BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
TË LINDËSH NË BOTË MË TË BUKURA
Kur shkoja të vështroja ujin e kaltër e të ftohtë, ato netë frikohesha shumë nga vdekja dhe ndjeja pëshpëritjen e zemrës: “Unë nuk rrah më.”
Një dorë e padukshme kishte shkruar me gërma të mëdha mbi tavanin e dhomës sime që është si jeta ime, e plogësht, pa probleme e entuziazëm:
“Ataku kardiak po vërehet edhe tek njëzet vjeçarët.” Mos vallë isha edhe unë kandidat për atak kardiak?
Vrapoj menjëherë tek biblioteka madhështore që babai kishte krijuar në shtëpi vetëm për t’u mburrur karshi të tjerëve dhe nis të shfletoj enciklopeditë mjekësore.
Fillimisht zbuloj një sëmundje që quhet aritmi. Ndjej se në zemër kam çrregullim të rrahjeve të zemrës. Pastaj ndjej një therje në zemër. Enciklopedia këtë e quan anzhina pektoris. Pastaj analizoj shkaqet që lidhen me atakun kardiak dhe mënyrën sesi vjen ai. Shikoj se ka lidhje me tensionin. Pastaj vrapoj dhe mas tensionin me sfigmomanometrin që babi mban në shtëpi. Të madhin e kam 13, të voglin 8. Gëzohem se e kam normal.
Rrahjet e zemrës më duket sikur ishin hapat e atakut kardiak. Më duket sikur vdekja ndodhet pas derës së drunjtë dy metra përballë meje.
Dua të paqtohem me Krijuesin. E kërkoj.
Më kujtohet profesori im personal që e mbante veten filozofin e shekullit. “Kërko nga Zoti një laps”, më pati thënë. Pasi këmbënguli nja dy-tri herë, i detyruar, iu luta: “Më jep një laps, o Zot!”
Nuk m’u dha laps.
Tani kërko laps prej meje, - më tha, dhe unë kërkova laps prej tij. Menjëherë nxori një laps nga xhepi i majtë i brendshëm dhe ma dha.
Dhe duke qeshur tinëzisht në atë lojën që ateistët e kishin zbatuar prej vitesh, më tha:
Po të kishte Zot, do të të jepte laps.
Ndërsa unë nuk u dorëzova menjëherë:
Profesor, ekzistenca mos është gjë e lidhur me dhënien?
Sigurisht. Ai që ekziston, jep.
Atëherë më jep një zemër profesor, ta kem rezervë. Po u prish kjo që kam, po e ndryshoj me atë, - i pata thënë.
S’mundi të ma jepte. Pastaj më tha:
Pa ma trego atëherë Zotin!
S’munda t’ia tregoja.
Çdo gjë që s’duket, nuk ekziston? – e pyeta.
Që s’duket e s’tregohet, - m’u gjegj.
Nxora një trëndafil nga tufa që ndodhej mbi tryezë dhe ia zgjata:
Si e kanë aromën?
Të mrekullueshme, - më tha.
A ma tregon dhe mua atë aromë të mrekullueshme? – e pyeta.
S’mundi të ma tregonte.
Tashmë, netëve grindem me errësirën dhe jam në kërkim të “Zotit” që nuk denjuat të ma mësonit ose ndoshta s’e besonit as vetë.
Nuk kishte shumë distancë mes meje dhe vdekjes. Këtë e ndjeja me gjithë qenien time. Sidomos pasi kisha shfletuar enciklopedinë mjekësore dhe kisha mësuar shenjat dhe efektet e zinxhirit të sëmundjeve që i ngjasonin njëra-tjetrës, e kisha kuptuar më së miri se ndodhesha buzë vdekjes.
Si dhe kush mund të më jepte garanci se nuk mund të përplasja kokën diku apo të kaloja hemorragji cerebrale?
Vdekja ishte një temë që s’përflitej aspak në shtëpinë tonë. Nëna dukej plot jetë me bukurinë dhe rininë që i jepte makiazhi i përditshëm, ndërsa babai shtynte ditët me ngushëllimin se me fuqinë e pasurisë që zotëronte mund të zgjidhte çdo çështje deri edhe ato shëndetësore, madje pretendonte se mund të pengonte edhe pleqërinë. Dhe sipas tyre, unë, si një i ri që s’duhet t’i mendoja assesi të tilla gjëra, helmoja jetën time nën të tilla ide koti.
Dhe një ditë teksa ecja pranë Topkapisë, syri më zë dy vargje të shkruar me të kuqe në një karrocë të verdhë të një shitësi ambulant simitesh. Këto vargje e ndiznin më shumë atë frikën time për vdekjen dhe u drejtoheshin atyre që vdekja u dukej e paarritshme sikurse mali Kaf.
I famshëm je, i pasur je, nam ke kudo
A je menduar ndonjëherë sa ditë të kanë mbetur në jetë?
E lexova dhe shtanga. Sa e çuditshme të mos dish edhe sa ditë të kanë mbetur në jetë!
Më pas vura re se shitësi ambulant po më vështronte me shikim kureshtar për të mësuar arsyen e shtangies sime.
Të pëlqyen mesa duket vargjet!
Më pëlqyen, - ia ktheva.
Ngriti kapelën deri në mesin e kokës ku mbi mishin e panxirë prej diellit u dukën flokët e thinjur të djersitur që s’kishin parë berber prej kohësh.
Dje gjeta edhe një fjalë të bukur. Po ma mundësoi Zoti, do ta shkruaj e do e var nesër. Më ngjalli kureshtjen.
