JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

SHPELLA HIRA

Mosha e Profetit po i afrohej të dyzetave. Ndonjëherë shihte një dritë të bardhë përpara vetes, ndonjëherë dëgjonte një zë tek i drejtohej Atij. Nuk kishte shumë që kishte mbaruar përsëritja e këtyre ngjarjeve të pazakonta, kur Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! filloi të shihte shpesh ëndrra. Natën, në një gjendje as zgjuar dhe as në gjumë, Atij i tregoheshin punët që do të bënte gjatë ditës. Ai shihte se si të gjitha ato çfarë kishte parë në ëndërr i ndodhnin me të vërtetë gjatë ditës.

Këto ëndrra zgjatën plot gjashtë muaj. Ndërkohë, Profeti Muhamed po mundohej të kuptonte sekretin e këtyre dukurive të pazakonta që po përjetonte. Sakaq Ai nuk reshtte kurrë së menduari dhe për Krijuesin e Universit dhe qëllimin e krijimit të njerëzve. Për të menduar më qetazi për këto tema, Ai vendosi të largohej nga njerëzit drejt një vendi të vetmuar.

Ai kishte një zakon të vjetër, të cilin kishte vite të tëra që e ndiqte. Ai e kalonte muajin e Ramazanit çdo vit në shpellën Hira, që gjendet në majën e Malit të Dritës. Aty mendonte për Allahun e Madh duke i bërë Atij adhurimet e nevojshme sipas fesë së Profet Ibrahimit.

Edhe tani që mbushi dyzet vjeç, Ai do të shkonte përsëri në shpellën Hira për ta kaluar atje muajin e bekuar të Ramazanit. Nëna jonë, Hatixheja, i kishte përgatitur ushqime dhe rroba që Ai t’i kishte me vete. Hira, prej Mekës ishte dy orë larg në këmbë. Koha ishte e nxehtë dhe rruga e vështirë. Mirëpo Profeti ynë as që trembej fare prej tyre. Ai mendonte veç për Allahun. Më në fund mbërriti në shpellë.

Hyrja e shpellës shikonte për nga Qabeja. Ishte e një gjatësie dhe madhësie sa për të hyrë një njeri pa u përkulur. Profeti ynë kryente papushim veç adhurime në atë shpellë. Nënë Hatixheja e vizitonte Atë përditë, i sillte për të ngrënë dhe e pyeste në kishte qenë mirë.

Ishte agimi i ditës së shtatëmbëdhjetë të muajit të Ramazanit. Ishte ditë e hënë. Përreth mbizotëronte një qetësi. Thua se çdo gjë po priste atë çfarë do t’i thuhej Mbretit të Profetëve. Në shpellë erdhi engjëlli i kumtit të Allahut, Xhebraili, në trajtën e një njeriu të bukur. Çdo cep ishte mbushur me një shkëlqim dhe aroma të mrekullueshme. Pasi e përshëndeti Profetin tonë, Xhebraili e përqafoi Atë shumë fort dhe e lëshoi. Me një zë të fortë dhe duke buzëqeshur, i tha Profetit:

Lexo!

Profeti ynë ishte emocionuar shumë prej kësaj gjendjeje.

Unë nuk di të lexoj, iu përgjigj Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të!, i zhytur i tëri në habi dhe frikë.

Xhebraili alejhiselam buzëqeshi, e përqafoi Atë sërish fort dhe i tha përsëri:

Lexo!

Pasi ia përsëriti të njëjtën përgjigje për herë të dytë, engjëlli e përsëriti veprimin e tij edhe njëherë, derisa Profeti e pyeti se çfarë të lexonte.

Mandej, engjëlli Xhebrail i lexoi Të Dërguarit të Allahut ajetet e para të sures Alak:

Lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)! E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku. Lexo! Se Zoti yt është më Bujari, i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.

Profeti ynë i Nderuar i përsëriti me emocion këto ajete. Ajetet sapo i ishin ngulitur thellë në zemër dhe gjuhë, tek Xhebraili u zhduk.

