BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

VËLLAI OSE MOTRA IME

Po mendoj për ty, nënë. Për ty dhe babanë. Po mendoj për familjen tonë, nënë. Këdo që të pyesni se çfarë i vjen në mendje kur thuhet “Nënë”, do të thotë “Mëshirë, dhembshuri, sakrificë”. Por në mendjen time, si pasojë e atyre që më keni shpjeguar ju, më vjen ndërmend “mosmëshira, mosdhembshuria dhe një egoizëm në përmasa të frikshme”.

Tani më duket sikur po më qorton ashtu siç bëje kur isha i vogël, “Nga i nxjerr këto gjëra, kush t’i ka mësuar?” Mos më bërtit, nënë! Sepse nuk kam më frikë prej teje dhe, për më tepër, nuk e shikoj më botën me syzet e tua dhe të babait.

Unë nuk kam një vëlla, nënë. As motër. Pandeh se unë nuk e di përse “nuk ka”? Kur kam qenë i vogël, kujton se nuk i kuptoja gjërat që thoje, ose edhe nëse i kisha kuptuar, do t’i kem harruar. Gabohesh, nënë. Gabohesh rëndë, madje.

Mbaj mend se po bisedoje me babain. Ndoshta kujtonit se unë nuk ju kuptoja, ose edhe nëse kuptoja, do t’i kisha harruar në të ardhmen gjërat për të cilat po bisedonit. Ndërkohë që ato fjalë janë ngulitur aq thellë në kujtesën time, saqë kujtimet e mëpasshme as nuk i kanë fshirë e as nuk kanë arritur t’i mbulojnë dot.

Në vitin e parë të martesës kishe mbetur shtatzënë. Por atë verë kishit planifikuar t’i kalonit pushimet në ishujt Kanarie. U menduat gjatë e gjerë. Më në fund, babai të kishte thënë: “Në të ardhmen mund të kemi përsëri fëmijë, por muajin e mjaltit s’kemi mundësi më ta kemi. Mos u mërzit shpirt, bëjmë abort.” Edhe pse në fillim kishe kundërshtuar, më pas shkove me vrap në klinikën e gjinekologut. Për të vrarë vëllanë ose motrën time.

Pastaj kaluat pushime përrallore në ishujt Kanarie. Nuk e di në dëgjuat cicërimën e kanarinës atje në ishujt Kanarie, por vëllai apo motra ime, të cilit/ës ia mohuat jetën, nuk pati rastin as të dëgjonte cicërimë kanarine e as të shohë puplat e verdha të saj.

Nuk e di nëse kjo ngjarje ju ka hidhëruar, por mua më ka plagosur thellë.

Pas këtij pohimi tuajin, gjithmonë kam menduar mundësinë se fëmija i abortuar mund të kisha qenë unë. Gjithmonë kam patur ndjesinë se e kam rrëzuar atë nga froni dhe jam ulur në vend të tij. Ndërsa juve, edhe nëse nuk ju shikoj aq kriminelë sa të vrisni një foshnjë pa ju dridhur qerpiku, ju kam konsideruar si persona që s’puqeni kurrë me dhembshurinë.

Më fal, nënë, ndoshta kam gabuar që i shoh gjërat me këtë sy. Por mundohuni të më kuptoni. Duke parë gjithë këto bukuri, do dëshiroja të kisha një vëlla ose motër me të cilin t’i ndaja. Nëse do të dëshironit, unë mund të kisha tani një motër apo vëlla. Në një bisedë tuajën, pata dëgjuar teksa thoshit plot lakmi se “Familjet pa fëmijë ndoshta mërziten se nuk kanë fëmijë, por në të vërtetë ata janë shumë të lirë dhe të pavarur. Madje edhe nëse ngjiten në pemë, nuk u mbeten këpucët poshtë në tokë”, duke më konsideruar si një barrë, si një pengesë dhe nuk patët llogaritur se unë do të isha këpuca që mbetesha në tokë në rast se ngjiteshit në pemë.

Po vështroj ujin e freskët dhe të kaltër të Bosforit, nënë.

Dhe uji i kaltër e i freskët i Bosforit reciton me një zë të pikëlluar poezinë e motrës apo të vëllait tim.