JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
QËNDRIMI NË MEKË PO BËHEJ I VËSHTIRË
Myslimanët ishin në një gjendje shumë të vështirë. Kishin rrezikun që të dilnin shëndoshë e mirë në mëngjes e të mos ktheheshin dot gjallë në mbrëmje në shtëpitë e tyre. Tashmë ishte diçka e zakonshme që myslimanët të ofendoheshin gjithandej. Torturat më të ashpra ishin për ta. Disa do të torturoheshin madje edhe prej nënës dhe babait të vet.
Deri më tani kushedi sa vetëve u ishin thyer kërbaçët në kurriz. Sa prej tyre ishin groposur në rërën e nxehtë për t’u lënë pa ujë e pa bukë më pas. Madje edhe duke iu hedhur shkëmbinj të mëdhenj mbi trupat e tyre. Disa vendoseshin me shpinë ndaj zjarrit duke u lënë ashtu derisa të shuhej zjarri. Sa e sa veta ishin lidhur nga të afërmit për t’u rrahur me shufra derisa ato të thyheshin. Megjithëkëtë, askush nuk ishte kthyer prej besimit të tij.
Kur gjendja u përkeqësua akoma edhe shumë, Profeti i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! deshi që një pjesë e myslimanëve të mërgonin për në Etiopi. Mirëpo mekasit nuk do t’i linin të qetë as këta mërgimtarë. I ndoqën nga pas për t’i penguar. Mirëpo kur mbërritën në breg të detit, panë se myslimanët tashmë ishin larguar. Atëherë u kthyen duarbosh për në Mekë. Filluan të shqetësoheshin se ata që kishin ikur për në Etiopi mund të fillonin të shpjegonin Islamin edhe atje. Prandaj filluan të thurnin plane për t’i kthyer pas myslimanët e larguar.
Myslimanët që shkuan në Etiopi filluan ta jetonin Islamin lirshëm. Mirëpo vuajtjet për ata që kishin lënë pas do të ishin akoma edhe më të rënda. Myslimanëve të mbetur në Mekë iu vendos një bojkot, andaj myslimanët e mbetur në Mekë u detyruan të jetojnë me çadra në vende të hapura, diku jashtë Mekës. Askush nuk bënte tregti me ta. As vajza nuk merrnin e jepnin. E gjithë pasuria e nënë Hatixhesë u harxhua pikërisht në kohën e këtij bojkoti. Ajo e pati harxhuar të tërë pasurinë e saj në rrugën e Profetit.
Sapo kishte mbaruar bojkoti ndaj myslimanëve, kur një tjetër fatkeqësi ndodhi. Xhaxhai i Profetit Muhamed, Ebu Talibi vdiq. Krenaria e Njerëzimit u mërzit jashtëzakonisht shumë. Ai kishte ngelur i vetëm e pa njeri në Mekë. Xhaxhai i dhembshur që e shpëtonte nipin prej mosbesimtarëve nuk do të ishte më. Kishin kaluar vetëm tri ditë prej kësaj mërzie kur një tjetër njeri shumë i dashur për Profetin vdiq. Këtë herë ishte nënë Hatixheja ajo që do të largohej nga jeta.
Këto vdekje të njëpasnjëshme e patën pikëlluar Profetin tonë të Dashur. Njëra ishte nënë Hatixheja, e cila ia kishte dedikuar veten Allahut dhe Të Dërguarit të Tij, me gjithë pasurinë dhe shpirtin e saj. Ndërsa tjetri ishte xhaxhai i Profetit, i cili e kishte mbrojtur atë që kur ishte fëmijë, dhe së fundmi prej mosbesimtarëve të Mekës. Njëra ishte një grua shumë e dashur, tjetri ishte një xhaxha më shumë se i dashur.
Pas pak kohësh, Profeti ynë vendosi të shkonte në Taif, pasi nuk kishte ngelur më askush që ta dëgjonte në Mekë. Ku i dihet, atje mund të kishte njerëz që do ta dëgjonin dhe besonin. Mirëpo Profeti i Mëshirës kishte gjetur të kundërtën e asaj që kishte shpresuar. Në Taif e goditën me gurë dhe e pështynë. E vunë në lojë duke e përgënjeshtruar. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, rrugaçët e Taifit zunë ta godisnin edhe me gurë.
