JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

RRUGË TJETËR, NDJEKJE E VËSHTIRË

Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi të! me shokun e Tij të mirë, Ebu Bekrin, ishin nisur për në Medinë. Por nuk do të shkonin nga rruga e zakonshme. Ata do të ndiqnin një tjetër rrugë. Të gjithë mendjeprishurit që donin të fitonin njëqind deve kishin dalë nga pas për t’i kërkuar këta dy Udhëtarë të Bekuar. Por në çdo rrugë që ndiqnin ktheheshin duarbosh. Sakaq, një grup prej tyre e kishte hamendësuar rrugën që mund të ndiqte Profeti Muhamed.

Një ekip i armatosur e me kuaj e kishin gjetur rrugën që mund të kishte ndjekur Profeti bashkë me Ebu Bekrin Besnik. Dy shokët e bekuar u fshehën në shpellën e Theurit. Mosbesimtarët që kishin mbërritur deri në hyrjen e shpellës, thanë:

Ejani shpejt! Këtu përfundojnë gjurmët. Ata duhet të jenë këtu. S’ka mundësi të kenë vazhduar më tutje.

Të gjithë u mblodhën të gëzuar përpara shpellës. Mirëpo para se të vinin mosbesimtarët, një merimangë kishte thurur një rrjetë të stërmadhe në hyrjen e shpellës. Një rrjetë që ishte me shumë shtresa. Ndërsa në hyrjen tjetër ishte një pëllumb që kishte shtruar vezët e tij të sapolindura. Nga brenda shpellës dukeshin vetëm trupat mes e poshtë të mosbesimtarëve të armatosur. Nëse ata do të përkuleshin për të parë brenda shpellës, do ta vinin re Profetin e Allahut me shokun e Tij besnik.

Ndërkohë, Ebu Bekri po dridhej nga frika. Jo për veten, por kishte frikë se mos i ndodhte gjë Profetit. Ndërsa ata që ishin jashtë po bisedonin, ai iu drejtua Profetit me këto fjalë:

Nëna dhe babai im të qofshin falë o i Dërguar i Allahut! Nuk dua t’ia di se ç’mund të më ndodhë mua, por kam frikë se këta njerëz të këqij mund të të bëjnë keq Ty.

Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! ia ktheu me qetësi:

Mos u tremb o Ebu Bekr! Allahu është me ne!

Saora, jashtë shpellës po bëheshin biseda të nxehta. Njëri prej mosbesimtarëve tha:

Për mendimin tim, jemi duke humbur kohë së koti. Nëse Muhamedi do të ishte këtu, bashkë me shokun e tij, kjo rrjetë e merimangës do të ishte prishur.

Po, ke të drejtë. Kjo rrjetë do të ishte prishur dhe ky pëllumb do të kishte fluturuar, - u hodh një tjetër. - Për mendimin tim, kjo rrjetë është thurur shumë kohë para se të lindte edhe vetë Muhamedi, andaj ejani të mos humbim më kohë.

Profeti ynë i Nderuar dhe shoku i tij pritën plot tri ditë në shpellën e Theurit. Në këto tri ditë mosbesimtarët nuk lanë cep pa kërkuar. Ditën e tretë në agim, njëri prej robërve të Ebu Bekrit i solli atyre dy deve. Kështu nisi udhëtimi që do të mbaronte në Medinë.

Mirëpo nuk kishte kaluar as gjysma e rrugës, kur Thuraka, një mosbesimtar nga Meka, ra në gjurmët e tyre. I kishte kapur ata duke e ngarë kalin me galop ditë e natë. Ebu Bekri besnik u shqetësua shumë kur pa se ishte dikush që po i ndiqte. Profeti ynë Paqja qoftë mbi Të! iu drejtua përsëri shokut të Tij me këto fjalë:

Mos u tremb o Ebu Bekr! Allahu është bashkë me ne.

