BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
MË...
Dhe kujtoj fëmijërinë time. Ishe një grua shumë e bukur, nënë. Në fakt, babai të pati zgjedhur se ishe zgjedhur “vajza më e bukur e shkollës”. Edhe im atë ishte “më” i pasuri i rrethit të tij. Martesa juaj, përtej bashkimit të një mashkulli dhe një femre, ishte bashkimi i “më...”-ve. Nisur nga kjo logjikë, edhe nga unë pritët që të isha gjithmonë “më...”.
Sa herë që shikoheshe në pasqyrë, krenoheshe se ishe si një “fotomodele”. Për këtë arsye gjithmonë talleshe me gratë e tjera dhe i përgojoje;
Për fqinjën tonë të pushimeve verore, Safijen, thoje se ishte “si thes patatesh”; ndërsa për kunatën tënde, përdorje termin “gjë e shkurtër”.
Por ajo kunata që ti talleshe, domethënë halla ime, i mëkoi me qumësht fëmijët e saj. Larg brengës se i prishej gjoksi, i dha të pijë fëmijës mëshirë pika-pika.
Ti kurrë nuk më mëkove me qumësht.
Sepse “trupi yt më i...” mbetej pa “më...”, ngeleshe thjesht e bukur. Këtë rrezik nuk e merrje dot parasysh, qoftë edhe për mua.
Po, edhe unë isha i detyruar të isha “më...”. Fëmija më i bukur. Fëmija më i pastër. Edhe urina ime madje, nuk duhej t’i ngjante urinës së fëmijëve të tjerë. Nuk duhej të kundërmonte si urina e të tjerëve, por duhej të kishte aromë të mirë si një zambak, si një parfum. Por nuk ia arrite dot, nënë. Ç’t’i bësh, edhe unë si të të tjerëve e kisha.
Ju duhej të jepnit imazhin e familjes më të lumtur. Duke qenë
se kjo nuk ishte dot e mundur, ju nevojitej të luanit rolin si të tillë.
Nënë, ti këtë rol e luajte mjaft mirë. Herë-herë, edhe unë madje e besoja se ne ishim një familje e lumtur.
Por babai nuk e kishte mësuar mirë përmendësh rolin e tij. Gjestet dhe mimika e tij tregonin se ai nuk ishte i lumtur. Unë isha heroi i vogël i lojës, madje jo heroi, figuranti i kësaj loje. Edhe nëse e kisha rolin të tillë, në çastet kur ju dukeshit të lumtur, edhe unë bëhesha i tillë.
Kur begenisnit të më merrni me vete në mbledhjet tuaja, thjesht për të treguar se kishit një fëmijë, apo një fëmijë të shëndetshëm, ndërsa aty për aty i drejtoheshit njëri-tjetrit me komplimentet “shpirt, zemër, e dashur”, mërzitesha shumë që në shtëpi nuk denjonit të thoshit asnjërin syresh.
Duartrokas me të madhe suksesin tuaj për të dhënë te të tjerët imazhin e familjes së lumtur. Roli nuk mund të interpretohej më bukur se kaq.
Po, përderisa isha fëmija juaj, duhej të isha fëmija më i lumtur. Ishit aq të pasur, saqë mendonit se lumturia mund të blihej me para. Sipas jush, rruga që të çonte drejt lumturisë ishte të mateshe me të tjerët, t’i kaloje ata, t’i shtypje dhe të vërtetonit sa të fuqishëm ishit ju dhe sa e dobët ishte pala tjetër.
Shtëpia verore më e bukur duhej të ishte juaja.
Pushimet më të bukura i kalonit vetëm ju.
Në viset më të largëta udhëtonit vetëm ju.
Vlera e makinës tuaj dhe si rrjedhim edhe veçoritë e saj i linin pas të gjitha.
Ju kishit rrethin e njohjeve më të gjera.
Limiti i kartës suaj të kreditit ishte më i larti.
Atëherë e ndjeja se ju nuk mund të ishit të lumtur pa qenë “më...”.
Fëmija juaj duhej të ishte ndryshe. Ai duhej të luante me lodrat më të bukura.
Tani ju kujtoj tëpkë si ai mbreti egoist, kur do të vishnit ndonjë rrobë që nuk e kishte askush të ngjashmen, e kërcënonit stilisten që të mos ia bënte tjetërkujt atë model.
Kur vinin nga jashtë vetëm pesë kapele, më vjen turp për ty nënë kur mendoj se ti i blije të pesta ato që askush tjetër të mos kishte kapele si e imja.
Po me këtë logjikë ju keni zgjedhur edhe lodrat e mia. Të gjitha lodrat i kam patur me bateri, elektronike dhe me ekran. Në vend që të hiqja stresin, shtoja stresin me ato lodra. Videogame-i për herë të parë hyri në shtëpinë tonë. Sepse ato ditë ajo ishte “më” e re dhe “më” e paarritshme.
Më pas, më prezantuat me kompjuterin. Dhe e shqiptonit në versionin anglisht “kompjuutë”, për ta treguar sa më të paarritshëm.
Ndërgjegjen e kishit të qetë. Lodrat që më kishit sjellë kishin veçoritë që mund të mbushnin plotësisht kohën time. Ndërsa ju e tregonit këtë gjithandej, pretendonit se unë isha i lumtur. Sipas jush, duhej të isha i lumtur me kompjuterin tim pasi ai ishte teknologjia më e re, më e bukur dhe më e shtrenjta.
Pastaj, ende pa hedhur mirë hapat drejt rinisë, më prezantuat me internetin. Sepse do të krenoheshit edhe me të.
Teksa babai kalonte kohën nëpër kazino duke pirë dhe ti vrisje kohën nëpër tryezat e pokerit, unë zbuloja misteret më të fshehta të internetit duke lundruar nëpër zona të cilat do të hapnin plagë të pariparueshme në trurin tim të freskët.
Në vend që mungesën e vëllait dhe të motrës të ma plotësonit me ndonjë shok, më krijuat mundësinë që ngushëllimin ta gjeja në ekranin e ftohtë të një aparati elektronik.
“Djali ynë është më i lumturi”, thoshit kudo duke u krenuar, sepse unë kisha lodrat që nuk i kishte askush ato kohë.
Kompjuteri i jepte gjithçka djalit tuaj. Edhe lumturinë madje.
Por harruat këtë: kompjuteri nuk më përkëdhelte kokën, nënë. Nuk më thoshte as “shpirti i mamit”.