JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

KOHA PËR MËRGIM

Mosbesimtarët e Mekës filluan ta mundonin më shumë Profetin tonë të Dashur pas vdekjes së xhaxhait të Tij. Kudo që e shihnin e ofendonin dhe i pështynin. Teksa falej në Qabe, ata i hidhnin sipër plëndësa kafshësh. Me këdo që të fliste Mbreti i Profetëve, ata shkonin e i thoshin: “Mos e dëgjoni se ç’thotë ai. Ai është një i çmendur. Ne e kemi larguar atë prej vetes ngase është gënjeshtar.”

Në krye të torturuesve vinin Ebu Xhehli me xhaxhanë e vërtetë të Profetit tonë të Dashur, Ebu Lehebin. As gruaja e Ebu Lehebit, Umu Xhemilja nuk ngelej prapa nga kjo anë. Ajo mundohej që të vendoste gjemba në rrugën nëpër të cilën do të kalonte Profeti, si e si për t’i shkaktuar Atij dhimbje e për t’i përgjakur këmbët. Në fund të gjithë këtyre të këqijave, Allahu i Madh e bëri të ditur me ajet, se Ebu Lehebi, së bashku me gruan e tij do të shkojnë në Xhehenem.

Sikur të mos mjaftoheshin me kaq, mosbesimtarët u munduan që ta vrisnin

Profetin e Nderuar Paqja qoftë mbi Të!. Megjithëse shumë herë e provuan, Allahu i Madh e mbrojti Profetin e Tij prej tyre. Këto tortura nuk bëheshin vetëm kundër Profetit Muhamed. Ato i bëheshin, madje më shumë, edhe besimtarëve të tjerë. Kur padrejtësia arriti kulmin, Allahu u dha leje myslimanëve që të mërgonin.

Një pjesë e myslimanëve kishte emigruar në Etiopi. Ndërsa tani vendi që do të shkonin ishte Medina. Në Medinë kishte mjaft njerëz që i kishin besuar Profetit tonë të Dashur. Ngaqë i dinin shumë mirë vuajtjet që po hiqte Profeti ynë Paqja qoftë mbi Të!, ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Sikur të vije pranë nesh, në Medinë. Ne jemi të gatshëm të të ruajmë prej çdo lloj rreziku. Jemi të gjithë të nderuar sikur ta japim jetën për Ty.” Ata e kishin bërë disa herë këtë lloj kërkese.

Prandaj Profeti Muhamed i urdhëroi myslimanët që ndodheshin në Mekë të shkonin për në Medinë. Kur të shkonin të gjithë në Medinë, atëherë do të ikte edhe Ai vetë. Myslimanët u ndanë gjatë natës në grupe dyshe dhe treshe për të udhëtuar drejt Medinës. Në fund, në Mekë mbetën veç Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!, Aliu, si edhe shoku më besnik i Profetit, Ebu Bekri.

Ky zhvillim i fundit i tërboi fare mosbesimtarët. Menjëherë ata organizuan një mbledhje mes tyre. Në mbledhje ishte edhe një burrë plak i shëmtuar, i dobët dhe me një mjekër të hollë. Kur e panë, e pyetën:

Ti kush je?

Unë jam prijësi i një familjeje në afërsi të Mekës. Dëgjova që këtu po bëhej një mbledhje për të ndalur Muhamedin, andaj desha të jepja edhe unë mendimet e mia, - ktheu përgjigje plaku i shëmtuar.

Në rregull. Gjej edhe ti një vend për t’u ulur, - i thanë.

Filluan të flisnin se ç’duhet të bënin tani që kishin ndodhur këto zhvillime të fundit. Bisedat e tyre dëgjoheshin edhe nga jashtë. Dëgjoheshin të bërtitura me zëra të lartë dhe të nxehur. Njëri prej tyre shprehu këto fjalë:

Tani besimtarët e rinj mund të mbledhin një sërë mbrojtësish në Medinë. Asnjë prej tyre nuk duhet të mbërrijë atje. Përndryshe do ta kemi punën pisk në të ardhmen.

Ti me të vërtetë thua ashtu, por tashmë ata kanë mbërritur në Medinë. Këtu kanë mbetur vetëm Muhamedi me shokun e tij Ebu Bekrin, - tha një tjetër.

Atëherë ne duhet të pengojmë vajtjen e këtyre të dyve në Medinë.

Ç’do të bëjmë me ta, ta zëmë se i penguam? - pyeti njëri.

I fusim në burg. Le të rrinë të mbyllur derisa të vdesin.

Ndërsa bisedat po vazhdonin me mendime të ndryshme, fjalën e mori Ebu Xhehli:

Po ku e lënë në burg atë shokët e tij. Ata vijnë edhe për të luftuar madje, vetëm që ta shpëtojnë. Unë kam një mendim më të mirë.

Cili është ai, pyetën të gjithë me një zë duke parë nga Ebu Xhehli.

Ta vrasim Muhamedin. Kështu që Ai do të mbarojë bashkë me kauzën e Tij. Nëse vdes ai, shokët e tij do të përçahen, ngase do të ngelen pa një kokë që t’i drejtojë.

Ky mendim i pëlqeu të gjithëve. Ebu Xhehli shpjegoi edhe mënyrën se si do ta vrisnin. Në krye të grupit të vrasjes do të ishte ai vetë. Plaku i shëmtuar filloi të fliste pas mendimit të Ebu Xhehlit:

Këto janë mendime të zgjuara. Të përgëzoj. Ti e dhe mendimin më të bukur. Të them të drejtën, as mua nuk më pati ardhur në mendje diçka e tillë.

