JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR
Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)
Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)
Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj
TASI ME BORË
Profeti ynë i Nderuar e kishte kuptuar se nuk do t’i vinte asnjë e keqe prej këtyre njerëzve. Njëri prej tyre mbante një tas të artë në dorën e tij. Ai ishte plot me borë. E shtrinë Profetin e Nderuar duke i hapur kraharorin. Në atë çast u zgjua Abdullahu dhe i pa të gjitha ato që po ndodhnin. U çua si i çmendur dhe rendi me vrap drejt shtëpisë.
Erdhën dy burra dhe i çanë kraharorin vëllait tim. I nxorën zemrën prej vendit dhe nuk e di se ç’i bënë, - u tha ai nënës dhe babait me një frymë.
Në atë kohë Halimeja me të shoqin, Harithin, u bënë si të lajthitur. Vrapuan për të shkuar sa më shpejt tek vendi që i çoi Abdullahu.
Profeti ynë i Nderuar vazhdonte të ishte i shtrirë mbi bar. Po buzëqeshte. I kishte ikur pak ngjyra në fytyrë. Halimeja dhe i shoqi, që po çmendeshin nga frika, e pyetën:
Biri im, ç’të ndodhi kështu? Na e trego!
Profeti ynë tha:
Më erdhën pranë dy njerëz të veshur me të bardha. Njëri prej tyre mbante në dorë një tas plot me borë. Mandej ata më shtrinë përtokë dhe ma çanë gjoksin në mes. Pastaj ma nxorën zemrën duke ma ndarë në dysh. Nxorën prej andej një droçkë gjaku të zi. Në fund ma pastruan kraharorin dhe zemrën mirë e mirë me borë dhe e mbyllën.
Me këtë ndodhí, zemra e Profetit po përgatitej për ardhjen e fjalës së Allahut, e cila do t’i vinte kur të rritej. Mirëpo si kjo ndodhí, ashtu dhe reja e bardhë, e cila e ndiqte pa pushim nga pas, e shqetësonin shumë mëndeshën e Tij. Prandaj, me zemër të thyer ajo iu drejtua burrit të saj, Harithit:
Muhamedin duhet t’ia japim sa më shpejt familjes së Tij, pa i ndodhur ndonjë gjë e keqe.
Ke të drejtë. Atij po i ndodhin veç gjëra të çuditshme. Këto nuk janë të natyrshme. Edhe unë jam i një mendjeje me ty. Ta çojmë atë një orë e më parë në Mekë, - ia ktheu Harithi.