JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

BESIMTARËT E PARË

Profeti i Dy Botëve pas këtyre ajeteve ishte ngarkuar me detyrën për të paralajmëruar të gjithë njerëzit që jetonin në botë. Allahu i Madh kishte zgjedhur si fe Islamin, si profet Muhamedin e Nderuar Paqja qoftë mbi Të!.

Profeti ynë i Dashur ia tregoi fillimisht nënë Hatixhesë urdhrat që i kishin ardhur prej Allahut. Ai i kërkoi asaj që të besonte në profetësinë e Tij. Nëna jonë Hatixheja e pranoi këtë kërkesë pa pasur as lëkundjen më të vogël. Kështu ajo kishte nderin të ishte njeriu i parë që i besoi Profetit Muhamed.

Profeti Muhamed u gëzua jashtëzakonisht shumë që gruaja e Tij kishte besuar. Një ditë tjetër, teksa po kthehej nga Hira, Profeti Muhamed pa sërish Xhebrailin alejhiselam, në trajtën e një njeriu të veshur bukur. Xhebraili alejhiselam goditi tokën me thembër, e nga vendi ku ai goditi filloi të dilte ujë. Xhebraili me këtë ujë mori abdes. Pas Tij, prej të njëjtit ujë mori abdes edhe

Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Mandej Xhebraili alejhiselam i priu Profetit tonë të Nderuar dy rekate namaz. Pasi u ndanë, Ai i tha Profetit këto fjalë:

O Muhamed! Këtej e tutje merr abdes siç ta mësova unë. Edhe namazin fale ashtu siç ta mësova unë.

Profeti ynë i Nderuar kur shkoi në shtëpi, ia mësoi nënës sonë Hatixhesë abdesin dhe namazin. Paskëtaj ata falën dy rekate namaz. Kështu që njeriu i parë që do të falte namaz pas Profetit Muhamed do të ishte nëna jonë Hatixheja.

Ky abdes dhe namaz ishte i njëjtë me abdesin që marrim dhe namazin që falim ne. Një ditë, ata i pa Aliu tek faleshin. I ndoqi ata me kureshtje derisa mbaruan. Kur mbaruan, ai iu drejtua Profetit të Njerëzimit me këto fjalë:

Ç’është kjo që bëtë ju?

O Ali! Kjo është feja që ka zgjedhur e që pëlqen Allahu. Unë të ftoj ty të besosh në Allahun që është një. Si edhe të ndaloj të adhurosh idhujt, të cilët nuk përbëjnë asnjë lloj vlere apo dëmi për ty.

Aliu i vogël ishte habitur prej këtij këshillimi. Kërkoi pak kohë për t’u menduar. Ditën tjetër në mëngjes ai shkoi te Profeti për t’i treguar se ai i kishte besuar. Besimi i Aliut, i cili ishte vetëm dhjetë vjeç atëherë, e gëzoi pa masë Profetin tonë të Nderuar. Tanimë ata ishin tre. Profeti Muhamed, gruaja e tij e dashur dhe i biri i xhaxhait.

Në atë kohë ishte e pamundur të flisje për një fe të re. Sepse njerëzit u besonin idhujve dhe zjarrit. Të thoshe në atë kohë se Allahu ishte një dhe se Ai kishte fenë e Tij, do të thoshte të merrje parasysh edhe vdekjen madje.

Prandaj i Dërguari i Allahut filloi ta shpjegonte fshehtazi fenë e Islamit. Megjithë përpjekjen e madhe të besimtarëve për t’u ruajtur, idhujtarët e mësuan se Muhamedi ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë.

Reagimi i idhujtarëve ndaj këtij lajmi ishte shumë i ashpër. Kjo ishte diçka krejt e pamundur për ta. Mos vallë njerëzit do ta linin adhurimin ndaj idhujve e do t’i besonin veç një Zoti të vetëm? Andaj ata filluan të flisnin gjëra të paqena për Profetin Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Ata nuk i besonin Atij.

Mosbesimi i vetë popullit të Tij e mërziste jashtë mase Profetin tonë të Dashur. Ç’është më e tmerrshmja, disa prej tyre thonin se Ai ishte çmendur, ose se Ai ishte një poet. Megjithëse askush nuk kishte qenë dëshmitar i ndonjë fjale të rreme të dalë nga goja e Profetit Muhamed.