JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
VITET QË KALUAN PRANË EBU TALIBIT
Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! ishte vetëm tetë vjeç në kohën kur filloi të jetonte me xhaxhanë e Tij. Në atë kohë, në Mekë, njerëzit e varfër nuk e kishin të drejtën e fjalës. Megjithëse ishte i varfër, Ebu Talibi ishte një nga njerëzit më të respektuar të Mekës.
Familja e tij ishte shumë e madhe. Nuk kishte asnjë pasuri tjetër përveç disa deveve. Ebu Talibi dhe gruaja e tij, Fatimeja nuk e fillonin kurrë ushqimin në tryezë pa u ulur edhe nipi i tyre. E mbështesnin dhe e donin atë më shumë sesa fëmijët e tjerë. Madje, një ditë, kur xhaxhai e kuptoi se i nipi nuk ishte në sofër, nuk kishte lejuar pjesëtarët e familjes të hanin derisa të vinte dhe Profeti ynë.
Sepse nga sofra ku ulej Mbreti i Profetëve, nuk ngrihej askush i uritur. Kjo ndodhí nuk ishte tjetër, veçse shenja e begatisë që Profeti ynë i Nderuar do ta përfaqësonte përgjatë gjithë jetës së Tij.
Njëherë, në Mekë, bënte jashtëzakonisht shumë vapë dhe qytetin e kishte kapluar edhe një thatësirë e madhe. Mekasit që vinin tek Ebu Talibi, i thoshin:
- O Ebu Talib! Bagëtitë tona filluan të ngordhin prej vapës së madhe. Ndërsa fëmijët po dobësohen nga dita në ditë. A nuk është mirë që të dalësh njëherë për të bërë lutjen e shiut si i madhi ynë që je?
Ebu Talibi e pranoi kërkesën e mekasve dhe u drejtua për të shkuar në Qabe duke e marrë me vete nipin e tij, Profetin tonë të Nderuar. Ebu Talibi, ishte tashmë dëshmitar i begatisë që i kishte sjellë Profeti ynë. Ai pati menduar se ardhja e Tij do të sillte medoemos mbarësi. Filloi t’i lutej Allahut që të sillte shi mbi tokë. Në ato çaste Profeti i Njerëzimit ishte mbështjellë me mblojën e Qabes dhe kishte ngritur përpjetë gishtin e dëshmisë. Ebu Talibi nuk ishte gabuar në hamendjen e tij. Pa e mbaruar mirë lutjen, një rrebesh shiu kishte filluar të binte. Njëlloj sikur të ishte dikush që e derdhte me kova.
Ishin ditët kur Krenaria e Njerëzimit kishte mbushur dhjetë vjeç. Profeti donte ta ndihmonte xhaxhanë e Tij dhe iu lut që t’ia jepte Atij delet për t’i ruajtur. Kështu që nuk kishin përse të paguanin një bari. Megjithëse Ebu Talibi ishte plotësisht kundër këtij mendimi, Profeti ynë i Nderuar arriti që ta bindte. Mirëpo, tani ishte Fatimeja ajo që dilte kundër këtij mendimi. Megjithatë Profeti i dashur e bindi edhe atë.
Teksa ditët kalonin në këtë trajtë, Mbreti i Profetëve Paqja qoftë mbi Të! ishte bërë dymbëdhjetë vjeç. Fytyra e tij rrezatonte dritë. Ishte serioz si të ishte i rritur. Në kohë që shokët e Tij luanin duke vrapuar pas lodrash të ndryshme, ai mendonte për ambientin përreth duke medituar për Krijuesin e Madh të
Universit.
Ebu Talibi, i gjendur ngushtë ekonomikisht, vendosi të merrte edhe ai pjesë në karvanin që po shkonte drejt Sirisë. Mbase kështu ai mund ta përmirësonte së paku mirëqenien e familjes, nëse arrinte të bënte atje ndonjë tregti të mirë. Mirëpo atë e mërziste së tepërmi ideja që do t’i duhej të qëndronte larg nipit të tij. Gjithashtu kishte frikë se mos Atij i ndodhte ndonjë gjë e keqe gjatë rrugës, nëse e merrte me vete. Vetëm se Krenaria e Njerëzimit i erdhi pranë xhaxhait të Tij që po bënte përgatitjet e fundit për t’u nisur, dhe i përlotur, i thotë:
O xhaxha! Me kë po më lë këtu? Ndërkohë që unë nuk kam as nënë e as baba.
Xhaxhai nuk i mbajti dot lotët dhe iu gjegj:
Në rregull, Muhamedi im. Do të vish edhe Ti me mua. Mos qaj më, të lutem!
Ata u nisën pa kaluar shumë kohë. Më në fund karvani vendosi të bënte një pushim në vendin e quajtur Busra. Ky ishte një vend shumë pranë Sirisë. Një murg i quajtur Bahira po e ndiqte nga larg ardhjen e karvanit. Bahira ishte nga dijetarët e fesë më në zë të kësaj zone. Ai i njihte shumë mirë Librat e Shenjtë.