JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
NDODHIA E ELEFANTIT
Ndërkohë, në Mekë po vinin haxhilerët për të shëtitur Qaben prej të katër anëve të botës. Mijëra njerëz që vinin, i siguronin këtij vendi të ardhura të shumta. Qyteti i Mekës dhe Qabeja ishin kthyer njëkohësisht të dyja në qendra të botës. Ndër njerëz kishte edhe nga ata që nuk ishin aspak të kënaqur nga vizitorët kaq të shumtë që kishte ky qytet.
Njëri prej këtyre ishte edhe Ebreheja. Për ta prishur imazhin e Qabes në sytë e njerëzve, ai ndërtoi një kishë tepër të madhe, të cilën e zbukuroi me ar, argjend dhe gurë të çmuar. Sipas tij, tashmë, ky ishte vendi që ia vlente të vizitohej. Ai mendonte se pelegrinët që shkonin për haxh në Qabe, do të ktheheshin aty për të pushuar. Kjo kishë, që si fillim pati shumë vizitorë, pak e nga pak filloi të harrohej. Mbi të gjitha, poetët arabë zunë të talleshin me Ebrehenë.
Ebreheja nuk i honepste dot, as ato që po i bënin arabët dhe as konkurimin e kishës së tij nga një ndërtesë tjetër. Koha kaloi, ndonëse ajo e nxori Ebrehenë të humbur. Njerëzit vazhdonin të zgjidhnin Qaben si vendin më të mirë për të vizituar. Ç’është më e veçanta, tashmë atë e vizitonin më shumë vizitorë se më parë. Ai duhej t’i gjente një zgjidhje shqetësimit që e kishte kapluar. Zgjidhja e vetme që i vinte nëpër mendje ishte ta rrëzonte Qaben.
A DO TË RRËZOHET QABEJA?
U përgatit një ushtri e madhe. Brenda ushtrisë ishte edhe një elefant me emrin Mahmud. Në krye të radhëve të ushtrisë qëndronin Ebreheja me elefantin e tij, Mahmudin. Erdhi koha që ata iu afruan hyrjes së qytetit të Mekës. Aty ata vodhën edhe devetë e Abdulmutalibit, të cilat ishin duke kullotur.
Ebreheja e thirri kasnecin e tij, të cilin do ta dërgonte në Mekë për të biseduar me prijësin e Mekës:
Tani më dëgjo mirë dhe transmetoja fjalë për fjalë prijësit të Mekës këto që po të them, - e porositi Ebreheja lajmësin e tij.
Patjetër imzot, ia ktheu kasneci i bindur!
Këtu nuk kemi ardhur për të luftuar. Kemi ardhur për të shkatërruar Qaben, që ju e mbani si vend adhurimi. Ne nuk duam të derdhim gjakun e askujt për aq kohë sa nuk del askush që të na pengojë në rrugën tonë.
Kasneci që mori këto urdhra u nis menjëherë në drejtim të Mekës. Ai ia transmetoi Abdulmutalibit, që ishte në krye, një për një, të gjitha ato çfarë i kishte porositur mbreti i tij. Sapo kasneci e mbaroi fjalën, përreth ra një heshtje e plotë.
Ata që ndodheshin aty zunë të prisnin përgjigjen që do të jepte Abdulmutalibi. Meka nuk e kishte fuqinë e mjaftueshme për t’u përballur me këtë ushtri kaq të madhe. Më në fund, qetësinë mbizëtoruese e thyen fjalët e Abdulmutalibit tek i thoshte kasnecit të Ebrehesë:
As ne nuk duam të luftojmë me Ebrehenë, por dijeni mirë se kjo ndërtesë e shenjtë i takon Allahut. Vetëm Ai mund ta shpëtojë Qaben prej shkatërrimit. Nëse Ai nuk e ruan këtë ndërtesë, e cila është bërë enkas për Të, atëherë ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër vullnetit të mbretit tuaj.
Pak pasi u takua me kasnecin e Ebrehesë, Abdulmutalibi shkoi vetë për tek Ebreheja. Pamja madhështore dhe e hijshme e Abdulmutalibit e ndikoi Ebrehenë së tepërmi. U çua në këmbë dhe e priti gjyshin e Profetit duke e pyetur për qëllimin e tij. Mes tyre kaloi kjo bisedë:
Ushtarët e tu, teksa vinin për këtu, më kanë vjedhur dyqind deve. Unë po shkoja për t’i marrë.
Kur të pashë për herë të parë mendova se ishe trim. Unë po të them se kam ardhur për të rrëzuar Qaben, që është vendi yt i adhurimit dhe i të parëve të tu, ndërsa ti më thua se të kanë vjedhur devetë.
Unë jam pronari i deveve, ndërsa i zoti i Qabes është Allahu.
Këto fjalë e tërbuan Ebrehenë duke e bërë atë që të bërtiste:
Jepjani devetë këtij. Asgjë nuk mund të më ndalë që ta shkatërroj Qaben!
Abdulmutalibi, i cili nuk e kishte prishur gjakun gjatë tërë bisedës:
Mua, kjo as që më intereson. Ja tek e keni Qaben, ja edhe rrugën, - u tha duke u larguar bashkë me devetë e tij drejt Mekës.
Abdulmutalibi dha fjalën se do t’i jepte ato deve si sadaka, me qëllim që Qabes të mos i ndodhte asgjë. Gjithashtu u kërkoi të gjithëve që ta boshatisnin qytetin përpara se të vinin keqbërësit. Banorët e dëgjuan fjalën e tij duke dalë prej qytetit ose duke u fshehur nëpër male.