JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

LUFTA E UHUDIT

Një pjesë e mirë e prijësve të Mekës patën vdekur në luftën e Bedrit. Mosbesimtarët vendosën të bënin një luftë tjetër, si për të marrë hakun e betejës së Bedrit, ashtu edhe për të penguar shtimin e numrit të myslimanëve.

Këtë herë lufta do të zhvillohej në rrëzë të malit të Uhudit, pranë Medinës. Ata kishin bërë plane për t’u nisur me një ushtri të stërmadhe për ta shkatërruar njëherë e mirë ushtrinë e myslimanëve. Mirëpo kishin diçka që nuk e kishin marrë parasysh. Përballë kishin Profetin Muhamed, Të Dërguarin e Allahut, bashkë me shokët e Tij që ishin si yjet. Ndihma e Allahut ishte gjithnjë në anën e besimtarëve. T’i besoje Allahut dhe Profetit të Tij ishte e

mjaftueshme për të qenë mbi të tjerët.

Ushtria e mekasve përbëhej prej tri mijë ushtarësh, të cilët ishin të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë. Dyqind kalorës, shtatëqind këmbësorë, tri mijë deve. Lajmi i nisjes së ushtrisë së mosbesimtarëve i kishte ardhur Të Dërguarit të Allahut nëpërmjet një letre. Profeti nisi menjëherë nga përgatitjet e luftës. Përgatitjet nuk zgjatën shumë. Ushtria e myslimanëve përbëhej nga shtatëqind vetë. Ata nuk ishin aspak në gjendje të mirë për të luftuar. Profeti Muhamed kishte vendosur shigjetarë në malin e Uhudit, që besimtarët të mos kishin mundësi që ta sulmonin nga prapa krahëve.

Dita e Uhudit. Në fillim u zhvilluan dyluftime. Të gjitha këto dyluftime i fituan myslimanët. Më pas të dy ushtritë iu turrën njëra-tjetrës. Po bëhej një luftë e fortë. Aliu, bashkë me xhaxhanë e Profetit Muhamed, Hamzain, e kishin çarë tej e tej ushtrinë e mosbesimtarëve. Edhe shokët e tjerë të Profetit po luftonin me gjithë shpirt, duke thirrur vazhdimisht tekbire me zë të lartë. Pa kaluar shumë kohë, ushtria e shpërndarë e idhujtarëve filloi të tërhiqej. Zërat e shpatave kishin pushuar. Tashmë kishte filluar përzënia e ushtrisë së besimtarëve nga pas.

Shigjetarët të kënaqur nga kjo fitore filluan të braktisnin vendet ku ishin vendosur. Me t’u larguar shigjetarët, ushtarët idhujtarë e rrethuan nga pas ushtrinë myslimane. Kështu që ushtria myslimane mbeti mes mosbesimtarëve. Ndërkaq, mosbesimtarët që kishin nisur të arratiseshin, u kthyen sërish për të sulmuar. Myslimanë kishin ngelur në një gjendje të vështirë, duke pasur një numër të madh martirësh. Dy prej tyre ishin edhe xhaxhai i Profetit tonë, Hamzai dhe Musab bin Umejri.

Në çastin më të nxehtë të luftës, mosbesimtarët u hodhën në sulm për të vrarë Të Dërguarin e Allahut, që shpirtrat tanë i qofshin falë. Ishin rreth pesëmbëdhjetë shokë që i rrinin pranë për ta mbrojtur nga çdo rrezik që mund t’i vinte. Ata i kishin kthyer trupat e tyre në mburoja vetëm e vetëm që të mos i ndodhte gjë Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të!. Megjithëse mosbesimtarët ia kishin plagosur kokën dhe njërën prej faqeve të Tij të bekuara. I kishin thyer edhe një dhëmb duke e goditur me gur. Ia kishin gjakosur edhe kokën, ndërsa buzën ia kishin çarë.

Pesëmbëdhjetë trimat që gjendeshin rreth Profetit po mundoheshin që ta ngjisnin Atë në mal. Kështu ata nuk do të kishin mundësi ta sulmonin më Të Dërguarin e Allahut. Ndërkohë një nga shigjetarët më të mirë të mosbesimtarëve e mori Profetin në shenjë dhe e lëshoi shigjetën. Talha bin Ubejdullahu e pa këtë dhe zgjati dorën për ta ndaluar shigjetën që të binte mbi trupin e Profetit tonë të Dashur. Kjo shigjetë i çau krahun duke e lënë të gjymtuar për gjithë jetën. Profeti thoshte shpesh: “Nëse dikush dëshiron të shohë një banor të Xhenetit, le të shohë Talha bin Ubejdullahun.”

Ndërkohë që luftëtarët trima po mbronin Profetin e Nderuar, mosbesimtarët filluan të përhapnin një gënjeshtër. Filluan të bërtisnin duke thënë se Profeti kishte vdekur. Ky lajm i dërrmoi myslimanët. Tani, të gjithë filluan të tërhiqeshin. Saora njëri prej shokëve të Profetit e njohu Atë prej syve. Ai filloi të bërtiste me sa të kishte fuqi e duke treguar me gisht, - Profeti nuk ka vdekur. Ai jeton. Ja tek e keni.

Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! i dha atij shenjë që të pushonte. Sahabët që e mësuan të vërtetën, filluan të tërhiqeshin drejt malit të Uhudit pa bërë zë. Mosbesimtarët gjithashtu, nga frika se mos myslimanët do t’i sulmojnë sërish, hoqën dorë prej sulmit edhe njëherë ndaj tyre.

Kështu që lufta e Uhudit mbaroi pa u kuptuar se kush ishte fituesi. Profeti ynë i Dashur nuk kishte fuqi as sa për të ecur në fund të kësaj lufte. Talha bin Ubejdullahu, iu drejtua të Dërguarit të Allahut:

Eja o I Dërguar i Allahut, unë jam mjaftueshëm i fuqishëm, - dhe e mori Profetin mbi shpinë.

Teksa po pushonte, Profeti i Mëshirës, u lut:

O Zot! Populli im nuk di gjë për mua. Nuk e dinë se ç’janë duke bërë. Fali ata!”

Ai të lutej për ata që i kishin shkaktuar gjithë këto të këqija. I Dërguari i Allahut ishte kaq shumë i dhembshur e i mëshirshëm edhe me ata që përpiqeshin ta vrisnin.

Një ditë më vonë, Profeti ynë i Nderuar kërkoi që të ndiqej ushtria e mosbesimtarëve. Në të vërtetë, asnjë nuk kishte fuqi as për të ecur. Sakaq mosbesimtarët që mendonin se myslimanët kishin marrë një goditje tepër të rëndë, ishin shastisur nga kjo ndjekje. Ata u kthyen menjëherë në Mekë, të trembur nga frika se mos do t’u duhet të luftojnë përsëri me myslimanët. Kështu, fitorja e Uhudit, përfundimisht, i takonte myslimanëve.