Pastaj u kthye për të parë nga Thuraka. Sapo e pa Profeti, këmbët e kalit të Thurakës filluan të zhyteshin në tokë duke e ndaluar kalin që të lëvizte. Kur Profeti ynë i Nderuar u kthye që të vazhdonte rrugën, kalit iu çliruan këmbët prej rërës. Sakaq Thuraka vazhdoi t’i ndiqte. Profeti u kthye për ta parë përsëri dhe këmbët e kalit filluan të zhyteshin sërish në tokë. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, nga vendi ku ishin zhytur këmbët e kalit filloi të dilte tym. Thuraka e kuptoi se kjo ishte një mrekulli e Allahut dhe iu drejtua Profetit të Allahut:

O Muhamed! Mos më lër këtu. Ti je më i mëshirshmi ndër të gjithë ne. E kuptova se këto që po më ndodhin vijnë ngase po të ndjek Ty.

Profeti ynë i Nderuar iu përgjigj:

Të shpëtoj, por vetëm me një kusht.

Thuaje o Muhamed! Jam gati ta pranoj.

Tani do të reshtësh së na ndjekuri dhe do të kthehesh mbrapa. Nëse ka të tjerë që janë duke ardhur në këtë drejtim, do t’i ndalosh, në rregull?

Në rregull o Muhamed! Do ta bëj atë që më thua. Vetëm më shpëto prej kësaj gjendjeje.

Teksa po zhvillohej kjo bisedë, kali i Thurakës u çlirua prej tokës, dhe ai e mbajti fjalën duke u kthyer për në shtëpi. Rrugës ai pa të tjerë që ishin duke ndjekur Të Dërguarin e Allahut. Duke i treguar atyre rrugën se nga kishte ecur Profeti, u tha:

Këto anë i shëtita unë të tëra. Zaten prej andej po vij. Nuk ka asnjë njeri që të jetë duke udhëtuar në këto anë. Hajdeni ta kërkojmë Muhamedin nëpër drejtime të tjera.

Mekasit ndërruan rrugën duke falënderuar Thurakën për ndihmën i kishte dhënë. Kështu që tashmë nuk kishte më njeri që ta ndiqte Profetin tonë të Dashur nga pas. Nuk kishte ngelur askush që nuk e dinte se Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! kishte mërguar për në Medinë bashkë me shokun e tij besnik, Ebu Bekrin. Të gjithë ishin duke pritur me shumë emocion mbërritjen e tyre. Tashmë njerëzit vinin çdo ditë deri në të dalë të qytetit të Medinës, derisa dielli bëhej gati për të perënduar, për të pritur këta dy miq të bekuar. Profeti i Allahut nuk kishte mbërritur ende, megjithëse kohë e mjaftueshme për të mbërritur nga Meka kishte kaluar. Medinasit merakoseshin shumë se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë rrugës. Ata dilnin të gjithë në rrugë, me fëmijë e pleq, gra e burra, për të pritur Mbretin e

Profetëve. Gratë rrinin nëpër çatitë e shtëpive, djemtë e rinj hipnin mbi pemët e hurmave për të parë sa më larg prej andej nga pritej të vinte Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të!. Më në fund kishte qenë njëri nga djelmoshët që qëndronin mbi pemët e hurmave që kishte bërtitur:

Po vijnë! Po vijnë! Erdhën, ja ku janë.

Pas këtij sihariqi, i gjithë populli i Medinës u derdh nëpër rrugë. Edhe fëmijët e vegjël që gjendeshin në krahët e nënave të tyre, nisën të vraponin për të pritur Profetin e profetëve, Profetin Muhamed, bashkë me shokun e Tij besnik, Ebu Bekrin. Fëmijët vraponin duke lodruar. Të rinj e të vjetër qanin prej gëzimit. Në gojët e tyre kishte këngë, në fytyrat e tyre gëzim të papërshkrueshëm. Të gjitha gjallesat, frymorë, jo frymorë, të gjitha fluturonin prej gëzimit. Asnjëherë në rruzullin tokësor nuk ishte pritur ndonjë njeri në këtë lloj mënyre.