Krenaria e Njerëzimit po mundohej të kuptonte se ç’ishte ajo që i kishte ngjarë. Zemra sak do t’i ndalte fare prej emocionit. Doli menjëherë prej shpellës duke vrapuar drejt shtëpisë. Çdo gjë në rrugë e përshëndeste atë, “Përshëndetje të paqta Ty, o i Dërguar i Allahut!”. Më në fund, i kapluar kokë e këmbë prej emocionesh të papërshkrueshme, Profeti mbërriti në shtëpi.

Me të hyrë brenda Ai i kërkoi nënë Hatixhesë që ta mbulonte. Nëna jonë, Hatixheja e pati përkapur menjëherë se kishte diç të pazakontë. Megjithatë e shtriu dhe e mbuloi të Tërin pa i bërë asnjë pyetje. Priti gjithë merak derisa i Shoqi të çohej. Profeti Muhamed, i cili u ngrit pas pak, zuri t’ia tregonte një për një gruas së Tij të gjitha ato që i kishin ngjarë në shpellë. E më pas i kishte thënë:

Kam frikë o Hatixhe.

Nënë Hatixheja u ul pranë të Dërguarit me një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë duke i thënë këto fjalë:

Aspak mos u tremb dhe mos u shqetëso. Mos u mërzit. Allahu kurrë nuk e turpëron një rob si Ti. Unë e di që Ti thua veç të drejtën. Tregon një kujdes të veçantë për të afërmit dhe e përmbush pa asnjë mangësi çdo lloj amaneti që të lënë të tjerët. I ndihmon të varfrit dhe i bën mirë familjes tënde. Unë kam besimin se Ti do të bëhesh Profeti i këtij populli.

Saora vendosën që t’ia pyesnin dikujt tjetër kuptimin e këtyre ndodhíve të pazakonta. Me këtë mendim ata shkuan fillimisht tek Uarakaja, kushëriri i nënë

Hatixhesë. Sepse Uarakaja ishte një nga njohësit më të mirë të fesë atë kohë.

Ishte nga njerëzit e ditur, të cilët e kishin lexuar Teuratin, por edhe Ungjillin. Uarakaja ishte plakur shumë. Tashmë e kishte humbur shikimin. Ai e dëgjoi Krenarinë e Njerëzimit nga fillimi deri në fund pa e ndërprerë. Teksa e dëgjonte, fytyra i ndërronte ngjyrë prej ndikimit. Kur Profeti ynë mbaroi së foluri, ai hapi duart dhe tha:

Ai që ke parë Ti është engjëlli që Allahu i dërgoi Profetit Musa. Ai është engjëlli që zbret fjalën e Allahut në tokë. Ai është Xhebraili alejhiselam. Ndërsa Ti, Ti je Profeti i këtij populli. Ah, sikur të jetoja edhe unë në ato ditë që Ti do ta thërrasësh këtë popull në fenë Tënde e të të ndihmoja me gjithë përkushtimin tim.

Uarakaja, njohës i mirë i Librave të shenjtë, e dinte se në atë periudhë kohe do të vinte një profet. Pas atyre që i ishin rrëfyer, ai e pati kuptuar se ky profet ishte Muhamedi Paqja qoftë mbi të!, të cilin tashmë e kishte përballë.

Dyzet ditë pas zbritjes së parë të fjalës së shenjtë, teksa po kthehej për në shtëpi, Profeti dëgjoi një zë që vinte prej qiellit. Ngriti kokën e Tij të bekuar për të parë drejt qiellit. Atje pa Xhebrailin alejhiselam, i cili ishte ulur në një fron. Nga frika iu prenë këmbët. Ishte frikësuar jashtëzakonisht shumë. Shkoi menjëherë në shtëpi dhe kërkoi që ta mbulonin menjëherë.

Teksa Profeti ishte mbështjellë me mblojë, Allahu iu drejtua:

“O Profet i mbuluar në mblojën e vet! Çohu dhe paralajmëroji njerëzit! Dhe madhëroje Zotin tënd! Rrobat mbaji të pastra! Vazhdo pa adhuruar asnjë idhull!”

Pas kësaj ndodhie, ajetet vazhduan të zbrisnin derisa Kurani të plotësohej.