BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

DIALEKTIKË

Kur kishin mbetur edhe pak ditë nga mosha e pjekurisë, domethënë të tetëmbëdhjetat, im atë, i shqetësuar nga prirjet e mia metafizike, mesa duket, diç i kishte pëshpëritur profesorit im të filozofisë, përderisa ai erdhi të më vizitonte në shtëpi. Madje u mundua deri tek dhoma ime.

Profesori u nxeh shumë kur pa shenjat e kthimit tim në origjinë të varura në dhomë: “Himnin” të varur në mur për të kujtuar popullin dhe “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim” të ngjitur mbi ekranin e kompjuterit për të më kujtuar besimin.

Ide të mbrapshta, - më tha.

Në dhomën time nuk zënë vend ide të mbrapshta, - ia ktheva me inatin e një djaloshi agresiv ose të edukuar si të tillë.

Qeshi tinëzisht. Pastaj më tha: “Ti mendon ters, por as që e ke haberin se mendon ashtu.”

Në këtë dhomë kundërmon era nacionalizëm dhe fé. E shikoj në doza të larta madje.

Për të treguar në pamjen e jashtme se në atë trurin e tij kishte plot filozofi e sociologji, profesori mbante mjekër si të cjapit, mustaqe me bisht, syze me zinxhirë, që megjithëse për shumë mund të pëlqehej, mua vetëm më dhimbsej.

A e di ti se turqit nuk do të bëhen kurrë evropianë? Sepse ata gjithmonë janë krenuar me luftërat që kanë zhvilluar ndër shekuj dhe kanë shkatërruar dhjetëra qytetërime të Azisë së Vogël, midis tyre edhe kulturën greke?

Heshta. Nuk dija shumë nga historia, por profesori fliste me aq mllef e urrejtje, saqë mendohesha për momentin kur do të flisja.

A s’ka të drejtë Evropa? Të vish nga Azia Qendrore e të shtiesh në dorë të gjithë Anadollin; kjo është Turqia me të cilin krenohemi?

S’bëra zë.

Me një mjet të veçantë shtypte mbi llullën e kaftë me majë të zezë duhanin që krenohej se e kishte marrë nga jashtë.

Ndërsa ata besimtarët që ti i mbështet pa e ditur, domethënë muslimanët, kanë vrarë edhe kalifin e tyre. Islami është feja që ka derdhur më shumë gjak në botë në emër të fesë.

Tek shihte heshtjen time, vazhdoi duke rritur dozën e sulmit:

Nëse evropianët thonë për ne “barbarë”, patjetër që është e vërtetë. Ne jemi barbarë, bir. Nuk ka asnjë logjikë që ta fshehim këtë. Zaten, s’mund të mbulohet dielli me shoshë.

U mundova të thosha ndonjë gjë me aq sa munda:

Po mirë profesor, ç’mund të na thoni për të ekzekutuarit nga gjykatat e inkuizicionit dhe për gijotinat që s’reshtën së ekzekutuari për ditë të tëra? Për luftërat Anglo-Franko-Prusiane? Ç’thuhet për shtatë milionë hebrenjtë e pjekur në furrë prej Hitlerit? Sikur këto të kishin ndodhur shumë shekuj më parë, do mundoheshit t’i fshihnit, por ç’e do që këto janë të vërteta shumë të qarta. Ata që kanë turp nga prejardhja e tyre dhe nuk e përfillin Islamin pasi rrënja e saj është Arabia, edhe këto luftërat e zhvilluara në Evropë do t’ua ngarkojnë muslimanëve dhe do t’ua faturojnë Perandorisë Osmane. A mund të më tregoni një shembull të ngjashëm përgjatë periudhës osmane?

Me të dëgjuar fjalën Perandoria Osmane, gjaku do t’i ketë kërcyer në kokë, pasi e tërë fytyra iu skuq dhe m’u kundërpërgjigj:

Osmanët? Sistemi më i madh kolonialist që ka parë dhe do të shohë ndonjëherë historia e njerëzimit. Sistemi që ka shfrytëzuar egërsisht me qindra milionë njerëz. Vrasës vëllezërish, agallarë haremesh.

Me aq sa kisha ndjekur nga emisionet televizive, kuptova se e kishte fjalën për Sulltan Fatihun.

Mos e keni fjalën për Sulltan Fatihun? - e pyeta.

