JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)

Titulli origjinal: Sevgili Peygamberimiz Hazreti Muhammed'in Hayatı (sallallahu aleyhi ve sellem)

Orhan Sezgin · Përktheu Silvester Manaj

KU DO TË NDALOJË KASUAJA

Krenaria e Njerëzimit po ecte në rrugët e Medinës mbi devenë e Tij. Medinasit e kishin rrethuar nga të gjitha anët. Në gojë kishin këngë, ndërsa në sy kishin lot gëzimi. Në çdo shtëpi që kalonte, Profetin e ftonin që të bujtte në atë shtëpi, ndërsa Ai për të mos mërzitur askënd, u kërkonte që të mos ia prisnin rrugën devesë, pasi do të bujtte atje ku deveja e Tij, Kasuaja do të ndalonte.

Tashmë të gjithë sytë, të emocionuar po ndiqnin se ku do të qëndronte deveja e Profetit të Nderuar. Aty ishte mbledhur i gjithë populli i Medinës. Çdokush dëshironte që t’i takonte vetë atij nderi i bujtjes së Krenarisë së

Njerëzimit. Madje edhe deveja e Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! dukej sikur po kërkonte për shtëpinë më të përshtatshme, duke parë sa majtas e sa djathtas. Më në fund i ngadalësoi hapat duke ndaluar më në fund. Vendi ku kishte ndaluar i takonte shtëpisë së Ejub el Ensarit të nderuar. Atë ditë e gjithë Medina ishte e gëzuar, por Ejubi i nderuar ishte akoma edhe më i gëzuar. E kishte ai nderin për ta pritur Mbretin e Profetëve në shtëpinë e tij. Profeti Muhamed ndenji plot shtatë muajt e parë në këtë shtëpi.

Në shtëpinë ku rrinte Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! sa vinte e shtohej begatia. Një ditë Ejubi i përgatiti një ushqim të veçantë Profetit bashkë me shokun e Tij besnik, Ebu Bekrin. Profeti i Njerëzimit kërkoi, që për këtë ushqim të përgatitur për dy vetë, të thirreshin tridhjetë vetë. Aty erdhën plot tridhjetë vetë, që u ngopën dhe u larguan. Më pas erdhën gjashtëdhjetë vetë të tjerë. Edhe ata hëngrën sa u ngopën dhe ikën. Më pas, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! kërkoi të thirreshin edhe shtatëdhjetë vetë të tjerë. Të gjithë këta u ngopën duke ngrënë nga ushqimi i dy vetëve. Atyre që ishin aty iu shtua besimi që kishin në zemrat e tyre. Ndërsa ata që nuk besonin, besuan menjëherë aty, përballë kësaj mrekullie.