BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

MODERN DHE RACIONAL

Ti dhe babi mendonit se ishit me të vërtetë modernë dhe racionalë dhe se edhe unë duhet të edukohesha i tillë.

Morët masa radikale që kur të hyja në kolegj të kisha epërsi të dukshme ndaj shokëve të mi të klasës në filozofi, logjikë, pozitivizëm dhe që të mos kisha edukim prapanik.

Më siguruat mësues privatë mjaft të njohur.

Disa netë gjumi s’më merrte, mendoja përjetësinë, pafundësinë, e, megjithëse nuk merrja kurrë ndonjë përgjigje të arsyeshme, vija në dhomën tuaj t’ju pyesja për universin dhe pafundësinë me mendimin se ndoshta bindem këtë herë. Atyre pyetjeve edhe mësuesit privatë që më kishit gjetur nuk i dhanë dot përgjigje.

Por ata më flisnin rreth temave shumë të bukura (!), argëtuese dhe zbavitëse.

Idetë dhe teoritë e Darvinit vetëm një shërbëtor i tij mund t’i mbronte me aq fanatizëm e forcë. Mësuesi im e admironte aq shumë Darvinin, saqë i kishte lexuar e nxënë përmendësh të gjithë librat e tij.

Më foli gjerë e gjatë rreth librit të Darvinit “On the Various Contrivances by which British and Foreign Orchids are Fertilesed by Insects” – “Rreth rrugëve të pllenimit të orkideve të huaja dhe angleze me insektet”, gjoja sipas tij, një temë me rëndësi jetike e tepër të rëndësishme për mua (!), me anë të së cilës do të bëhesha përparimtar dhe evolucionist.

Në mësimet e mëpasme, ndoshta edhe në varësi të kërkesave tuaja, ndau një kohë të madhe rreth veprës “The Descent of Man, and Selection in Relation to Sex”, duke më shpjeguar se kemi evoluar nga një specie tepër e fisme (!), d.m.th., nga shimpanzeja dhe kalimin nga faza në fazë derisa u ngritëm në këmbë.

Megjithëse profesori ishte modest në çdo temë, përsa u përket fushave shkencore, theksonte vazhdimisht se nuk njihte autoritet mbi veten dhe se nuk gjendej dikush tjetër në vend që ta njihte Darvinin më mirë nga ai.

I bëra ca pyetje thjesht për t’u grricur; një herë, për shembull, i thashë:

- Profesor, përderisa prejardhja jonë thuhet se vjen nga majmuni ose një specie e evoluuar e majmunit, shimpanzeja, përse nuk ngjan sot që një shimpanze të bëhet njeri?

Rrudhi sytë dhe u zhyt në largësi. Mesa duket, po lexonte në mendje librat e Darvinit duke u munduar t’i përgjigjej pyetjes sime me gjuhën dhe logjikën e tij. S’do mend që s’do heshtte. Dërdëlliti do gjëra, por pa arritur të më bindte.

Rrekej të sqaronte gjithçka me anë të rastësive, ndërsa unë – faktin që qielli qëndronte pa shtylla mbështetëse në sajë të fuqive të barasvlershme tërheqëse dhe shtytëse të yjeve të pafund në universin e pafund, e lidhja me krijimin nga një Fuqie Absolute. Rastësia kurrë nuk do të mund të shfaqte një vepër kaq madhështore.

Pas çdo seance leksioni me profesorin, mendja ime e gjorë shndërrohej në një lëmsh të vërtetë. Mendoja për ju. Babait kur nuk i ecnim punët mirë, gjithmonë thoshte “Aman, o Zot”. Nuk mund ta di në ç’turbulli ndjenjash e thoshte këtë, me dijeni apo jo? Por kishte diçka që e dija mirë dhe e ndjeja qartë tek ju, që, gjithsesi, ndjenit nevojën në besimin e ekzistencës së një Krijuesi dhe, megjithë të ardhurat e shumta materiale që dispononit, e dinit mirë se paraja nuk zgjidhte gjithçka. Por, prapëseprapë, kurrë nuk patët vullnet për të adhuruar atë Krijues që nuk mundnit dot ta mohonit.

Profesori më tregoi rreth teorisë së Big Bangut, rreth shpërthimit

të madh, për të më ndriçuar më shumë shkencërisht. Më tha se gjithçka në univers u formua prej shpërthimit të atij burimi të vogël energjie dhe se ky shpërthim vazhdonte ende sot e kësaj dite duke mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të universit. Mirë de, këtë gjë që shpërtheu, bërthamën apo lëndën e saj, kush e krijoi?

Megjithëse përgjigja e vetme e pyetjeve të mia ishte e qartë si dita për ekzistencën e një Krijuesi, ai mundohej ta fshihte qëllimisht.

