BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
TURBULLIRA E EKRANIT
Im atë tregonte vëmendjen e duhur për të treguar atësinë e tij. Mes gjithë miqve dhe kushërinjve të mi, unë isha i pari që u njoha me DVD-në. Më sillte me anë të internetit DVD të ndryshme nga Amerika, Gjermania e Hollanda. Disa prej tyre ishin filma multiplikativë e disa të tjerë filma normalë për moshën time. Më bleu edhe CD Player për të dëgjuar muzikë në cilësi të mirë.
Më ofroi mundësi të pakufizueshme interneti.
Këto sigurisht që ishin lodra të këndshme për mua, por, fundja, më kaluan vite të tëra si i ngujuar mes katër muresh dhe trupi im ishte i lidhur me kolltukun me fije të padukshme. Sytë m’u prishën, por ç’është më e rëndësishmja, tani që po vështroj ujin e kaltër e të freskët, dalloj qartë se ma ka mbushur trurin me GB të tëra njohurish të pavlera.
Duke qenë i ingranuar tërësisht me një botë irreale të ekranit, marrëdhëniet e mia me botën, me të afërmit dhe me natyrën, njihnin nivelin më të ulët.
Kur shkova në shkollë, duke qenë se isha mësuar të vizatoja në programin paint në kompjuter dhe me një komandë ngjyrosej e tërë figura, isha i fundit nga nxënësit që mësova të vizatoja e të mbaja lapsin.
Kur ngjyrosa njëherë me të gjelbër një lopë në orën e vizatimit, mësuesi më pati pyetur në kisha parë ndonjëherë lopë të gjelbër.
Unë jo të gjelbër, por s’kisha parë kurrë më parë ndonjë lopë. Më kishte kaluar një fëmijëri, madje një rini para ekranit.
Duke qenë se gjithmonë kam pritur që vajzat të dashuroheshin marrëzisht pas meje, ashtu si nëpër filma, për një kohë të gjatë nuk pata arritur të krijoj dialog normal me vajzat dhe më duhet të pranoj se më ka hapur plagë të thella gjatë paqëndrueshmërisë së rinisë sime.
Të dashurat që ëndërroja unë, ishin jashtëzakonisht të bukura si ato që shikoja në filma. Dhe prita më kot si ajo mjerania që pret princin e saj të ëndrrave hipur mbi kalë të bardhë.
Tek çdo vajzë shikoja mangësi.
Kur i thashë një vajze të bukur nga çdo anë: “Sikur t’i kishe veshët pak më të vegjël!”, i mbeti qejfi dhe ma ktheu: “Edhe ajo hunda jote mund të kishte një formë më për të qenë!”
Më kishit edukuar aq mendjemadh, saqë kurrë s’e kisha menduar se mund të kisha ndonjë mangësi në vetvete. Pastaj kur pashë veten para pasqyrës, dallova se nuk isha aq simpatik sa ata djemtë nëpër ato telenovelat rozë të ekranit.
Ekrani i bardhë më kishte larguar nga realiteti.
Ekrani që ju pandehnit se ishte një mjet i mrekullueshëm për të kaluar kohën, nuk e dini sa plagë të thella më hapi në trurin tim vogëlak, ndërsa unë, për një kohë të gjatë nuk e dallova dot diç të tillë.
Ekrani ishte një mjet i mirë argëtimi e kalimi kohe që ju më kishit ofruar për t’u ndjerë të qetë kur ti ikje nga shtëpie dhe babai dilte për shëtitje pune. Ju përbrenda ndiheshin të qetë. Sipas jush, biri juaj kishte mundësi që të gjithë fëmijët e tjerë ia kishin zili dhe nuk mund t’i kishin dot.
