë. Nuk e dinin se unë i kisha parë dhe dëgjuar ç’ishin folur aty.

Po, nënë. Vështroj ujin e kaltër dhe të freskët të Bosforit.

Në thellësinë e skajshme të ujërave të thella e të kaltra, ndodhet edhe një panoramë tjetër që s’ia kam thënë kurrkujt, ashtu siç sekreti i neveritshëm i tim eti.

Sjellje të tilla të ngjashme, i kam vërejtur edhe tek ti, nënë.

***

Ndoshta të rriturit nuk mund ta perceptojnë gjendjen e një fëmije që përballet me të tilla pamje.

Këto dy pamje ishin si dy aeroplanë që bombarduan me bombë atomike botën ime. Jeta më qe shkatërruar.

Këto ishin skena që unë kisha mundur t’i shikoja, t’i dija.

Ndoshta e kishit mallkuar me kohë njëri-tjetrin.

Ndoshta e kishit lënë njeri-tjetrin të jetonit të pavarur.

Qysh prej asaj dite, dashuria dhe respekti karshi jush m’u venit. Vara turinjtë. Dhe ju e dallonit këtë.

“Se ç’ka ky djalë, është bërë agresiv kohët e fundit”, thoshit dhe mundoheshit mos gjenit arsyen.

Më dërguat tek psikologët më të famshëm.

Bota ende s’e ka nxjerrë atë psikologun që të zbulojë sekretet e fëmijëve si unë e të gjejë arsyet shkatërruese të botëve tona të kristalta.

Asnjë dobi s’më solli vajtja tek ta.

Ndërsa unë ndjeja atë shqetësim që ndjen zogu që ka ngritur folenë në degën e një peme e ndjen rrënqethje kur trungu i pemës goditet me sëpatë, mendoja kur do të këputej filli i hollë i lidhjeve të familjes sonë dhe kur do të na përmbysej mbi kokë foleja familjare.

“Të gjitha i ka, por s’është i lumtur”, thoshit kur bisedonit rreth meje.

Im atë m’i numëronte gjithçka kishte bërë dhe të gjitha kushtet që më kishte ofruar dhe thoshte:

“Sikur të kisha unë në vogëli një të qindtën e atyre mundësive që ke ti, do të kërceja gjithë ditën prej gëzimit”, duke pandehur se lumturia ishte në raport të drejtë me mundësitë ekonomike.

Qysh prej asaj dite, sa herë që shihja ndonjë femër bjonde me fund të kuq, dridhesha sikur shikoja një përbindësh që do të shkatërronte folenë tonë.

Dhe qysh prej asaj dite, të gjithë burrat e thinjur i kam urryer, më kupton, nënë?