JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

ÇASTET E FUNDIT TË NËNËS SË TIJ TË BEKUAR

Profeti ynë i Dashur kishte mbushur gjashtë vjeç. Nëna jonë, Amina, kishte shprehur dëshirën të vizitonte varrin e të shoqit, Abdullahut. Varri i Abdullahut ndodhej në Medine, në fshatin e dajëve të tij. Për këtë qëllim doli në udhëtim bashkë me shërbëtoren Umu Ejmenin dhe të birin, Krenarinë e Njerëzimit, Muhamedin. Arritën në Medine pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. U çlodhën njëfarë kohe. Pastaj shkuan tek varri i Abdullahut. Amina qau gjatë pranë varrit të të shoqit. Ato çaste, edhe Profeti ynë i Dashur qau duke ndjerë për herë të parë të qenurit jetim. Ato lot njomën varrin e Abdullahut.

Profeti ndenji për ca kohë në Medine. Gjatë asaj kohe mësoi notin dhe kaloi kohë të gëzueshme me bashkëmoshatarët e tij. Më pas bashkë me të ëmën morën rrugën e kthimit për në Mekë.

Rruga ishte e gjatë dhe për më tepër bënte shumë vapë. Ndërkohë, gjatë kthimit Amina u sëmur. Gjendja e saj shëndetësore sa vinte e përkeqësohej. E kishte të pamundur të vazhdonte udhëtimin. Pritën për pak kohë sa të përmirësohej shëndeti i nënës sonë Amina. Umu Ejmeni i solli diçka për të pirë. Por gjatë kësaj kohe ajo nisi të ndihej më keq. Kokën e kishte vendosur mbi prehrin e Krenarisë së Njerëzimit. Profeti s’reshte së qari dhe pyeste e vazhdimisht:

Si ndihesh nëna ime e dashur?

Zemra e Aminës bëhej copë përballë ngashërimit të të birit. Ndonjëherë edhe ajo mundohej që ta qetësonte sadopak duke i thënë:

O i biri i burrit që ka shpëtuar prej flijimit duke u paguar njëqind deve! Nëse janë të vërteta ato që më janë thënë në ëndërr, Allahu do të të ngarkojë ty me detyrën e profetësisë. Allahu do të të ruajë ty prej adhurimit të idhujve. Çdo gjë që jeton, vdes dhe çdo gjë e re vjetrohet. Një ditë do të vdes edhe unë, por njerëzit nuk kanë për të më harruar asnjëherë. Sepse po lë pas një djalë kaq të mirë si ti.

Këto ishin fjalët e saj të fundit. Iku nga kjo botë me kokën të vendosur në prehrin e të birit. Tashmë Mbreti i Profetëve ishte jetim si nga nëna, ashtu edhe nga babai. Tashmë nuk ishte as nëna Tij e bekuar, e cila deri më tani ishte munduar të mos ia bënte asnjëherë të ndjeshme mungesën e babait. Nga faqet e vogla të Profetit tonë po derdheshin ca pika loti. Ngjante sikur i tërë Universi ishte duke qarë bashkë me të. Ndërkohë që Umu Ejmeni po bënte ç’ishte e mundur për të mos e lënë fëmijën e vogël që të mërzitej.

Ata hapën një varr me ndihmën e njerëzve përreth. Pasi e vendosën në varrin e saj, nënën tonë Aminën, Umu Ejmeni e mori jetimin për ta kthyer në Mekë, në shtëpi. Gjatë rrugës u mundua shumë që t’ia bënte sa më të pandjeshme mungesën e nënës. Pastaj ia dorëzoi të gjyshit, duke i treguar për ato ç’kishin ngjarë gjatë rrugës. Abdulmutalibi u mërzit shumë gjithashtu për vdekjen e nuses së tij Aminës. Fatkeqësitë që po i ndodhnin nipit të tij të vogël e bënë atë të qante.