JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
FILLON JETA NË TOKË
Profeti Adem dhe Havaja e nderuar e kërkuan njëri-tjetrin në tokë për vite me radhë. Njëkohësisht, ata vazhdimisht kërkonin falje prej Allahut. Madje Profeti Adem ishte aq shumë i penduar, sa për shumë vite me radhë, prej turpit nuk e ngrinte dot as kokën që të shihte drejt qiellit.
Pas shumë vitesh, Profetit Adem i tërhoqi përsëri vëmendjen emri Muhamed Paqja qoftë mbi Të, që qëndronte përkrah emrit të Allahut. Iu kujtua se e kishte parë edhe një herë më parë të njëjtin emër, të shkruar mbi portën e Xhenetit, në krah të emrit të Allahut. Domethënë, Ai njeri duhet të kishte një vlerë shumë të madhe për Allahun. Ndaj, Profeti Adem filloi t’i lutej Allahut duke përfshirë emrin e Tij brenda lutjes:
- O Allahu im i Madh! Na fal neve, mua dhe Havanë, për hir të robit tënd aq të dashur, që ia ke shkruar emrin pranë emrit Tënd, - iu përgjërua ai Allahut, duke i kërkuar që t’ia falte mëkatet.
Zoti ynë i Madh e pranoi këtë duà të sinqertë të Profetit Adem vetëm për hir të Profetit tonë të Dashur. Pa kaluar shumë kohë, Profeti Adem dhe Havaja e gjetën veten bashkë në malin e Arafatit. Mandej, Allahu i Plotfuqishëm u dha atyre leje që të martoheshin. Ata lindën me dhjetëra fëmijë, të cilët ishin të gjithë binjakë. Kështu filloi raca e njeriut, e cila do të vazhdojë të jetojë deri në fundin e botës.
Allahu u dërgoi këtyre njerëzve profetë nga mesi i tyre, duke i bërë ata më drejtët, më të mirët dhe më të ndershmit ndër të gjithë njerëzit. Allahu i Madh, meqë i donte shumë robërit e tij, nuk donte që ata të futeshin në rrugë të gabuara. Ja, këta profetë i jepnin popujve të tyre këshilla të mira dhe i ndalonin ata që të bënin gjëra të gabuara. Profetët u mësonin njerëzve se ku dhe si ta adhuronin Allahun.