JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

PROFETI I NDERUAR KUJDESET PËR ALIUN

Vitet kalonin shumë shpejt. Varfëria e xhaxhait të Profetit, Ebu Talibit, vazhdonte të përkeqësohej. Profeti ynë i Nderuar e ndihmonte mesa mundej të ungjin. Ndihmat që Ai dërgonte e gëzonin së tepërmi Ebu Talibin dhe fëmijët e tij. Me dëshirën për t’i dhënë një ndihmë më të madhe, Profeti ynë i Nderuar shkoi të takohej me xhaxhain e Tij të madh, Abazin. Ai i tha:

Ti e di se ç’është duke hequr xhaxhai im dhe vëllai yt bashkë me familjen e tij. Gjendja ime dhe e jotja është shumë më e mirë. Si thua sikur t’u marrim ne disa prej fëmijëve të tyre për t’i rritur në shtëpitë tona?

Shumë mirë e ke menduar. Edhe mua po më pëlqen mendimi yt, - ia aprovoi ai mendimin Nipit të tij të Dashur.

Me të përfunduar bisedën, Profeti ynë i Nderuar e mori xhaxhanë e Tij, Abazin për të shkuar pranë Ebu Talibit. Ebu Talibi shihte fëmijët e tij teksa vëllai i tij i madh Abazi fliste.

Profeti ynë i Nderuar donte që Aliu, i cili ishte ende fëmijë, të rrinte me Të. Ebu Talibi e pranoi kërkesën e Tij me kënaqësi. Ndërsa xhaxha Abazi mori vëllanë e madh të Aliut, Xhaferin. Kur ndodhi kjo, Profeti ynë i Dashur ishte tridhjetë e gjashtë vjeç. Aliu do të kishte nderin të qëndronte pranë Profetit tonë që prej fëmijërisë së tij.

Në vazhdimësinë e jetës kishte shumë gjëra që e shqetësonin së tepërmi Profetin tonë. Imoraliteti kishte zënë vend thellë tek njerëzit. Alkooli, kumari dhe fajdeja ishin kthyer në gjëra të zakonshme. Femrave nuk u njihej asnjë vlerë. Ato shiteshin dhe bliheshin në treg sikur të ishin mall për t’u tregtuar. Fëmijët vajza shiheshin si ogurzeza, madje i varrosnin ato për së gjalli.

Ndaheshin njerëzit në skllevër, robër dhe klasë e lartë, megjithëse kur lindnin nuk kishin kurrfarë dallimi. Nuk kishte njeri që të mos i bëhej padrejtësi. Hapeshin luftëra për gjëra nga më të voglat, ndonëse në to vdisnin shumë njerëz. Shumica e njerëzve ishin mashtrues. Njerëzit që nuk gënjenin ishin të paktë. Sikur të mos mjaftonin të tëra këto, njerëzit arrinin të adhuronin idhuj të cilët i kishin bërë me duart e tyre.

Të gjitha këto e mërzisnin shumë Krenarinë e Njerëzimit. Vazhdimisht Ai mendonte rrugëzgjidhje të ndryshme për këto probleme të qenësishme. Teksa po mendonte se si do t’i vejë halli këtyre njerëzve, dëgjoi një zë që i tha: “O

Muhamed!”

Nuk kishte asnjë shenjë se prej nga vinte ky zë. Krenaria e Njerëzimit e dëgjoi shumë herë këtë zë, në shumë vende të ndryshme. Ndonjëherë Atij i shfaqej përpara edhe ndonjë dritë sylëbyrëse. Kjo ngjarje u përsërit në të njëjtën mënyrë përgjatë një viti të plotë.

Ndërkohë që Krenaria e Njerëzimit kishte mbushur tridhjetë e nëntë vjeç.