Zejdi, i cili ishte bashkë me Profetin, dilte njëherë para e njëherë mbrapa për të mos lejuar asnjë gur që të godiste Mbretin e Profetëve. Megjithatë këmbët e Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! u mbuluan krejtësisht në gjak. Madje i dhimbnin aq shumë sa nuk ecte dot. Kjo tufë injorantësh që nuk dinin se ç’bënin, e detyruan Profetin që të largohej menjëherë prej andej. Pastaj, pa pikën e keqardhjes, vazhdonin t qëllonin me rrebesh gurësh. Por sa mirë që kur dolën prej Taifit, tufa e rrugaçëve reshti së përndjekuri. Kjo ndodhí e kobshme dhe e dhimbshme zgjati thuajse tri kilometra, derisa ata dolën prej Mekës.
Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të!, s’kishte shumë që kishte humbur të shoqen dhe xhaxhain e Tij. Ai kishte ardhur në Taif sepse në Mekë nuk kishte asnjë njeri që ta dëgjonte. Do t’u fliste atyre për Allahun. Profeti ynë, Muhamedi Paqja qoftë mbi Të! ishte njeriu më i dashur për Allahun e Madh. Ai ishte burim mëshire për të gjithë Universin.
Ai nuk i përmbante dot lotët përballë ngjarjeve që po i ndodhnin njëra pas tjetrës. Teksa po ecte i lodhur dhe tejet i mërzitur, aty erdhi Xhebraili me engjëllin e maleve. Të dy ishin në trajtën e njerëzve.
Xhebraili i tha Profetit tonë këto fjalë duke treguar malet që ishin pranë:
O Muhamed! Allahu të përshëndet, prandaj mos u mërzit. Ky që qëndron pranë meje është engjëlli i maleve. Allahu i pa të gjitha ato që t’u bënë Ty. Nëse do, engjëlli i maleve mund ta përmbysë këtë malin këtu mbi taifasit. Kështu, atje nuk do të ngelet asnjë i gjallë.
Ndërkohë Zejdi, i cili ishte pak më larg, kishte ngelur duke parë nga Taifi. Ai ishte shumë i mërzitur dhe i nxehur. Nuk arrinte t’i pranonte dot ato që i kishin ndodhur Profetit. Mirëpo, Profeti i Mëshirës, megjithëse ata i kishin bërë shumë keq, i fali ata njerëz. Fjalëve të Xhebrailit i ktheu këtë përgjigje:
Jo, nuk dua të ndodhë diçka e atillë. Ata nuk e dinë se ç’kanë bërë. Ku i dihet, prej këtyre njerëzve nesër mund të dalë dikush, i cili do të besojë.
Profeti ynë i Nderuar, i cili ishte më i mëshirshmi i njerëzve, nuk ia donte të keqen as atyre që i silleshin si armiq. Zaten, Ai ishte Profeti i Mëshirës. Kështu që Ai po i tregonte botës edhe një herë dhembshurinë e Tij.
Kur ndodhi ndodhía e Miraxhit, kishte kaluar veç një kohë e shkurtër prej asaj të Taifit. Një natë, Profeti ynë i Shumëdashur u mor prej Mekës nga engjëlli i profetësisë dhe nga një kafshë me emrin Burak. Prej aty e çuan në Jerusalem, në Xhaminë Aksa. Prej andej e ngritën në qiell, ku u takua me të gjithë profetët. Aty Ai i priu të gjithë profetëve në namaz. Ndërsa në fund u takua drejtpërsëdrejti me Allahun xhel’le shanuhu.
Zoti ynë i Madhërishëm, Zotëruesi i gjithçkaje, po e qetësonte Profetin e Tij me anë të këtij takimi. Sepse Profeti ynë, para shumë pak kohësh kishte humbur xhaxhanë e Tij, e pak më pas kishte humbur edhe gruan e tij, nënë Hatixhenë. E megjithatë Ai ishte nisur për në Taif për të shpjeguar Islamin, por edhe aty e kishin përzënë me gurë. Allahu i Madh me anë të Miraxhit dukej sikur i thoshte: “Mos u mërzit aspak, o Muhamed! Asnjë prej shqetësimeve të kësaj bote mos të të mërzisë. Shih, Unë jam me Ty!”.