JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
DITË PA LUFTË
Pas luftës së Hendekut, mosbesimtarët u thyen keqazi përherë, duke mos e marrë edhe një herë guximin për t’i sulmuar besimtarët. Deshën të bënin një marrëveshje që të ruanin sigurinë dhe të mund të qetësoheshin. Me këtë qëllim u mbajt “Marrëveshja e Hudejbijes”. Sipas marrëveshjes, këto dy palë nuk do të luftonin përgjatë dhjetë viteve.
Gjatë periudhës së marrëveshjes, Profeti ynë i Dashur dërgoi fjalësa thuajse në të gjitha shtetet e botës. I lajmëroi ata se Ai ishte profeti i fundit, të cilin Njerëzimi po e priste. Ai u kërkonte atyre që t’i besonin fesë dhe Librit të shenjtë që ai kishte prurë. Kishte nga ata që i besuan thirrjeve të Krenarisë së Njerëzimit, ndërsa ata që nuk pranonin u zhdukën pa kaluar shumë kohë.
Sa keq që mosbesimtarët nuk e mbajtën fjalën e dhënë as në Hudejbije, ashtu siç nuk e kishin mbajtur asnjëherë më parë. E prishën marrëveshjen e bërë. Prandaj Profeti ynë i Dashur ngriti një ushtri të madhe. Me këtë ushtri Ai do të shkonte në Mekë, në vendlindjen e Tij; në qytetin ku ishin rritur dhe larguar para shumë kohësh. Në qytetin e bekuar ku gjendej Qabeja e shenjtë. Në qytetin e dashur, që kishin qenë të detyruar ta braktisnin, qytetin për të cilin u mbusheshin sytë me lotë.