BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

TË ARDHME PA OBJEKTIVA

S’dua t’ju akuzoj më shumë, nënë. Ndoshta po të shikosh nga këndvështrimi juaj, shumë gjëra që shikoj unë nuk duken. Duke qenë se puna ime e vetme, natë e ditë, ishte vetëm të mendoja për veten dhe për ju, shkurtimisht, për një rreth familjar prej tre personash, u mundova ta shikoja çështjen edhe nga këndvështrimi juaj. Në fakt, ky këndvështrim është një mënyrë tjetër e thënieve që ju kanë shpëtuar ose që i keni thënë për t’u mburrur.

“E ç’mund të bënim më tepër ne për djalin tonë? Qyshkur ka qenë i vogël, ia kemi plotësuar të gjitha dëshirat. Gjithçka që ai e hidhte, kudo dhe kurdo kishte shërbëtorë në shtëpi që e vendosnin në vendin e vet. Kur hiqte rrobat, nuk kishte nevojë t’i varte në dollap apo diku tjetër, pasi ishin shërbëtorët që i merrnin dhe i vendosnin në vendin e duhur.”

Thoni tërësisht të vërtetën, baba. Ju falenderoj. Por duke u nisur nga logjika “Më mirë mësoji dikujt peshkimin sesa t’i dhurosh çdo ditë nga një peshk”, më mirë të kisha patur dikë që të më mësonte, tregonte dhe shpjegonte sesi vareshin rrobat në dollap. Sikur ta kisha kuptuar paksa jetën! Kjo është çështje këndvështrimi, baba. Ju e kryet detyrën tuaj, por kështu duhej kryer vallë?

Thoshit gjithmonë:

“Kishte në xhep më shumë para se të gjithë shokët e tij të marrë së bashku.”

Shumë e vërtetë. Shumë e drejtë. Sikur të dal tani e të them se ndodhem në këtë gjendje të mërzitur se më kanë munguar të hollat, do të thosha një gënjeshtër të madhe. Madje jeni ju që gënjeni në shifrën që përmendni. Nëse do të marrim për bazë mesataren në shkallë vendi, unë harxhoja në ditë pothuajse sa njëqind bashkëmoshatarë të mi.

Por a e di se ç’ndodhi vallë, nënë? Këto para nuk më siguruan as mik e as shok. Më rrethuan vetëm fëmijë servilë. Fëmijë që mundoheshin vetëm të përfitonin nga pasuria ime dhe asnjëherë s’munda t’i ndaj dot miqtë e mi nga servilët.

Më dukej vetja si në ata filmat ku vajzat martoheshin me djemtë e rinj vetëm se ishte i pasur.

Isha si kasafortë parash për shokët e mi. Gjithmonë përbrenda më ziente një pikëpyetje, një dyshim:

Nëse s’do të isha kaq pasur, sa prej këtyre që i kam me shumicë përreth do të rrinin akoma me mua?

Një ditë, një fëmijë që rrinte me ne, më pati thënë:

Je shumë agresiv. Po të mos harxhosh për ne një mal me para, nuk durohesh.

U mendova për ditë të tëra. Kishte plotësisht të drejtë.

Nëse shkonim në kinema me paratë e mia, unë do të ulesha gjithmonë në vendin më të mirë të mbetur të lirë. Nëse do të takoheshim me një grup vajzash, unë flisja me më të bukurën. Kushdo që më dilte kundër, e shpallja të padëshirueshëm dhe e postoja nga grupi. Në ditët që s’e kam ditur se paraja ishte zotëri i keq dhe shërbyes i mirë, kam thyer zemrat e dhjetëra njerëzve.

Trashësia e parave në xhepin tim mbulonte shëmtinë e agresivitetit tim dhe për të mos dalë në pah egërsia ime kur gjendesha pa të holla.

Më kot kisha menduar dhe besuar se gjithmonë të tjerët janë të detyruar të bëjnë diçka për mua.

Për çdo gjë që bëja e thosha, askush s’më kritikonte nga frika se mos largohesha prej tyre, domethënë rrinin pa para. Dhe kjo më kishte bërë arrogant dhe më bënte të pandehja se gjithçka bëja e flisja ishte e drejtë.

Paratë e tepërta e kishin fshirë nga fjalori im konceptet mirësi dhe sakrificë. Sa herë që me shokët shëtisnim ditëve të nxehta të verës dhe gjenim ndonjë çezmë, të gjithë më lejonin mua të pija i pari dhe unë asnjëherë nuk tregova atë sakrificë prej vonese gjysmë minute që shokët të pinin ujë para meje.

Por ju gjithmonë pandehnit se e kishit kryer më së miri detyrën tuaj. Duke më dhënë me shumicë armën më të fortë të shekullit, paratë, më mundësuat të jem gjithmonë në “pushtet” dhe të “sundoj”.

