JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
ATO QË PA MURGU BAHIRA
Murgu Bahira kishte vërë re disa gjëra të pazakonta në këtë karvan, gjëra që nuk i kishte parë asnjëherë më parë. Nga dritarja e manastirit kishte vënë re një re, e cila i ndiqte pa ndërprerje karvanin nga pas. Duhet të ishte dikush tepër i veçantë në këtë karvan.
Kështu, ai i ftoi të gjithë njerëzit e këtij karvani në një gosti. Ua mbushi sofrat me gjithë të mirat dhe kuvenduan bashkarisht. Mirëpo sytë e tij dukeshin që po kërkonin tjetërkënd. Mendonte se personi të cilin ai ishte duke e kërkuar nuk gjendej në mes të të ftuarve. Ndërkohë, edhe kurejshët po mundoheshin të kuptonin arsyen e kësaj gostie, sepse ata kalonin shumë shpesh me karvanë nëpërmjet kësaj rruge, por asnjëherë nuk ishin përballur me diçka të tillë. Më në fund, njëri prej mekasve u ngrit duke iu drejtuar murgut Bahira:
O Bahira! A ka ndonjë arsye që na e ke shtruar këtë gosti? Ne kemi kaluar shumë shpesh këndej, por nuk kemi hasur asnjëherë në një gosti të këtillë.
Jo, nuk ka asnjë arsye të veçantë. Ju jeni miqtë e mi. Thjesht desha që t’i prisja miqtë e mi njëherë këtu në manastir, - ia ktheu Bahira.
Atëherë faleminderit. Ti je me të vërtetë bujar.
Dua që këtë gosti ta shijojë çdokush prej karvanit tuaj. I ri e i vjetër, skllav e zotëri, prandaj dua të di a jeni të gjithë këtu?
Po, të gjithë janë këtu, përveç një djali që e kemi lënë të ruajë mallrat. E lamë atë ngaqë ai ishte më i vogli nga të gjithë ne.
Po t’ju lutesha, a do ta thërrisnit edhe atë këtu?
Patjetër, - i thanë ata dhe e thirrën Profetin të vinte e të ulej në sofër, së bashku me të tjerët.
Kur e pa Profetin tonë të Nderuar, Murgu Bahira shtangu. Nuk arrinte ta shihte dot prej shkëlqimit që gjendej në fytyrën e Tij. Nuk kishte parë asnjëherë një njeri kaq të bukur. Çdo gjë e kishte ndryshe prej njerëzve të zakonshëm. Ulej ndryshe, hante, fliste dhe shikonte ndryshe. Pas këtyre përshtypjeve, murgu iu afrua Ebu Talibit.
Çfarë e ke ti këtë fëmijë?
Është djali im.
S’ka mundësi që Ai të jetë djali yt. Babai i Tij duhet të ketë vdekur.
Po, ke të drejtë. Ai nuk është djali im i vërtetë. Ai është nipi im.
Po të atit çfarë i ka ndodhur?
Ka vdekur përpara se Ai të lindte.
Ke thënë të drejtën. Në të ardhmen ky fëmijë do të jetë profeti i fundit. Tani kthehu për andej nga ke ardhur, se, nëse hebrenjtë do të shohin ato që pashë unë, mund të përpiqen që t’i bëjnë keq.
Po ti nga i di të gjitha këto?
Karakteristikat e tij janë të shkruara në Librat tanë. Ia pashë me sytë e mi vulën e profetësisë që ka në shpinë. Si edhe dallova një re, e cila i vinte nga pas për t’i bërë hije. Ajo re po vazhdonte ende t’i bënte hije vendit ku kishte qëndruar karvani.
Pas gjithë atyre ç’kishte thënë Bahira, Ebu Talibi i shiti aty për aty të gjitha mallrat. Kështu, ata u kthyen pas për në Mekë, bashkë me Nipin e tij të Bekuar Paqja qoftë mbi Të!.
I Dërguari i Allahut, udhëtimin e dytë për në Siri do ta bënte në moshën njëzet e pesë vjeçare. Në kohën që kishte pasuar atë e njihnin të gjithë për drejtësinë dhe fjalën e Tij të drejtë. Mekasit e quanin atë “Muhammed’ul Emin”, që do të thoshte “Muhamedi, Më i Besuari”. Ai nuk kishte treguar asnjëherë interes ndaj idhujve. Në të kundërt, Ai i urrente ata. Ai kishte një besim të pastër tek Allahu. Në atë kohë nuk gjendej ndonjë të ri të kishte moralin e tij.