JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
LUTJE ME FOSHNJEN E NDRITSHËM
Thatësira dhe skamja ishte shtuar aq shumë, sa një ditë të gjithë vendosën të bënin lutjen e shiut. Ishte ditë e premte. Të gjithë së bashku, burra e gra, fëmijë e pleq u mblodhën në majën e një kodre. Ata u lutën me orë të tëra me ndihmën e një murgu të shkuar në moshë. Mirëpo nga qielli nuk po vinte asnjë pikë shiu. Kjo gjendje i kishte mërzitur shumë banorët e pllajës. Një grua e vjetër, iu afrua murgut për t’i thënë:
Or Murg, ne u lutëm kaq shumë, por lutja jonë nuk u pranua. Domethënë, mes nesh nuk paska njerëz të devotshëm.
Murgu ishte mërzitur shumë prej këtyre fjalëve. Mirëpo gruaja e vjetër donte të thoshte edhe diçka tjetër, prandaj vazhdoi me këto fjalë:
Në shtëpinë e fqinjës sonë, Halimes, është një foshnje nga Meka. Që prej ditës që ai ka ardhur, në atë shtëpi ka vetëm begati dhe pasuri. Them që ta marrim atë fëmijë për ta bërë si shkas për pranimin e lutjes sonë. Mbase atëherë Allahu na i pranon lutjet duke na dërguar shi.
Edhe murgut i kishte pëlqyer shumë ky mendim. Zaten, përveç kësaj mundësie ata nuk kishin se ç’të bënin tjetër. Plaka e vjetër u fut përmes turmës për të gjetur Halimen. E gjeti dhe i shpjegoi se si qëndronte çështja. Halimeja, e vetëdijshme për gjendjen e vështirë, shkoi dhe e mori menjëherë fëmijën e bekuar. Ato shkuan në shtëpi, të dyja, bashkë me plakën e vjetër, e cila kishte pasur këtë mendim të vyer.
Halimeja e mbështolli fëmijën me një mbulesë. Ajo i vendosi gjithashtu një copë beze tek sytë, me qëllim që dielli të mos ia vriste sytë e vegjël foshnjës së bekuar. Donin që të mbërrinin sa më shpejt në vendin e lutjes. Kur dolën nga shtëpia, ata vunë re se nga pas po i ndiqte një re, e cila i bënte hije Profetit tonë të Nderuar, Muhamedit Paqja qoftë mbi Të. Mirëpo ata as që i dhanë shumë rëndësi këtij fakti. Megjithëse ato po përparonin duke ecur, reja nuk po u shqitej së ndjekuri. Halimeja, e cila e kuptoi, e ngriti bezen që qëndronte mbi fytyrën e foshnjes. Në atë çast, shikimet e tyre u përplasën, e foshnja e vogël i buzëqeshi ëmbëlsisht Halimes. Dashuria dhe dhembshuria ndaj këtij fëmije tani ishte akoma edhe më e madhe.
Edhe kur mbërritën në vendin e lutjes, reja ishte sërish duke u bërë hije. Këtë e kishte vënë re edhe prifti. Tashmë kishte filluar edhe ai të besonte se ky fëmijë do të sillte me të vërtetë begati dhe bollëk. Murgu e mori fëmijën nga krahët e Halimes duke iu drejtuar popullit të mbledhur:
O njerëz! Kërkoni shi prej Zotit për hir të këtij fëmije. Mendohet që ky të jetë një njeri shumë i rëndësishëm për Allahun.
Ndërkohë, murgu nuk po i largonte dot sytë prej syve të zinj të Profetit tonë të Nderuar. E kishte kuptuar se ky ishte një njeri i veçantë. Sakaq, reja, e cila deri më tani po i bënte hije Profetit, u zmadhua aq shumë sa filloi ta mbulonte gjithë vendin. Sa vinte e rritej, sa vente e nxihej. Erdhi çasti i shumëpritur. Të gjithë filluan të brohorisnin.
“Shi, shi, shi! Shyqyr, më në fund po bie!”
Ky shi vazhdoi për një javë me radhë pa asnjë ndërprerje. Fushat e barit gjelbëruan sërish, pemët lëshuan prapë sythe. Kafshëve ngopën barkun dhe qumështi iu shtua. Begatia që ekzistonte në shtëpinë e Halimes tashmë u shpërnda në të gjithë pllajën.