JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
UDHËTIMI I DYTË PËR NË SIRI
Ato ditë ishin përhapur se do të nisej një karvan për në Siri, i cili i përkiste një femre tejet të pasur. Hatixheja ishte një grua me moral të lartë. Ajo kërkonte dikë besnik që ta shoqëronte karvanin e saj deri në Siri. Mendoi se zgjedhja më e mirë do të ishte Muhamed’ul Emini. E dinte që Ai ishte njeriu më i drejtë dhe i ndershëm në gjithë Mekën, ndaj i kërkoi që të ishte Ai drejtuesi i karvanit për në Siri.
Krenaria e Njerëzimit e pranoi kërkesën që iu bë. Dëshironte që me të ardhurat që do të fitonte, të lehtësonte sadopak shqetësimin ekonomik të xhaxhait të Tij. Hatixheja ishte shumë e lumtur gjithashtu sepse po e dërgonte karvanin e saj nën drejtimin e njeriut më të drejtë në Mekë. S’kishte dyshimin më të vogël që mallrat do të çoheshin dhe shiteshin të gjitha në Siri. Ajo ia dha skllavin e saj Mejseren me vete, që ta ndihmonte Profetin tonë të Nderuar për çdo gjë që Ai do të kishte nevojë. Kur do të niseshin, ajo i la atij disa porosi:
Mos i dil kurrë Muhamedit nga fjala. Bëje çfarëdo lloj gjëje që Ai do të kërkojë. Çfarëdolloj gjëje që do të shohësh tek Ai, do të ma shpjegosh kur të kthehesh.
Më në fund ishin nisur, dhe pas tre muajsh udhëtim ata gjendeshin tani në Busra. Murgu Bahira kishte vdekur para ca kohësh. Manastirin tani e drejtonte murgu Nastura. Nastura, atë ditë, po e vështronte karvanin që po vinte prej njërës prej dritareve të manastirit. I tërhoqi vëmendjen dikush që po qëndronte nën hijen e një peme fiku. Kjo ishte një pemë shumë e vjetër dhe thuhej se nën të çlodheshin vetëm profetët. Nastura thirri pranë tij Mejseren, të cilin e njihte që më herët, për të mësuar diçka më shumë.
Kush është ai që është ulur nën pemën e fikut?
Ai është një kurejsh nga Meka.
Murgu Nastura, u krodh në mendime, dhe e pyeti përsëri:
Nën atë pemë nuk ka qëndruar askush deri më tani, përveç profetëve. A i ka ai sytë pak si të kuq?
Po, i ka.
Atëherë më dëgjo me kujdes. Ai është një profet. Madje i fundit i profetëve.
Kjo bisedë e emocionoi jashtë mase Mejseren. Nuk po e mbante dot veten. Nuk e ndante shikimin e tij prej Krenarisë së Njerëzimit. Me të vërtetë që tani ai kishte shumë gjëra për t’i treguar Hatixhesë kur të kthehej.
Pasi tregtia mbaroi, karvani u nis për t’u kthyer në Mekë. Ata kishin bërë një tregti mjaft të mirë. As Hatixheja nuk e maste dot se sa shumë kishte fituar prej kësaj tregtie. Tek po dilnin prej Busrës, dy engjëj në trajtën e dy reve të bardha, i bënin hije Profetit tonë të Nderuar, Krenarisë së Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të!. Mejsereja fërkonte sytë prej çudisë. Jo, ai nuk po shikonte asgjë të gabuar. Dy engjëj po i bënin hije Më Besnikut.
Kjo gjendje zgjati po aq sa zgjati edhe udhëtimi. Mejsereja mezi duronte që të shkonte e t’ia tregonte Hatixhesë të gjitha ato çfarë i kishin zënë sytë. Më në fund karvani i ishte afruar Mekës. Njerëzit filluan të dilnin në kodra për të pritur karvanin. Hatixheja, gjithashtu po ndiqte me sy rrugëtimin e karvanit. Edhe ajo i kishte parë engjëjt që rrinin mbi kryet e Profetit, e pastaj u kishte thënë grave:
Shikoni, shikoni! Dy engjëj po i bëjnë hije Muhamedit.
Profeti ynë i Nderuar i kishte përftuar një fitim shumë të madh Hatixhesë me tregtinë që kishin bërë. Sapo u largua Profeti ynë i Nderuar, Hatixheja thirri Mejseren menjëherë pranë vetes për ta pyetur:
Çfarë pe? Çfarë përjetove? Më trego!
Kështu që ai filloi t’i tregonte një-për-një të gjitha ato që kishte parë gjatë rrugës. Ia transmetoi asaj fjalët e murgut Nastura pa harruar asnjë detaj. Ai i tregoi asaj se si kishte parë dy engjëj që i bënin hije Profetit tonë të Dashur përgjatë gjithë udhëtimit.
Këto të gjitha e kishin emocionuar shumë Hatixhenë, prandaj u nis menjëherë për të shkuar tek një djalë i xhaxhait të saj, Uaraka bin Neufeli, i cili ishte një dijetar i krishterë, për t’u këshilluar me të. Ia transmetoi atij të gjitha ato që kishte dëgjuar. Uarakaja ishte mjaft i ditur. Ai i ktheu Hatixhesë përgjigje me këto fjalë:
Nëse këto që më thua janë të vërteta, Muhamedi është një profet. Në fakt, unë po e lexoja në një nga Librat tanë se shumë shpejt një profet do të vijë.
Pas këtyre fjalëve, Hatixhesë iu shtua akoma edhe më shumë interesimi që ajo kishte për Profetin tonë. Dëshironte pa fund që të ishte më e afërt me këtë njeri të bekuar, i cili ishte përcaktuar prej sihariqesh të shumta që të ishte profeti fundit.