JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
FILLOJNË LUFTËRAT
Në Medinë, tashmë kishin filluar ditë të lumtura. Profeti ynë i Dashur i shpalli vëllezër besimtarët e ardhur me ata vendas. Këtej e tutje vendasit do të quheshin “ensarë”, ndërsa të ardhurit “muhaxhirë”.
Ata që thonin “Allahu është një dhe Muhamedi është Robi dhe i Dërguar i Tij.”, nuk trembeshin më prej torturave të mekasve. Të gjithë myslimanët ishin bashkuar dhe po mësonin fenë e tyre prej Profetit të tyre të Dashur. Andaj numri i atyre që i besonin Allahut dhe Profetit të Tij shtohej nga dita në ditë. Edhe numri i atyre që vinin nga vendet pranë Medinës për të pranuar ftesën e Profetit Muhamed për të hyrë në Islam rritej çdo ditë e më shumë. Mirëpo mekasit kishin filluar të tërboheshin nga kjo gjendje. Ata po bënin ç’t’u vinte dorësh për ta ndaluar përparimin e Islamit.
Ndërsa Profeti Muhamed nuk reshtte kurrë së ftuari ata veç për mirë në rrugën e vetme që është rruga e Allahut, prapëseprapë ata nuk e dëgjonin. U kërkoi të hiqnin dorë prej imoralitetit, por ata nuk e dëgjuan. U tha se adhurimi tek idhujt nuk ka asnjë lloj vlere, por ata prapë nuk e dëgjuan. Ua ndaloi t’i varrosnin vajzat e vogla për së gjalli, nuk iu bindën. U tregoi se kamata, vjedhja dhe gënjeshtra janë tri vese të këqija, e ata sërish nuk e dëgjuan. Mirë që nuk bënë asnjë prej këtyre, por edhe e përzunë Profetin e Njerëzimit prej vendlindjes së Tij. Madje, tashmë duke mos i larguar dot me dhunë, tortura dhe kërcënime me jetë për t’i larguar prej rrugës së drejtë, ata vendosën t’u hapnin luftë myslimanëve.
Madje ata ia kishin grabitur të gjitha pasuritë që myslimanët kishin lënë në Mekë. Ua grabitën të gjitha, shtëpitë, bahçet, arat dhe dyqanet. Pasuritë që u morën prej aty do t’i çonin në Siri për t’i shitur. Karvani që do të nisej për në Siri me këto mallra përbëhej prej njëmijë deveve. Me pasurinë e përftuar prej aty do të ngrihej një ushtri për të shkatërruar myslimanët që jetonin në Medinë. Mosbesimtarët kishin frikë se mund t’u vinte fundi me këtë ritëm që po shtoheshin myslimanët. Prandaj më e mira e të mirave ishte t’i gjendej një zgjidhje përpara se myslimanët të vazhdonin ende të shtoheshin.