Ajo që kuptoja ishte se unë duhej të edukohesha modernist dhe ateist në kuadër të ideologjisë pozitiviste.

Dhe ende nuk e kam kuptuar idenë e dhënies një shuk me para për t’u edukuar i tillë.

Dhe përgjigjet e atyre pyetjeve ua tregoja ujërave të kaltër e të freskët të Bosforit, e, megjithëse e dija mirë se nuk më dëgjonin e më kuptonin, dhe, edhe në më dëgjonin e kuptonin, nuk do të mund të më përgjigjeshin dot.

Sepse këto ujëra më dëgjonin me vëmendje dhe nuk kisha tjetër mik veç tyre.

Isha tërësisht njeri i vetmuar.

Ju madje as më treguat burimin e vërtetë që duhet të besoja e të mbështetesha.

***

Kalova njëherë ndërmend opinionin që kisha për ju dhe arrita në konkluzionin se po bëhesha i padrejtë. Jo, jo. Ju sigurisht që donit një edukim të mirë për mua. Madje mobilizuat të gjitha mundësitë materiale për ta arritur diçka të tillë.

Sigurisht që më donit. Veçse nuk kishit kohë ose nuk e shikonit të arsyeshme ta tregonit atë dashuri. Ndërsa unë doja ta ndjeja se më donit.

Sërish, kur fillova studimet në kolegj, më siguruat profesorin më

të mirë për të më shpjeguar Frojdin, vetëm e vetëm që të ruhesha nga e keqja e “fesë”, e cila ishte sipas jush opium.

Çuditërisht, fillimisht mësova se edhe Frojdi, ashtu si dhe Darvini, ishte hebré. Për më tepër, një hebré i ndikuar prej tij. Darvini në përgjithësi ishte marrë me studimin e anës materiale të njeriut, me mishin e me kockën, ndërsa Frojdi me shpirtin.

Darvini nuk e mohonte ekzistencën e materies, s’mundej, por arsyen e ekzistencës e kishte kërkuar në shtigje të gabuara duke na bërë mendjet livadh.

Për Frojdin kishte më shumë arsye për të lajthitur, pasi njohuritë rreth “Shpirtit” ishin vërtet të pakta.

“Shpirti është pjesë e trupit”, thoshte ai.

Të gjitha këto dije i thoshte profesori im i specializuar në këtë fushë.

Unë nuk kisha asnjë lloj njohurie rreth Islamit, Krishtërimit e në veçanti Hebraizmit. E megjithëkëtë, e dija mjaft mirë se grupimi më fetar ishin hebrenjtë dhe nuk e kuptoja faktin se si Frojdi me Darvinin kishin qenë të tillë.

Një ditë pyeta profesorin:

Përderisa sipas Frojdit shpirti është pjesë e trupit, në rast se trupi vdes, edhe shpirti vdiska atëherë.

Profesori nuk e priste një pyetje të tillë prej meje, qeshi tinëzisht dhe m’u përgjigj:

Sigurisht! Me vdekjen e trupit, vdes edhe shpirti.

Kuptimi i kësaj ishte mosekzistenca e një bote tjetër, asaj të llogaridhënies.

Po mirë, profesor, - i thashë, - nëse shpirti qenka pjesë dhe funksion i trupit tonë, në cilin vend të tijin ndodhet?

Nuk më ktheu përgjigje menjëherë. U mendua thellë. Jam i sigurt se mendonte porsi një shahist i mirë lëvizjen time pasardhëse.

Teksa mendohej, e shtjellova edhe më tej pyetjen:

Domethënë, në ç’vend të trupit ndodhet shpirti?

Kudo, - m’u përgjigj.

Po nëse në një aksident hekurudhor, njeriu humbet gjysmën e trupit, i humbet edhe gjysma e shpirtit, apo jo?

Pyetje idiote dhe e padëgjuar më parë, - më tha, ndërkohë që zilja e telefonit dhe domosdoshmëria për t’u përgjigjur në telefon e shpëtoi nga pyetja ime.

Po, nënë e dashur. Në fakt, do të ishte gënjeshtër nëse mohoj kontributin e profesorit përsa i përket zgjerimit të vizionit dhe zhvillimit të dialektikës. Por profesori kishte edhe një pretendim si njohës i mirë i psikanalizës dhe për këtë arsye, edhe admirues i madh i Frojdit, një pretendim që kurrë s’munda ta harroj dhe turpërohesha sa herë ju shikoja në fytyrë:

Profesori shpeshherë citonte Frojdin në fjalët e tij.

Gjithmonë koka më bëhej dhallë, mos isha vallë siç thoshte Frojdi dhe profesori im?

Përse jeta ime duhej t’u përshtatej thënieve të Darvinit dhe Frojdit?