JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

PLANET PËR TA VRARË PROFETIN MUHAMED

Dikush që rrinte urtë në një qoshe nuk kishte folur fare gjatë gjithë mbledhjes. Ky ishte një njeri që bënte mundje me devetë dhe dilte për të gjuajtur luanë. Ishte një hero i vërtetë. Askush nuk mund të guxonte të përballej me shpatë kundër tij. Ai ishte i gjatë, i fortë dhe një luftëtar i vërtetë. Ai, me zërin e tij të trashë, tha:

Unë. E bëj unë këtë punë. Ia tregoj unë Atij fenë e re dhe të folurin si të dojë për idhujt tanë.

Po, me të vërtetë që më trimi ndër ne ti je, - i thanë atij gjithë mosbesimtarët me një gojë. - Vetëm ti mund ta kryesh këtë punë.

Ky njeri që vendosi për të vrarë Profetin Muhamed ishte Omer bin Hatabi. Përgatiti shpatën dhe u drejtua për nga shtëpia e Profetit. Mirëpo në rrugë ai u takua me Nuajm bin Abdullahun, i cili ishte besimtar, por që nuk e kishte shpallur haptazi besimin e tij. Nuajmi e pyeti:

O Omer, për ku je nisur me këta hapa kaq të rëndë?

Për të vrarë atë Muhamedin që thotë se ka sjellë një fe të re. Lëre që edhe na ka sharë zotat tanë. Thënka se ata nuk paskan asnjë lloj vlere.

Për mendimin tim bën mirë sikur të rregullosh njëherë tët motër. Me sa kam dëgjuar, edhe jot motër, Fatimeja, bashkë me të shoqin, janë nga besimtarët e Tij.

Me të vërtetë e ke ti? Ta dish se, po më pate gënjyer, do të të vras!

Ky sahab, që ishe takuar me Omerin, si fillim kishte dashur që të fitonte pakëz kohë për të lajmëruar Profetin për rrezikun që i kanosej. Ndërsa Omeri ndërroi rrugë për të shkuar njëherë në shtëpinë e së motrës, Nuajmi shkoi për t’i treguar Profetit ato çfarë i kishin parë sytë.

Omeri shkoi në shtëpinë e së motrës me një frymë. Filloi të dëgjonte një zë të veçantë. Këta zëra nuk ngjanin aspak, as me poezi e as me ndonjë gjë tjetër. Duke mos duruar më, Omeri e shpërtheu derën dhe hyri brenda:

Domethënë, ju jeni kthyer në fenë që ka sjellë Muhamedi? - i pyeti ai i nevrikosur.

Ai e mori përsëri fjalën sepse nga Fatimeja dhe i shoqi nuk dëgjohej asnjë zë: - Di unë si t’ju sjell ju në vijë! – bërtiti ai me zë të lartë.

Mandej i rrahu të dy shumë keq. Fatimeja, e cila kishte ngelur pa fuqi përtokë, bërtiti prej besimit që buronte prej zemre:

Po, ne i besuam fesë së re. Besuam se njeriut nuk mund t’i vijë asnjë e mirë prej idhujve që i ka bërë me duart e veta. I besuam Allahut që është një. Besojmë gjithashtu se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Tashmë edhe sikur të na vrasësh, ne prapë nuk do të ndërrojmë rrugë.

Ky qëndrim këmbëngulës i së motrës dhe kunatit e kishte prekur shumë Omerin. Seç ndjeu një si zbutje në zemrën e tij. Prandaj i pyeti ata me një zë të butë:

Çfarë ishte ajo që po lexonit pak më parë?

Ato që lexoheshin ishin ajetet e Kuranit. Ajo që i lexonte ishte Fatimeja bashkë me Hababin, i cili kishte ardhur për t’i shpjeguar burrit të saj Islamin. Hababi po rrinte i fshehur në një qoshe që prej çastit që Omeri kishte shpërthyer derën. Ai e kuptoi prej zërit të Omerit, që ai dëshironte me të vërtetë t’i dëgjonte ato ajete. Hababi doli menjëherë prej qoshes ku ishte strukur dhe tha:

Ato janë ajetet e Kuranit që i kanë zbritur Të Dërguarit të Allahut, o Omer.

Omeri po e shikonte i habitur Hababin.

Po ti kush je?

Unë jam Hababi. Kam ardhur për t’i mësuar motrës dhe kunatit tënd Kuranin.

A m’i jep edhe mua ato ajetet, se dua t’i lexoj? - e pyeti Omeri.

Mirë, por ti nuk ke abdes. Kuranin nuk mund ta lexojnë ata që nuk kanë abdes.

Omeri mori abdes për të lexuar Kuran. Ai filloi t’i lexonte ajetet një e nga një e me një kujdes të madh. Pas çdo ajeti që mbaronte së lexuari ai fillonte të mendohej. Mandej Omerit iu zbut zemra dhe deshi që të ishte edhe ai një besimtar. Pastaj iu kthye Hababit:

A do të më çosh tek Ai?

Kështu, të dy tok, ata u nisën për të shkuar pranë Profetit tonë të Nderuar. Por këtë herë jo për ta vrarë, por për t’i shpallur Atij besim.

Hababi ishte bërë me krahë prej gëzimit, ngaqë po shkonin bashkë me Omerin për tek Profeti. Ktheu edhe njëherë kokën për t’i buzëqeshur Fatimesë me të shoqin, pastaj nxitoi për të arritur Omerin. Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! donte shumë që Omeri të besonte. Sepse ai ishte një njeri i fortë, që i dëgjohej fjala në të gjithë Mekën. Nëse do të besonte, vetëbesimi i myslimanëve do të forcohej mjaft, kështu që edhe vuajtjet që i shkaktoheshin myslimanëve do të pakësoheshin. Më në fund mbërritën tek Profeti dhe Omeri i shpalli besimin e tij. Me t’u ndarë prej Profetit ai shkoi për të bërë një shëtitje rreth Qabes. Mosbesimtarët u habitën shumë kur e panë. “Tani e kemi akoma më të vështirë. Omeri paska kaluar në anën e tyre.”, thanë ata të pikëlluar.

Pas shpalljes së besimit prej Omerit të nderuar, numri i myslimanëve kishte arritur dyzetën. Pas kësaj, Islami nuk do të ishte më i fshehtë, por do të shpjegohej hapur. Kjo ishte një përpjekje e ngjashme me hapjen e një pusi me majën e një gjilpëre. Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! bashkë me këta njerëz do të punonin me durim ditë e natë për shpëtimin e gjithë njerëzimit.