Librat që më ofruat për të lexuar, madje më detyruat t’i lexoj, ishin të gjithë të huaj. Nuk arrita dot ta gjeja veten në romanët anglezë e as në novelat rozë italiane. Mendova si ata, ndjeva ato që ndjenin ata. Ashtu siç dalin deformime kur ushqimit të qenit i hedh bar dhe atij të pulës mish e kocka, edhe unë përjetoja pështjellime. Përjetoja pështjellim përshtatjeje. Rrethi im ishte turk dhe mysliman, ndërsa ata ishin të huaj dhe u përkisnin feve të ndryshme.
Majaja nuk zuri. Vaksinimi nuk funksionoi.
Unë dola si një krijesë me tjetër shpirt, tjetër ndjenja, të tjera qëllime e ideale.
E për të mos mbetur i prapambetur, vendosët shtatë pengesa magnetike mes meje dhe Islamit.
Nuk mund ta harroj ditën kur thashë “Bismilah” para ngrënies. “Mos ke marrë mësim prej hoxhës?” më qortove menjëherë.
Ndërkohë që atë s’e kisha mësuar prej ndonjë hoxhe, por prej një filmi vendas. Në fakt, me sa kisha mësuar prej filmave, megjithëse jo aq sa një prift, mund të kryeja një rit kristian, mund të lutesha si ata para ushqimit dhe të thoja në fund të lutjes “Amen”.
Në të gjithë filmat që më kishit dhënë dhe ofruar, zinin vend të madh si ritet hebreje, ashtu edhe besimi i krishterë.
I dija mjaft mirë se çfarë fjalësh thuheshin në kishë, si dhe çfarë ritesh kryheshin në varrimin e një të krishteri.
Por duke qenë se nuk pata shkuar asnjëherë për t’u falur në xhami, qoftë edhe për bajram, nuk kisha asnjë njohuri rreth faljes që është kusht për myslimanët.
Mos e dhëntë Zoti nënë, por nëse do vdisje ti apo im atë, dije se nuk kam asnjë njohuri për t’u falur në xhenazen tuaj.
Dhe unë, gjëra të çuditshme mendoj, apo jo? Ndoshta ju, po po, ndoshta ju nuk do të donit t’ju falej xhenazja, por duke e parë si adet, nuk do ta kundërshtonit. Mjafton që të duartrokisnin shumë, pjesëmarrësit në varrimin tuaj të ishin prestigjiozë, ministra, deputetë, biznesmenë, artistë, etj. Edhe ceremonia e fundit e jetës suaj madhështore duhej të ishte e tillë, madhështore, e njëjtë me stilin tuaj të jetës.
***
Mendoj se shqetësoheni se kush m’i ka injektuar këto mendime, ku i gjej këto fjalë për t’ju kritikuar, pse flas aq shpesh rreth ndjenjave fetare?
Gjithçka kthehet në origjinë. Kur bisedonit rreth tim gjyshi, thoshit gjithmonë:
“Ishte injorant. Ishte analfabet. Vetëm falej dhe besonte se një ditë do të jepte llogarinë e punëve që kryente në botë. Mjaftohej me pak dhe u largohej harameve”, shtonit pastaj si me pak dhimbsuri. Më duket se dhe unë atij i ngjakam. Një zë i brendshëm më fton të falem.
Më duket sikur e shoh atë që i frigoheni aq shumë.
Sikur ta dinit se kam pirë alkool apo kam marrë kokainë, nuk do mërziteshit aq shumë. Po, edhe ato i kam provuar falë jush. Dashuria, dhembshuria dhe afrimiteti juaj nuk arriti kurrë ta mbushte zbrazëtinë e shpirtit tim dhe i provova lëndët narkotike për të shijuar ato kënaqësi që s’kisha mundur t’i ndjeja. Por e pashë mirë pafuqinë e tyre. Dhe kërkimet më dërguan deri tek besimi në Zot.
E di se të shkosh drejt humnerës apo drejt besimit në Zot nuk ka ndonjë ndryshim për ju, po ç’t’i bësh, ky është realiteti.