JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
MEKA, QYTETI I BEKUAR
Dita që kishte vendosur Mbreti i Profetëve kishte ardhur. Ushtria u nis prej Medinës. Pas disa ditësh ata ishin në Mekë. Çadrat i ngritën në një vend të lartë prej nga dukej Qabeja.
Mosbesimtarët e Mekës e shihnin të frikësuar zjarrin e ndezur atje sipër prej besimtarëve. Zaten nuk kishin fuqi të përballeshin me ushtrinë e madhe dhe të fuqishme të tyre. Ata kishin frikë vetëm prej diçkaje. Vallë ç’do t’u bënte atyre Muhamed i Drejti, Të Cilit ata nuk kishin lënë të keqe pa i bërë, madje edhe kishin tentuar disa herë që ta vrisnin. Madje e kishin përzënë edhe prej vendlindjes. Kishin dashur ta vrisnin Atë bashkë me shokët e Tij duke organizuar luftëra nga më të egrat. Tashmë fuqinë dhe forcën i kishte Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Çfarëdo që t’i bënte, do të ishte e drejtë.
Mund t’i përzinte dhe t’i internonte nëpër vende të largëta. Mund t’i nxirrte në treg për t’i shitur si skllevër. Mund t’i lidhte ashtu siç, kohë më parë ata kishin bërë me myslimanët. Mund t’i groposte në rërë të nxehtë e t’i linte ashtu pa ujë dhe pa bukë deri sa të vdisnin. Mund të urdhëronte që të vendoseshin mbi zjarr, si Hababi, e të duronin deri sa zjarri të fikej. Mund të thoshte: “T’u nxirren sytë me masha të nxehta të gjithë atyre që na bënë keq sa ishim këtu, atyre që mua më vendosën plëndësin e devesë mbi krye teksa i falesha Allahut.”
Shpirti ynë i qoftë falë rrugës Sate o Profeti Muhamed! Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! nuk bëri asnjërën prej tyre. Ai i fali të gjithë këta njerëz që ishin përpjekur kaq e kaq herë ta vrisnin. Zaten, Ai ishte dërguar për shpëtimin e gjithë Njerëzimit. Ai i ishte përgjigjur me shpatë vetëm atëherë kur ata e kishin penguar të shpjegonte Allahun ose kur mosbesimtarët kishin dashur ta vrisnin bashkë me vëllezërit e Tij, besimtarët. Përveç këtyre rasteve Ai i kishte zgjatur njerëzve vetëm dorën e Tij të miqësisë dhe të dashurisë.
Nëse donte, Ai, atë ditë, mund të mos linte askënd të gjallë në Mekë. Por mekasit e njihnin mirë moralin dhe virtytin e Krenarisë së Njerëzimit:
“Ti patjetër që duhet të jesh profeti i Allahut. Gjithë këtë mirësi dhe mëshirë mund ta gjesh vetëm tek profetët e Allahut. Zaten, Ti me mirësinë dhe besnikërinë tënde njihesh ndër ne.”
Kështu, Meka kaloi pa luftuar në duart e besimtarëve. Në Mekë asnjë mysliman nuk do të shqetësohej prej mosbesimtarëve.