JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

TRUNGU QË QAN

Kishte kaluar shumë kohë që prej ardhjes së Krenarisë së Njerëzimit. Myslimanët, ngase ishin shtuar shumë në numër, kishin nevojë për një vend të madh ku të kryenin adhurimet e tyre. Gjithashtu duhej edhe një vend i përshtatshëm për takimin e Profetit me njerëzit që vinin nga jashtë Medinës për të mësuar fenë. Aty filluan punimet për të ndërtuar Xhaminë e Profetit. Këtu punoi edhe vetë Profeti i Njerëzimit duke ngritur gurë. Shokët e Tij shpesh i thonin:

Uluni o i Dërguari i Allahut! E ndërtojmë ne xhaminë, vetëm ju mos u lodhni.

Ndërsa Profeti i Nderuar i përgjigjej se puna është adhurim ndaj Allahut.

Mos më pengoni, dua edhe Unë të marr pjesë prej shpërblimit të madh që ka kjo punë, - i thosh Ai dhe vazhdonte punën.

Edhe dhoma e Tij, së bashku me dhomat e grave të Tij, gjendeshin po në këtë ndërtesë. Pasi u ndërtua e gjithë xhamia, në të u ndërtua një minber i ri. Para se të ndërtohej ai, Profeti Muhamed, teksa mbante ligjërata, e mbështeste krahun e Tij pas një trungu të prerë. Tashmë ky trung i tharë rrinte poshtë tek këmbët e minberit.

Një ditë prej ditësh, teksa Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të! po fliste, ky trung filloi të nxirrte një zë si pëllitja e deveve duke qarë. Të gjithë sa ishin aty e dëgjuan këtë të qarë. Sakaq Profeti zbriti për ta pyetur trungun se përse qante. Arsyeja se përse qante trungu ishte se Profeti i Allahut ishte larguar prej tij. Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!e qetësoi duke i dhënë sihariqin se do ta vazhdonte jetën e tij të përjetshme në Xhenet. Trungu nuk qau më. Profeti ynë iu drejtua shokëve të Tij për t’u shpjeguar këtë mrekulli:

Nëse nuk do ta kisha qetësuar këtë trung, ai do ta vazhdonte vajin e tij deri në ditën e fundit.

Më pas, ky trung u gropos me urdhrin e Profetit tonë të Nderuar.