JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

ZOGJTË EBABIL

Teksa Ebreheja me ushtarët e tij po mendonin për shkakun e kësaj pagjasësie, nga drejtimi i detit filluan të vinin zogjtë ebabil. Çdo zog mbante nga tre gurë, një në sqep dhe dy në kthetra. Këta zogj që i ngjanin pulëbardhave i lëshonin gurët në madhësinë e lajthive nga sipër drejt e në kokat e ushtarëve. Çdo ushtar, të cilit i binte ose e prekte një prej këtyre gurëve, binte menjëherë i pajetë në tokë. Edhe vetë Ebreheja ishte një nga ata që u godit prej gurëve.

Prej gurit që e goditi, Ebrehesë iu thanë duart, krahët dhe këmbët sikur të kishin qenë gjethe të thara. Dy ushtarë u munduan ta nxirrnin prej fushës së luftës, por për një kohë tepër të shkurtër atij iu thanë të gjitha organet duke iu kthyer në dhé. Ai ndenji gjallë derisa iu tha edhe zemra. Dhe pasi iu tha edhe zemra, ai u kthye i tëri në pluhur.

Si një përfundim mrekullor, ishte vetëm Mahmudi ai që shpëtoi gjallë nga të gjitha gjallesat që gjendeshin aty.

Ngaqë në këtë luftë mori pjesë edhe një elefant, kjo ndodhi mori emrin “Ndodhia e elefantit”.

Allahu i pastroi trupat e të vdekurve duke prurë një shi të madh e të stuhishëm, i cili pruri përmbytje të shumta. Kështu, pa lindur Profeti, ky vend i shenjtë shpëtoi prej një rreziku tepër të madh.

SI E RRËFEN KURANI “NDODHINË E ELEFANTIT”?

Këtë mrekulli të qartë, e cila ndodhi plot pesëdhjetepesë ditë para se të lindte Profeti ynë i dashur, Allahu i Madh e ka bërë të ditur edhe në Kuranin Famëlartë, në suren Fil, Elefanti: Bismil’lâhi Rrahmâni Rrahîm

Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit? A nuk ua prishi atyre kurthin, duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur?

Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.