Por ishit ju ata që sundonit vazhdimisht, pasi ishit ju që e fitonit paranë. Përderisa e fitonit ju, edhe e drejta për të sunduar ishte juaja. Kënaqësia e të sunduarit me paratë e tjetërkujt kishte vlerën e zeros në të majtë të një shifre krahasimisht me kënaqësinë e një të varfri që shet tërë ditën simite dhe dërgon në darkë një kilogramë mollë në shtëpi.

Përballja e çdo nevoje në mënyrë të përkryer nga ana juaj, më bëri të kem të ardhme pa objektiva. Gjithmonë mbeta në statusin e ngrënësit dhe të konsumuesit. Teksa im atë mburrej se “Kam pasuri për shtatë breza”, unë mbetesha pa objektiva në jetë. Gjithmonë theksohej se ishte e kotë të punoja dhe se e kisha të siguruar jetesën edhe sikur të rrija shtrirë gjithë jetën.

Ju jam mirënjohës që keni menduar për të ardhmen time duke më siguruar të ardhura për gjithë jetën, por mërzitem se më detyruat drejt një të ardhmeje pa objektiva.

Me dhjetëra herë pata dëgjuar prej jush se më patët krijuar të gjitha kushtet e komoditetet.

Dhe kjo ma vrau tërësisht “dëshirën”, dëshirën për të patur diçka, lumturinë e të ëndërruarit “sikur ta kem edhe këtë!”.

Gjithmonë ishit në krahun tim në rast prapësish dhe e di mirë se ishit si një rrufepritës për mua ndaj rreziqeve.

Sa mirë!

Dëmin që shkaktova në marketin që pata hyrë me motoçikletën

e një mikut tim e paguat pa problem fare. Ajo ngjarje më pati vërtetuar realitetin se kisha të drejtën të bëja çdolloj dëmi pa u shqetësuar asfare, pasi ajo medoemos do të paguhej prej prindërve. Nuk kishte nevojë as të mërzitesha. Si djalë i pasur që isha, si djali juaj që isha, nuk duhet ta mësoja fjalën “mos u mërzit.”

Një ditë, kur godita me grushta një polic në dalje të një diskoje pasi kishte kërkuar të më kontrollonte, pasuria dhe emri juaj kishin mjaftuar për ta mbyllur çështjen. Sipas jush, kjo ishte një ndër të mirat që më bënit dhe shembulli më i qartë i të qenit “rrufepritës” për mua.

Por nga ana tjetër, veprimet tuaja jepnin mesazhin: “Mos ndiq asnjë rregull, nuk je i detyruar të zbatosh urdhrat e ndonjë polici.” Dhe unë ashtu veprova.

Mora kokainë vetëm për të thyer rregullat dhe ligjet dhe për të vërtetuar se policia s’kishte ç’të më bënte.

E bëtë shumë mirë që m’u bëtë rrufepritës. Nën ombrellën tuaj shijova të gjitha llojet e shkeljeve ligjore dhe të qenit problematik për shoqërinë.

Qysh prej fëmijërisë sime, kam patur gjithçka kam dashur, kam marrë gjithçka kam dashur, kam shijuar gjithçka kam dashur.

Me këdo që jam grindur, me këdo që kam debatuar, gjithmonë ju kam ndjerë juve pas krahëve. Shpeshherë, ata që kisha përballë tërhiqeshin pa bërë zë ndaj gabimeve të mia duke njohur mirë forcën tuaj.

Dhe në sajën tuaj, kam jetuar duke i ditur si të drejta të gjitha gabimet e mia.

Gjithçka që thosha e bëja ishte e mrekullueshme. Unë s’mund të kritikohesha.

Dhe ç’është më e rëndësishme nga të gjitha, u munduat të mendonit në vendin tim dhe të jepnit gjithmonë vendimin se ç’duhej bërë. Dhe këtë e keni shprehur në çdo situatë.

Pas gjithë kësaj të mire që bënit, a nuk menduat vallë se djali juaj mbartte një kokë mbi supe, të mirë a të keqe, që kishte funksionin e të menduarit dhe marrjes së vendimeve?

Duke qenë se ishit ju ata që mendonit gjithmonë në vendin tim, aftësia ime e gjykimit linte vërtet për të dëshiruar.

Gjithmonë ju kam kërkuar t’ju kem pranë edhe kur merrja vendime për gjërat më elementare.

Dhe unë jam mërzitur së tepërmi nga mburrja juaj e vazhdueshme për këtë interesim të pazakontë rreth meje.

Gjakoja të ndjeja paksa mallin për të patur diçka.

Ju lutem, dua të njoh ç’do të thotë të kesh, të njohësh dhe sa e rëndësishme mund të jetë diçka!

Ma hiqni ombrellën me të cilën më mbuloni! Sigurisht që do të shkelja më pak ligjin po të mos kisha kaq siguri prej jush.