E si ishte?
Fshiu djersën me shaminë katrore me kuadrate dhe më tha:
Rrëshqas mbi akuj e numëroj ditët e mbetura, diçka e tillë.
Sërish e kishte shprehur bukur.
Do ta sjellësh nesër?
Po ma mundësoi Zoti, nëse s’vdes e sjell.
Ky burrë me duart tërë kallo, frikohej për të përtejmen dhe e dinte mirë se s’kishte kurrfarë garancie në do të jetonte të nesërmen.
Për gjithçka thua po ma mundësoi Zoti. Nëse të pyes për orën, edhe për atë do të më thuash “Po ma mundësoi Zoti”?
Shitësi e hoqi fare kapelën. Binte në sy pjesa e sipërme e kokës flokëpakë dhe e bardhë, duke bërë kontrast me ballin e nxirë.
Kështu jemi ne, nipçe. Gjithçka ia lëmë në dorë mirësisë së Zotit. A është dikush që e ka të garantuar se do të jetojë edhe nesër? Meqë m’u kujtua, po të lexoj edhe dy vargje të tjera, dukesh i interesuar:
Si mund të jem i sigurt se nesër do jem gjallë?
Arkivolin e një të riu sapo varrosën pak më parë.
Sikur m’i hodhi kripë e piper plagës. E ndjeva edhe njëherë frikën e vdekjes.
Shihemi nesër, - i thashë dhe u largova. Më ndoqi me sy. Teksa hipja në makinën time luksoze, mendoja se ç’do të çonte plaku i mjerë në shtëpi. Më erdhi turp nga makina ime.
Por ai s’kishte frikë nga vdekja. Megjithëse jo i sigurt se do
të shkojë patjetër në vende të mira pasi të vdesë, lumturia e një personi që beson nuk është aspak e vogël. Për një lumturi të tillë mund të sakrifikoja edhe makinën.
Atë natë u mundova të gjeja përgjigjet e pyetjeve që pata shkrua në tavan. Gjendesha përballë dy tipa njerëzish.
Njëri prej këtyre ishte profesor filozofie dhe sociologjie që s’njihte Zot dhe që deklaronte “Nuk i ka krijuar Zoti njerëzit, por njerëzit injorantë Zotin”, e në anën tjetër, ndodhej shitësi ambulant, plaku me duart plot kallo.
Njëri thoshte:
“Unë i kam studiuar të gjitha shkencat, di gjithçka, s’ka nevojë të njoh Zotin”, ndërsa tjetri:
“Unë njoh vetëm Zotin, s’më hyn në punë tjetër gjë.”
Mësimet që kisha marrë anonin nga shkenca dhe shkencëtarët. Më ishte mësuar se shkencat pozitive nuk gënjenin dhe se metafizika ndryshonte nga individi në individ.
Teksa babai ndodhej gjithmonë në vizita pune e nëna vazhdonte të merrej me kotësira, mundohesha të bëja zap llavat që shpërthenin brenda meje dhe e gdhija duke u munduar t’u përgjigjesha pyetjeve komplekse të errësirës.
Ashtu si një top pingpongu që në çdo sekondë shkon sa nga njëra anë e tavolinës në tjetrën, dhe unë, ndoshta në një kohë më të shkurtër se sekonda, shkoja herë tek profesori e herë tek shitësi ambulant.
Nënës dhe babait nuk mund t’ua bëja këto pyetje të mundimshme. Do të talleshin me mua përndryshe.
Të nesërmen mora rrugën drejt Topkapisë.
Nga larg vura re shitësin ambulant. Kishte vendosur edhe një tabelë tjetër pranë së djeshmes. Zoti ia kishte mundësuar, kishte dalë edhe sot në punë.
S’më kishte vënë re. Lexova tabelën që ishte munduar ta varte diku në karrocë:
Ditët si akulli, mbi të ne rrëshqasim,
Sa na mbetet s’dihet, të kaluarat numërojmë.
Ia kishte vlejtur që kisha ardhur. Ky plak formonte perla me fjalë të thjeshta dhe i varte në xhamin e pajetë të vitrinës.
M’u kujtua pyetja që ia pata drejtuar filozofit tim:
Profesor, ç’do të ndodhë me ne kur të vdesim?
Do të bëhemi hiç.
S’do të jetojmë më?
Jo, kurrë...
Po unë dua të jetoj. S’mund ta pranoj se vdekja do të jetë fundi im.
Kjo s’ka të bëjë se me çfarë pranon ti. Ka një të vërtetë në mes. Ata që vdesin zhduken përfundimisht me dheun e tokën. Kjo është e vërteta. Ndoshta disa pjesë të tyre gjejnë jetë në një ferrë, disa në një lule e disa të tjera në ndonjë fije bari. Ndoshta jeta jote mund të bashkohet me kafshën apo njeriun që e ha atë, por s’diskutohet që ti s’merr vesh asgjë nga këto.
Më hipën nervat.
Ku e di ti se s’do të jem në dijeni, se mos ke vdekur ti dhe je bashkuar me ferrën, lulen apo barin?
Pati heshtur.
Unë s’doja të bëhesha hiç, unë doja të lindja në botëra më të bukura.
Shënimet
- 1.Porta e Lartë. Rezidenca e Sulltanëve Osmanë. Tani ka funksionin e muzeut. (shën. i përkthyesit.)
- 2.Mali Kaf, një mal që s’ekziston në të vërtetë, por që përdoret shpeshherë në letërsinë orientale. (shën. i përkthyesit.)