JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
EBU BEKRI BESON
Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i Profetit Muhamed. Ata kishin shkuar shumë herë bashkë si shoqërues të karvanëve që shkonin jashtë Mekës për të bërë tregti. Në vitet e rinisë ata kishin shkuar bashkë në Siri. Në atë kohë ai kishte qenë veç një djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar. Në një prej netëve që gjendej në Siri, ai pa një ëndërr.
Në ëndërr ai pa një hënë që zbriste drejt Mekës. Kjo hënë copëtohej dhe copat e saj shpërndaheshin nëpër shtëpitë e mekasve. Mandej copëzat bashkoheshin dhe shkonin në shtëpinë e tij. Ebu Bekri, i emocionuar shumë prej kësaj ëndrre, ia tregoi atë murgut Bahira, i cili ishte një dijetar i krishterë. Bahira ia ktheu:
Nga cili qytet ke ardhur? - e pyeti ai. - Vij prej Mekës, - ia ktheu Ebu Bekri.
Nga çfarë fisi je në Mekë? Nga cila familje?
Nga fisi i kurejshëve.
Mirë. Me ç’punë merresh.
Jam tregtar.
Nëse Allahu e nxjerr të vërtetë ëndrrën tënde, nga fisi yt do të dalë një profet. Sa të jetë gjallë Ai, ti do t’i shërbesh shumë Atij. Kur të vdesë, ti do të bëhesh mëkëmbësi i Tij.
Ebu Bekri nuk i tregoi askujt këto që dëgjoi duke i ruajtur si një sekret tepër të fshehtë. Sapo mbaroi punët që kishte, u kthye për në Mekë.
Kishin kaluar plot njëzet vjet që prej asaj ëndrre. Ndërkohë Ebu Bekri nuk ia kishte treguar askujt ëndrrën që kishte parë dhe fjalët e murgut Bahira.
Sapo ishte kthyer nga Siria, ku kishte qenë për të bërë tregti. Iku pranë shokëve të tij për t’i pyetur:
A ka ndodhur ndonjë gjë e re në Mekë gjatë kohës që unë nuk kam qenë?
Po, Ebu Bekr! Ka ndodhur diçka e re. Një e re shumë e tmerrshme. Muhamedi, shoku yt i ngushtë, thotë se është profet. Sipas tij, këtej e tutje do të hiqkemi dorë prej adhurimit të idhujve për t’i kryer adhurime veç një Zoti të vetëm. Nëse nuk do të kishte qenë për ty, do ta kishim zgjidhur që me kohë këtë problem. Të pritëm ty, se menduam se ti mund t’ia ndryshosh mendimin, - i thanë ata.
Ebu Bekri kishte qenë gjithnjë një shok i sinqertë me Profetin tonë të Dashur që prej fëmijërisë së tij. Nuk e kishte dëgjuar kurrë Atë të gënjente. Si edhe e dinte mirë se sa i besueshëm dhe fjalëdrejtë që ishte Ai. Vendosi të shkonte e ta takonte Profetin duke menduar se “Një njeri që nuk ka gënjyer kurrë gjatë jetës, nuk ka mundësi të gënjejë në emër të Allahut.”. Mbi të gjitha, ngaqë kishte shumë kohë që nuk e kishte takuar, atë e kishte marrë shumë malli. Teksa po ecte, në rrugë u ndesh me Profetin Muhamed. Ishte Profeti ynë ai që foli i pari:
Për ku je nisur kështu o Ebu Bekr?
Po vija për tek ty o Muhamed. Po ti, për ku je nisur?
Edhe unë për te ty po vija.
O miku im. Të afërmit e mi më lajmëruan për diçka të re që kishte të bënte me Ty. A janë ato të vërteta?
Ç’të thanë ata, o Ebu Bekr?
O Muhamed! Thonë që ke dalë nga feja e të parëve tanë. Nuk iu përulesh idhujve. Thonë se ke prurë një fe të re, e se je shpallur profet i kësaj feje. A janë të gjitha këto, të vërteta? - e pyeti ai.
Profeti ynë i Dashur buzëqeshi. Mandej iu përgjigj:
O Ebu Bekr! Unë jam i Dërguari i Allahut, që është dërguar për ty dhe për tërë Njerëzimin. Po i thërras njerëzit që të besojnë në Zotin, që është një. Edhe ti duhet të besosh.
Patjetër, por a ke Ti prova për këto që je duke folur?
Po. Kam ëndrrën që ke parë ti kur ishe në Siri, për të cilën shkove të merrje komentimin e murgut Bahira, - ia ktheu përgjigjen Profeti ynë i Nderuar.
Në atë kohë, Ebu Bekrit iu bë sikur t’i kishte rënë një rrufe mbi krye. Iu kujtua ëndrra që kishte parë para shumë vitesh bashkë me komentin e saj. Para së gjithash ai nuk e kishte folur atë me askënd. Zaten ai e njihte Mbretin e Universit që prej fëmijërisë, andaj i besonte Atij për çfarëdolloj gjëje. Besoi menjëherë pa kurrfarë lëkundjeje. Ky ishte një nga çastet më të lumtura të jetës së Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të!.
Numri i besimtarëve sa vinte e shtohej falë vullnetit të paepur të Ebu Bekrit. Tashmë, në Mekë nuk kishte ngelur askush pa dëgjuar mbi të rejat. Kjo gjendje filloi t’i shqetësonte mjaft mosbesimtarët. Më në fund, ata morën vendimin për ta vrarë Të Dërguarin e Allahut. Mirëpo kush do ta merrte përsipër? Si do ta bënte?