JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

MARTESA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Nëna jonë Hatixheja kishte qenë dëshmuesja e shumë mrekullive lidhur me

Profetin tonë Paqja qoftë mbi Të!. Ajo kishte gjetur mundësi për ta njohur akoma edhe më shumë nga afër, duke e vendosur Atë si prijës të karvanit, të cilin ajo dërgoi për në Siri. Hatixheja dinte gjithashtu edhe sihariqin që ishte dhënë për Të. Madje e dinte se afrimi i vetëm më i madh me Të do të ishte martesa me Të. Prandaj ajo kërkoi që të martohej me Mbretin e Profetëve, Profetin Muhamed Paqja qoftë mbi Të!, Përmendore e Drejtësisë, Besnikërisë dhe Moralit të lartë. Këtë dëshirë ajo ia tregoi fillimisht vetëm shoqes së saj më të ngushtë, Nefises. Donte që ajo të shkonte e ta fliste këtë çështje me Muhamed Besnikun.

Nefisja, një ditë, pa kaluar shumë kohë, u nis për të folur me Profetin tonë të Dashur. Ajo e nisi bisedën e saj me Profetin me këtë pyetje:

O Muhamed! Ti, përse nuk martohesh?

Nuk kam pasuri të mjaftueshme për t’u martuar, - iu përgjigj Profeti.

Në mes tyre u zhvillua edhe një bisedë e tillë:

A e pranon ti nëse t’i gjejnë paratë, madje edhe nëse një grua e pasur, e ndershme dhe e bukur të ofron ty që të martohesh me të?

Kush është ajo?

Hatixheja, e bija e Huvejlidit.

Si mund të realizohet diçka e tillë?

Mos u merakos, atë e zgjidh unë.

Nëse është kështu, atëherë unë do të bëj ashtu si të më thuash ti.

Hatixheja e nderuar, e cila ishte një grua e ve, ishte tejet e pasur. Shumë njerëz të ndershëm e të pasur i kishin propozuar asaj për martesë, por ajo nuk kishte pranuar asnjërin prej tyre. Njerëzit përreth kishin filluar të mendonin se ajo nuk dëshironte më të martohej.

Nefisja ia transmetoi menjëherë Hatixhesë lajmin se ky mendim i kishte pëlqyer edhe Profetit tonë. Hatixheja ishte lumturuar pa masë. Më vonë ajo do t’i dërgonte Profetit tonë të nderuar këto fjalë: “Unë dua të martohem me ty, se ti je i drejtë dhe me një karakter të mrekullueshëm.” Ajo donte jashtë mase të martohej me Profetin tonë të Dashur sepse ajo e dinte që Ai, një ditë, do të ishte profet. Duhej të ishte pranë Tij për t’i shërbyer dhe për ta ndihmuar duke e mbështetur në kauzën e Tij.

Profeti ynë i Nderuar, i gëzuar prej këtij lajmi, shkoi menjëherë t’ia tregonte xhaxhait të Tij, Ebu Talibit. Ebu Talibi u gëzua pa masë prej këtij sihariqi.

Pa u humbur kohë, prej të mëdhenjve të familjeve u kërkua dora e Hatixhesë. Ata e pranuan kërkesën, prandaj Profeti ynë dhe Hatixheja u martuan brenda një kohë të shkurtër. Në ato ditë që u martuan, Krenaria e Njerëzimit ishte njëzet e pesë vjeç, ndërsa Hatixheja e nderuar ishte dyzet vjeçe.

Hatixheja ishte më e madhe në moshë se Profeti. Ajo nuk i tha Atij asnjëherë qoftë edhe një fjalë të vetme që ta mërziste. Nuk tregoi as mungesën më të vogël të respektit. Ajo e donte shumë Profetin, por edhe Profeti e donte atë jashtëzakonisht shumë. Zaten, shtatë prej tetë fëmijëve të Profetit tonë të Nderuar do të lindnin prej kësaj martese të bekuar.