JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
LUFTA E BEDRIT
Karvani i mosbesimtarëve mekas i kishte shitur pasuritë e myslimanëve në Siri e po ktheheshin. Në krye ishte Ebu Sufjani. Profeti i Allahut e mori vesh se ata po përgatiteshin për luftë. Bëri një mbledhje me shokët e Tij për të vlerësuar gjendjen. Në fund u vendos që karvani të ndalohej e t’i merreshin paratë e fituara, të cilat ishin të myslimanëve.
U përgatit një ushtri e vogël me në krye Profetin tonë të Nderuar. Kjo ushtri filloi të kërkonte gjurmët e karvanit që po kthehej nga Siria. Ata e panë të arsyeshme ta prisnin karvanin në një vend të quajtur Bedër. Mirëpo Ebu Sufjani, me të marrë vesh se myslimanët i kishin bërë pritë, ndërroi rrugë. Prandaj dërgoi një kasnec për në Mekë. Kasneci shkoi dhe i lajmëroi mekasit se myslimanët i kanë zënë rrugën karvanit. Kështu që mekasit përgatitën një ushtri prej shtatëqind vetësh dhe e dërguan në drejtim të Bedrit. Numri i tyre ishte sa trefishi i myslimanëve. Madje edhe armët ata i kishin shumë më të mira se ato të myslimanëve.
Gjatë rrugës, ushtria e idhujtarëve u ndesh me karvanin që po vinte nga Siria. Ebu Sufjani u kërkoi atyre që të ktheheshin pas duke u thënë se karvani nuk kishte pësuar asgjë, kështu që nuk kishte nevojë për luftë. Vetëm se Ebu Xhehli nuk pranonte.
- Gjallë nuk kthehem pa shkuar të përballem dhe ta zhduk Muhamedin bashkë me ushtrinë e Tij. Do të shkoj të përballem menjëherë me të në Bedër.
Çfarëdo që të thoshte, Ebu Sufjani nuk ia ndërroi dot mendjen. Në fund, të dyja ushtritë bënë një luftë të ashpër në afërsi të puseve të ujit në Bedër. Kur lufta përfundoi, besimtarët kishin dhënë gjithsej katërmbëdhjetë dëshmorë. Ndërsa nga mosbesimtarët kishin vdekur plot shtatëdhjetë vetë. Po aq ishin edhe robër lufte. Kjo kishte qenë një disfatë e vërtetë për mosbesimtarët. Kishte ngjarë ajo, prej së cilës mosbesimtarët kishin pasur frikë gjatë gjithë kësaj kohe. Myslimanët, të cilët ishin vetëm një grusht njerëz, u kishin dhënë atyre një mësim mjaft të mirë.
Myslimanët ranë pak në qetësi pas kësaj lufte. Tashmë kishte lindur mundësia për të shkuar nëpër vende të tjera të largëta për të shpjeguar të vërtetat e Islamit. Krenaria e Njerëzimit, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të, kishte dërguar njerëz në vende të ndryshme për të treguar të vërtetat e Islamit. Kështu që më shumë njerëz e mësuan fenë tonë dhe numri i myslimanëve sa vinte e shtohej. Kjo vazhdonte t’i shqetësonte mosbesimtarët jashtëzakonisht shumë. Ata donin me ngulm që ta pengonin përhapjen e
Islamit.