Plaku që po ia thoshte këto fjalë Ebu Xhehlit të pafat, ishte shejtani, i cili kishte ndërruar pamjen duke ardhur në trajtën e një njeriu. Shejtani, i mallkuar që prej ditës kur u krijua njeriu i parë, po merrte pjesë personalisht në mbledhjen ku do të vendosej për vrasjen e Profetit Muhamed tonë të Dashur.

Allahu i Madh ia bëri të ditur Të Dërguarit të Tij ato çfarë ishin folur në atë mbledhje. Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! vendosi që të nisej për në Medinë. E thirri Aliun për t’i treguar vendin e amaneteve që po i linte. I kërkoi atij që t’ia dorëzonte të gjithëve në kohë. Çfarë gjendjeje e habitshme! Mosbesimtarët këtej merrnin vendimin për ta vrarë Profetin Muhamed, ndërsa në anën tjetër ia çonin Atij sendet e tyre me vlerë që t’ua ruante, sepse e dinin që Ai ishte Më i Besueshmi. Aliu do të flinte në shtratin e të dërguarit të Allahut. Më në fund ra nata.

Çeta e mosbesimtarëve, me në krye Ebu Xhehlin, kishte rrethuar shtëpinë e Profetit tonë të Nderuar. Ishin rreth dyzet vetë. Dyzet luftëtarë të pazemër. Sipas planit të tyre, ata do t’i suleshin Profeti përsipër, sapo të dilte prej shtëpisë. Më pas, do t’i jepnin fund jetës së Profetit të Njerëzimit me hanxharët që mbanin në duar.

Profeti i Nderuar doli prej shtëpisë që e kishin rrethuar këta vrasës, të cilët nuk kishin asgjë njerëzore në shpirtrat e tyre. Mori një grusht dhè prej tokës, lexoi një pjesë prej sures Jasin dhe ia hodhi mosbesimtarëve grushtin e dheut që kishte në dorë, duke ecur mespërmes këtyre krijesave që u shfaqeshin në fytyrat e tyre të gjitha prapësitë që kishin bërë deri në atë çast. Me lejen e Allahut, asnjë prej tyre nuk e pa Të Dërguarin teksa kalonte.

Në rrugë Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! i doli përpara një burrë. Ai donte që t’i lajmëronte mekasit se njeriun që ata po prisnin e kishte parë ai me sytë e tij. Ai iu afrua shtëpisë së Profetit. Me të vërtetë që ishin një tufë e madhe njerëzish që ia kishin rrethuar shtëpinë. Iu drejtua Ebu Xhehlit, që gjendej në krye:

Habitem me ju. Prisni të dalë dikush që nuk gjendet në shtëpi, - i tha.

Ebu Xhehli u nxi në fytyrë. Me zërin e tij të ashpër, e pyeti burrin e panjohur: - Çfarë kërkon të thuash ti more kopuk?

Ju jeni duke pritur për Muhamedin, por më kot! Sepse unë, pa ardhur këtu, e pashë atë në rrugë. Mbi të gjitha më tha edhe se ju ishit këtu duke e pritur për ta vrarë.

Gënjen, more gënjeshtar! S’ka mundësi të ketë dalë, kur ne jemi kaq njerëz që po bëjmë roje. Do ta kishim parë me patjetër po të kishte dalë.

Ai ka shkuar me kohë atje ku ka pasur për të shkuar. Ju ka hedhur dheun syve kur është larguar. Pa shihni njëherë si jeni tërë pluhur në rroba.

Në këtë çast, të gjithë mosbesimtarët zunë të shihnin nga njëri-tjetri. Me të vërtetë që të gjithë ishin të pluhurosur. Allahu i madh e kishte shpëtuar Profetin e Tij duke bërë një mrekulli. Ndonëse mosbesimtarët nuk donin ta besonin. Menjëherë thyen derën dhe hynë brenda në shtëpi.

Ja shtrati! Edhe Muhamedi që është shtrirë brenda tij. Sulm! - thirri Ebu Xhehli.

Shkuan në anë të krevati e ngritën mbulesën. Sapo të gjithë do të godisnin me hanxharë, Ebu Xhehli bërtiti:

Prisni! Ky është Aliu.

Më pas e pyeti:

Ku është Muhamedi?

Aliu iu përgjigj:

Nuk e di. Është atje ku ai dëshiron të jetë.

Mosbesimtarët u shpërndanë menjëherë për t’u mbledhur përsëri në Qabe. Vendosën që ta gjenin medoemos Profetin. Do ta pengonin që të largohej në drejtim të Medinës. Prandaj u nisën menjëherë për në shtëpinë e Ebu Bekrit. Atje gjetën vajzën e Ebu Bekrit, Esmanë.

Ku është babai yt bashkë me shokun e tij? - e pyetën atë.

Nuk janë këtu, - iu përgjigj ajo.

Atëherë ku kanë shkuar?

Nuk e di se ku kanë shkuar, por edhe sikur ta di, nuk jua them.

Kjo përgjigje i ktheu idhujtarët në të çmendur. E rrahën Esmanë dhe hynë me dhunë për të kontrolluar shtëpinë. Pasi nuk lanë cep pa kontrolluar në shtëpinë e Ebu Bekrit, ata u nisën përsëri për t’u mbledhur në Qabe. Në fund të mbledhjes ata erdhën të gjithë në një mendim. Vendimin që morën, ata e përhapën në të gjithë Mekën me anë të kasnecëve:

“Atij që do të sjellë Muhamedin së bashku me shokun e tij Ebu Bekrin, do t’i jepen plot njëqind deve si shpërblim! Mos thoni pastaj që nuk dëgjuam! Atij që i sjell të dy, gjallë a vdekur do t’i jepen njëqind deve dhe shumë dhurata të tjera!”