JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
DRITA MAHNITËSE
Njeriu i parë që krijoi Allahu i Madh në tokë ishte Ademi. Profeti Adem, sapo erdhi në jetë, ngriti kokën dhe pa një dritë shkëlqyese që e mahniti krejtësisht. Ky në fakt ishte një shkëlqim. Ky shkëlqim vinte prej një emri që qëndronte i shkruar në qiell. Profeti Adem, që po e vështronte i mahnitur dritën që kishte përpara syve, e pyeti Allahun:
“O Zot! Çfarë është ky shkëlqim, ç’është shkruar aty?” Allahu iu përgjigj:
Ky është shkëlqimi i një profeti që do të vijë prej gjakut tënd. Emri i tij në qiej është Ahmed, ndërsa në tokë Muhamed. Nëse nuk do të ishte ai, Unë nuk do të të krijoja ty.
Profeti Adem ishte njeriu i parë në tokë, njëkohësisht edhe babai i të gjithë njerëzve që erdhën më pas. Allahu i Madh i krijoi Babait tonë si bashkëshorte Havanë, dhe iu drejtua me këto fjalë:
“Hani, pini dhe shëtisni si të dëshironi në Xhenetin tim, por mos e prekni me dorë këtë frut sepse është i ndaluar për ju.”
Një ditë, Havaja e nderuar e harroi se nuk duhet të hante prej frutit të ndaluar dhe i ofroi edhe Profetit Adem që të hante prej këtij fruti. Ndërkohë që edhe Profeti Adem e harroi se nuk duhet të hante prej frutit të ndaluar. Ata hëngrën të dy prej frutit sepse harruan, prandaj Allahu i largoi prej Xhenetit në tokë që të shlyejnë gabimin që ata kishin bërë.
Mirëpo, Ai i vendosi ata në vende të ndryshme të botës.