JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
SËRISH ME MËNDESHËN
Me kalimin e këtyre dy viteve kishte ardhur edhe koha që mëndeshat t’i kthenin fëmijët e marrë pranë familjeve të tyre. Prandaj, Halimeja ishte jashtëzakonisht shumë e pikëlluar. Me zor e mbante veten nga të qarët. Por meqë i kishin dhënë fjalën, ata e çuan fëmijën tek Amina, nëna e tij e vërtetë. Amina po derdhte lotë ngazëllimi, ndërsa Halimeja lotë ngashërimi. Njëra po përjetonte ritakimin me fëmijën e saj që e kishte pasur larg për kaq shumë kohë, ndërsa tjetra po mërzitej se do të ndahej prej fëmijës së ndritshëm, që nuk e kishte ndarë dot kurrë as prej fëmijëve të saj të vërtetë.
- A nuk ma lini dot edhe pak fëmijën? Kam shumë frikë se mos preket prej sëmundjes ngjitëse që i kanoset tanimë në Mekë? - e pyeti Halimeja.
Nuk e përballuan dot këtë përgjërim. Ata kishin gjithashtu frikë nga epidemia që kishte prekur Mekën në ato kohë. Kështu që, fëmija i ndritshëm së bashku me mëndeshën e tij u kthyen sërish në pllajë. Halimeja ia kishte arritur dëshirës. Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të! do të rrinte në pllajë edhe për ca kohë.
Halimeja, e cila nuk e ndante kurrë Profetin tonë të Nderuar prej fëmijëve të saj, ndonjëherë e dërgonte Atë për të kullotur qingjat.
Ishte përsëri një nga ditët kur Profeti së bashku me vëllain e tij të qumështit, Abdullahun, kishin shkuar për të kullotur qingjat. Fëmijën e ndritshëm e ndiqte gjithnjë një re e bardhë nga pas. Ishte agim. Ishte stina e verës dhe natyra ishte shumë e bukur. Toka ishte si një dysheme e mbuluar me një qilim të gjelbër prej mëndafshi. U larguan prej shtëpisë për të kullotur qingjat. Nën hijen e një peme, teksa po bisedonin, Abdullahun e zuri gjumi. Profeti ynë i Nderuar u ngrit për të kthyer qingjat që ishin larguar. Ndërkohë përpara i dolën dy njerëz të veshur me rroba të bardha, të cilët vetëm i buzëqeshnin.