JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
LUFTA E HENDEKUT
Myslimanët kishin marrë një goditje të rëndë prej luftës së Uhudit. Mosbesimtarët, të cilët nuk donin ta humbnin këtë mundësi, vendosën të bënin diçka. Ata bënë një mbledhje ku u vendos të ngrihej një ushtri e stërmadhe. Këtë herë qëllim ishte të zhdukeshin tërësisht myslimanët. Do të sulmonin Medinën e do të kalonin çdo mysliman në tehet e shpatave të tyre. Këta njerëz, që i kishin sytë të veshur dhe zemrat sterrë të zeza, u drejtuan drejt Medinës me një ushtri prej dhjetëmijë vetësh.
Profeti i profetëve, e mori vesh se ç’kishin vendosur të bënin mosbesimtarët, prandaj u mblodh me të gjithë sahabët e Tij për të vendosur se çfarë taktike do të ndiqnin përballë këtij kërcënimi. Medina e shndritshme do të mbrohej duke hapur një hendek rreth saj, i cili do të pengonte hyrjen e mosbesimtarëve në qytet. Ata i bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme përpara se armiqtë të vinin. Ata hapën një hendek shumë të gjerë. Prandaj kjo luftë u quajt “Lufta e Hendekut”.
Armiku u habit kur pa hendekun. Ata nuk kishin parë kurrë më parë një mbrojtje të atillë. E rrethuan qytetin në anën e tyre të hendekut. Ky rrethim zgjati gati një muaj. Përveç ndonjë dyluftimi të rrallë e disa shigjetave, nuk u bë ndonjë luftë e madhe. Megjithatë, ngaqë ishin të rrethuar, ata do të vuanin për ujë dhe ushqim. Por as mekasit nuk donin të largoheshin pa e bërë Medinën të tyren. Krahas luftës, moti i ftohtë e kishte vështirësuar edhe më jetesën.
Profeti ynë i Nderuar nga njëra anë mendonte për fëmijët jetimë që qanin, nënat që i kishin sytë me lotë dhe pleqtë, ndërsa nga ana tjetër mendonte për shokët e tij, që ishin të vendosur të mos linin askënd prej mosbesimtarëve që të hynte brenda qytetit të Medinës. Atë e mërzisnin shumë vuajtjet që hiqnin këta njerëz që nuk mendonin asgjë tjetër veç adhurimit të Zotit dhe të jetuarit të fesë së tyre. Në fund i ngriti duart e Tija të bekuara për t’u lutur që Allahu t’i shpëtonte këta njerëz prej gjithë këtyre vuajtjeve.
Lutja e Tij u pranua. Atë mbrëmje erdhi Xhebraili alejhiselam, i Cili dha sihariqin se një erë e fuqishme do ta thyente armikun. Profeti ynë, sapo dëgjoi këtë lajm të mirë, e falënderoi menjëherë Allahun. Në ditët që vijuan filloi të frynte një erë shumë e ftohtë. Devetë filluan të ngatërroheshin me kuajt. Nuk dallohej asgjë. Një furtunë e mjegullt dheu filloi të frynte mbi mosbesimtarët. Çadrat filluan të ngriheshin në qiell dhe ngjanin sikur të ishin shami. Kështu, ushtria e robtuar e mekasve u detyrua të kthehej për andej nga kishte ardhur.
Me të përfunduar lufta, Profeti i Njerëzimit u dha një lajm të mirë:
- Që këtej e tutje mosbesimtarët nuk do të na bien më në qafë. Tashmë do të jemi ne ata që do të ngrihemi kundër tyre.
Të gjithë sahabët u gëzuan pa masë kur dëgjuan këtë myzhde. Pas kësaj lufte mosbesimtarët kishin vendosur që të bënin një marrëveshje me myslimanët.