Po, pse ke ndonjë kundërshtim ti? Sa ke ti moshën, unë aq vjet jam marrë me këto tema dhe ato që them unë, janë të vërteta të pakundërshtueshme.

Nëse sot jetoni dhe jetojmë në komoditet në vilat buzë detit me pamje nga ngushtica e Bosforit, mendoj se këtë e kemi edhe në sajë të Sulltan Fatihut, apo jo?

Profesori thithi çibukun që mezi e pati ndezur dhe shfryu tymin drejt tavanit. Tymi me kundërmimin e tij karakteristik dhe të neveritshëm, u ngrit në tavan rrathë-rrathë.

Nukse s’mendoj që nëse Stambolli do të kishte mbetur në dorë të Bizantëve mund të kishte qenë më i bukur. Kushedi sa vepra të tjera madhështore si Shën Sofia dhe muret rrethues të qytetit mund të na kishin lënë trashëgimi!

Kësaj radhe u nxeha unë. Megjithëse nuk kisha dëgjuar asnjë frazë lëvdate rreth Perandorisë Osmane, një zë i brendshëm më thoshte: “Ajo është rrënja jote, origjina jote dhe je i detyruar t’i mbrosh”

Nuk është se osmanët kanë lënë pak vepra artistike-kulturore pas. Mendoje pak profesor sa pa ngjyrë e shije do të mbetej Stambolli pa ato shumëllojshmëri veprash.

Fjalori i profesorit tim nuk e kishte konceptin e të dhënit të drejtë sado të drejtë të kishe:

A e di sa është shfrytëzuar populli i mjerë i Anadollit për ngritjen e atyre veprave? Dhe jo vetëm ata, por edhe nomadët e shkretë të shkretëtirave arabe dhe të krishterët deri në Vjenë me xhizjet dhe haraçet e tyre e kanë vuajtur deri në palcë. Për këtë, perëndimorët kurrë s’na kanë parë me sy të mirë dhe po të jem edhe unë në vend të tyre, nuk i shikoj aspak me sy të mirë. Edhe Turqinë e sotme që e shikoj në njëfarë mënyre si pasardhëse të drejtpërdrejtë të asaj perandorie, do të mbesë gjithmonë duke u lutur në dyert e Bashkimit Evropian. Ne jemi nipër të një Perandorie Kolonialiste. Këtë mos e harro kurrsesi!

Ato ditë pata lexuar në një revistë prestigjioze një artikull me titull “Fytyra e Panjohur e Perëndimit”. Ishte një artikull tepër interesant dhe e kisha fiksuar aq shumë në kujtesë, saqë ia nisa t’ia radhis profesorit me një frymë:

Po mirë, profesor. Kërkoj ndjesë. Përse nuk arrini ta shikoni se Perëndimi që e admironi aq shumë ende sot e kësaj dite po shfrytëzon tërë botën? Besoj e dini se sipërfaqja e kolonive franceze është më e madhe se vetë sipërfaqja e Francës. A nuk shkruan historia për krimet që kanë bërë në Algjeri, Marok e Tunizi? Edhe Italia ka patur koloni në Afrikë dhe Hollanda, gjigande në flotë, ka shfrytëzuar pasuritë e zezakëve për shekuj me radhë. A nuk keni dëgjuar për grabitjet dhe shfrytëzimet e popullit indian nga Anglia, e cila zotëronte aq koloni e hapësirë saqë dielli nuk perëndonte mbi to? Dhe Amerika, ende sot e kësaj dite po përgatit lloj-lloj skenarësh e manovrash për të mos u larguar nga burimet e naftës nga Lindja e Mesme dhe po ia arrin me sukses qëllimit. Ato çka fiton nga nafta e atyre vendeve nuk po ua kthen me rrugë, infrastrukturë e investim, por me bombardime e me vrasje. Osmanët, kurrë, në asnjë vend ku kanë shkelur nuk kanë zbatuar sistemin e kolonizimit.

Debati vazhdoi gjatë. Sigurisht që nuk mbeti i kënaqur prej meje dhe këtë e shprehu me frazën “Kur të gjesh kohë, duku njëherë nga psikologu!”

Me shumë mundësi do të ankohej edhe tek ime më dhe im atë.

Po nënë, edhe ju, disa ditë pas këtij debati, do të më këshillonit psikologun që ju pati ofruar profesori.