JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

AI ISHTE DRITA E SYVE TË GJYSHIT

Profeti i Dy Botëve Paqja qoftë mbi Të! që këtej e tutje do të jetonte me gjyshin e Tij, Abdulmutalibin. Abdulmutalibi ishte një nga njerëzit më të nderuar të Mekës. Donte shumë që t’ua ngopte barkun të skamurve, si edhe sillej mjaft mirë me fqinjët e tij. As nuk merrte e as nuk jepte fajde siç bënin mekasit e tjerë. Mbi të gjitha, ai besonte tek Allahu.

Filloi të mos e ndante kurrë të nipin prej vetes, sidomos tani që i kishte humbur si të birin ashtu edhe nusen brenda një kohe shumë të shkurtër. Kudo që shkonte do ta merrte Atë me vete. Në mbledhjet që bënte me të parët e Mekës nuk e ndante asnjëherë nga vetja. Madje kishte edhe raste kur e pyeste dhe merrte mendimin prej të nipit mbi çështje të rëndësishme. Duke qenë serioz, Krenaria e Njerëzimit mund të shkonte në çdo vend ku shkonte gjyshi i tij. Gjyshi me të nipin ndenjën të ndarë prej njëri-tjetrit veç një herë. Kjo ishte një herë kur Abdulmutalibi kishte shkuar për të uruar një guvernator të sapoemëruar në anët e Jemenit.

Guvernatori që ai po shkonte ishte i krishterë. Sapo ishte emëruar në këtë detyrë. Prandaj çdo ditë atij i shkonin miq nga të katër anët ta uronin për detyrën e re. Radha e urimit tashmë i kishte ardhur Abdulmutalibit dhe njerëzve që ai kishte përreth. Kur shkuan dhe treguan se ishin nga Meka, guvernatori nisi të shfaqte një interes të veçantë. Madje, një natë, teksa po bisedonin, ndërmjet tyre kaloi një bisedë e këtillë:

Me sa kam lexuar në Librat e shenjtë, profeti i fundit do të dalë nga mesi juaj. Ka mundësi që tani afër të ketë lindur.

Abdulmutalibi ia ktheu:

Çfarë shenjash tregohen në Librat tuaj për të?

Prisni t’jua tregoj, i tha ai duke vazhduar. Pa lindur, Atij do t’i vdesë babai. Ndërsa nëna do t’i vdesë në fëmijërinë e Tij. Kështu që Ai do të jetojë me të gjyshin. Kur t’i vdesë gjyshi, Ai do të jetojë me xhaxhanë e Tij. Mbi të gjitha, ai do të ketë një vulë të profetësisë në shpinën e tij.

Abdulmutalibi kishte shtangur ato çaste.

Të gjitha këto thuhen në Librat tuaj të shenjtë, apo jo? - e pyeti përsëri ai, i mahnitur.

Patjetër që po. Feja që Ai do të kumtojë, do të përhapet në të gjithë botën. Populli i vet do ta detyrojë Atë të largohet drejt Medinës dhe hebrenjtë do të jenë armiqtë e Tij më të flaktë. Nëse ke ndonjë fëmijë të tillë atje në vendin tënd, duhet ta mbrosh Atë prej hebrenjve. Si edhe nëse nuk gabohem në hamendjet e mia, ti duhet të kesh një lidhje gjaku me atë fëmijë.

Ju betohem që jeton një djalë me të gjitha karakteristikat që ti më tregove. Ai është nipi im. Babai i Tij vdiq ende pa lindur Ai, ndërsa nëna i ndërroi jetë para pak kohësh. Ç’është më e veçanta, Ai ka diçka të ngjashme me një vulë në shpinën e Tij.

Shiko, o prijës i mekasve! U gëzova shumë për këtë lajm që më dhe. Trego kujdes të veçantë për Atë fëmijë dhe mbroje prej hebrenjve. Ai do të bëjë vepra shumë të mëdha.

Pas disa ditësh, kur u kthye në Mekë, gjyshi u përqafua ngrohtësisht me nipin e tij, që e kishte marrë malli aq shumë. E nuhaste pangopshëm duke e puthur. Hoqi mallin e madh që kishte. Pas atyre që kishte përjetuar, Abdulmutalibi filloi të tregonte një kujdes më të veçantë për të nipin.

Por ç’e do që Abdulmutalibi ishte plak. I vetmi mendim që e turbullonte në shtratin e tij, ashtu të sëmurë, ishte nipi i tij, Krenaria e Njerëzimit. Ç’do të bëhej me Të? Kush do të kujdesej për Të pas vdekjes së tij? Gdhihej dhe ngrysej me po këtë mendim. Pastaj i kaloi të gjithë fëmijët e tij nëpër mend. Megjithëse pak i varfër, ai zgjodhi Ebu Talibin si personin më të përshtatshëm që të kujdesej për nipin e tij.

I thirri fëmijët e tij pa humbur kohë. Tashmë e ndiente se i kishte minutat të numëruara. Do të shpallte se cili do të ishte kujdestari i Muhamedit këndej e tutje. Pasi u dha të gjithëve disa këshilla, u drejtua nga Ebu Talibi:

Kur të vdes unë, do ta marrësh ti Muhamedin. Atë nuk do ta ndash kurrë prej fëmijëve të tu. Nuk do të lejosh kurrë që Atij t’i kujtohet që është jetim. Sido që të jetë, do ta ndihmosh gjithmonë. A do të ma japësh fjalën për këtë?

Patjetër baba. Mos fol sikur do të vdesësh tani. Patjetër që kujdesem unë në mënyrën më të mirë për Muhamedin.

Në rregull atëherë, tani jam më i qetë.

Pa kaluar shumë kohë prej kësaj bisede, gjysh Abdulmutalibi vdiq. Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të! po jetonte dhimbjen e humbjes së njerëzve më të afërt njëri pas tjetrit. Ende që pa lindur babai, pastaj nëna, ndërsa tani gjyshi. Kur vdiq gjyshi, atë e mori xhaxhai i Tij, Ebu Talibi për ta qetësuar. Ai ishte shumë i pikëlluar. Lotët po i pikonin pikë-pikë nëpër faqet e Tija të bekuara.